Nga fjala e Martin Lekës në sallën e gjyqit: Unë jam i lirë edhe në burg, ndërkohë që kundërshtarët e mi jashtë burgut dridhen nga mungesa e lirisë

Nga Martin Leka-

I nderuar zoti Kryetar,
Sot, për mua dhe për ju kjo ditë e kjo datë nuk është si gjithë të tjerat. Për mua kjo ditë do të mbetet në kujtesën time duke përshkruar pikërisht ato ndjenja njerëzore që ndjen njeriu i lirë edhe kur lirinë ja kanë grabitur padrejtësisht. Ndërsa, për ju, kjo është dita e nderit, e dinjitetit, e karakterit, e pavarësisë, e besës dhe e lirisë së vërtetë. Këtë privilegj që keni ju sot e kishin përpara jush Ministri Zhulali, Kryetari Qeleshi, hetuesit Zalli e Xhelili, e kishte prokurori me mbiemrin tim Leka, e para së gjithash, e kishte këtë privilegj nderi Presidenti Berisha. Akuzohem se kam përhapur sekretin shtetëror dhe kam shpifur botërisht. Akuzën nuk e pranoj! Ajo qëndron me këmbë siç qëndrojnë mbi ujë sferat e rënda të çelikut! E kundërshtoj akuzën me përbuzjen gjer në neveri dhe akuzoj. Akuzoj të gjithë ata që u sollën me mua si me “heretikët” e lashtësisë dhe të agimit të qytetërimit. Nuk dua të analizoj ato shkelje të rënda ligjore që u ndërmorën ndaj meje, as edhe anën teknike, gjë që do ta bëjë avokati im, zoti Tirana.
Së pari, dua të shpjegoj këtu ato shkaqe që më kanë çuar deri në shkallën e kryerjes së “krimeve”të përhapjes së sekretit të shtetit dhe shpifjes botërore. Nuk mund të lë pa përmendur këtu numrin e parë të gazetës RD, e të tjera paskëtaj. Kjo “fjalë”e re dhe e madhe atëherë, lindi pikërisht në kohën kur diktatura klithte e shoqëria rënkonte si gruaja para lindjes. Çnuk shkruan aty kundër diktaturës Çupi, Zogaj,Çela, Imami, Baleta, Shkullaku, Berisha, Kaba e plot e plot të tjerë, e askush, asnjë padi gjyqësore nuk bëri. Pikërisht atëherë, unë besova si fëmijë se tani kishte nisur të vinte liria, se tani erdhi me të vërtetë ajo kohë e lumtur që të shkruajmë e jo të zhgarravitim e shkërmoqim. Besova se erdhi ai çast i lumtur i lirisë së shprehjes themelore në demokraci dhe unë besova se erdhi demokracia. Besova, pra, se erdhi koha e fjalës së lirë, e kulturës, e shijimit të jetës me dinjitet, e karakterit të vërtetë të shqiptarit, se erdhi koha e kundërshtimit të shpellakëve, e kundërshtimit të oborrtarëve, e kundërshtimit të bajraktarëve, e kundërshtimit të demagogëve, e kundërshtimit të dallkaukëve, e kundërshtimit të analfabetëve, e kundërshtimit të servilëve, e kundërshtimit të “hjekësve” e kundërshtimit të lajkatarëve, e të tjerë të sojit të tyre. Unë, pra, besova, por nuk dija vetëm një diçka krejt “të vockël”, nuk dija kushtin sipas të cilit, kundërshtimi të dërgonte në qelinë e burgut. E megjithatë, unë prapë jam i lirë. Unë jam sot këtu, për t’u gjykuar për përhapje të sekretit dhe për shpifje të bërë botërisht. Por nuk jam thjesht për këtë akuzë, të cilën e përsëris: nuk e pranoj e do të vazhdoj të mos e pranoj gjithë jetën. Unë jam këtu sepse jam gazetar i gazetës “Koha Jonë”, e para gazetë e pavarur, oponencë reale e pushtetit të çdo partie, e sulmuar dhunshëm nga pushteti i PP pas 31 Marsit dhe sot nga pushteti i PD. Gjithkush i di investigimet, presionet e rrugës, gjyqet e kontrollet e shumta ndaj gazetarëve të kësaj gazete. Unë sot jam njëri ndër këta që po gjykohem. Në “ditën e gjyqit”nuk jam vetëm unë, janë gjithë kolegët e mi, është gazetaria shqiptare.
Unë gjykohem se kam përhapur sekretin shtetëror. Po ç’sekret kam nxjerrë unë? Se u thashë dhe i lajmërova shqiptarët që nuk më duket e drejtë dhe e denjë për oficerët, nënoficerët e punonjësit e tjerë që t’u hiqen armët? Se nuk më duket e denjë që armët t’i mbajnë kriminelët e mafiozët e të mos i mbajnë oficerët? Ç’sekret kam përhapur unë me shkrimin tim, ndërkohë që “eteri” Buçpapa “u ca brinjësh” duke u thënë botës me satelit se lajmi është i vërtetë, por i rremë dhe që përhap panik? Absurditeti qëndron pikërisht në fjalën “përgënjeshtrim”, në faktin se lajmi i gënjeshtërt është i vërtetë, por i rremë? I…
Unë sot gjykohem, e ndoshta dënohem, jo vetëm për krimet e përhapjes së sekretit shtetëror e shpifjes së bërë botërisht. Unë deklaroj para trupit gjykues se gjatë punës time në profesionin e gazetarit, me penën e fjalën time kam denoncuar:
-Se një firmë e huaj në NB Torovicë e sjellë nga pushtetarët po gënjente, po luante me gjakun e djersën e punëtorëve duke u grabitur fitimet, ndërkohë që për një muaj drejtuesit e firmës shpenzonin vetëm për fjetje e telefonata me miliona lekë;
-Se ish Ministri i Shëndetësisë sot sekretar i përgjithshëm i PD, Tritan Shehu, i kishte kërkuar 2 mijë dollarë për të nxjerrë për kurim në Itali, Çlirim Bejrit, djalit të plagosur përkrah dëshmorit të demokracisë Arben Broci, më 2 Prill 1991:
-Se ligji për tokën nuk zbatohej si duhej nga pushtetarët dhe për rrjedhojë në një ditë e në një javë u vranë 6 njerëz nga dy familje, në mes tyre dhe një djalë rreth 25 vjeç që priste të martohej ato ditë dhe një vajzë 10-vjeçare:
-Se ligji për shtypin ishte një falsifikim nga ligjvënësit shqiptarë duke na servirur si përkthim të atij të Vestfalisë në Gjermani, ndërkohë që ishin shtuar nene të tjera në të;
-Se heqja e busteve të N. N. Gjokës, B. Bibës e heroinave të Mirditës, nuk tregonte kulturën e një populli që ëndërron të ndërtojë demokracinë por të kundërtën e saj;
-Se nuk ishin heroizma ditët e “heroizmës shqiptare” për të vrarë edhe gra e fëmijë;
-Se nuk ishin të gjithë intelektualë rreth 2 mijë vetë që u mblodhën në takimin me Presidentin Berisha, por kishte edhe nxënës me certifikatë lindjeje edhe kuzhinierë nga “klasa punëtorë”;
-Së Parlamenti Shqiptar e çliroi Shqipërinë me shumicë votash nga luftëtarë që s’kishin me vete atë çast asnjëlloj pushke e arme, gjer edhe tek “komandanti i tyre”, Arbnori;
-Se një vit më parë u “përmbyt”Lezha dhe Çlirim Çela, duke përkujtuar sfidën e gazetës “Koha Jonë”ndaj pushtetarëve;
-Se ishte absurd grumbullimi e manifestimi i zhurmshëm i forcave të rendit në kryeqytet në pritje të një mitingu imagjinar;
-Se në spitalet tona gratë shkojnë urgjent për të lindur fëmijë me traktorë dhe se Ministri i Shëndetësisë ecte me veturë luksoze 67 mijë dollarë;
-Se nafta shqiptare po vret njerëz, ndër të cilët edhe shqiptarë në Bielinë të Bosnjës;
-Se dijetarit të madh shqiptar R. Qosja ja kanë marrë pasaportën edhe Qeveria Serbe edhe ajo Shqiptare me mosinteresimin e saj;
-Se liritë e të drejtat e njeriut po dhunohen e nëpërkëmben nga shteti i Berishës;
-Se banda mafiozësh mbajnë armë dhe vrasin njerëz të pafajshëm:
-Se lufta politike në Shqipëri është shndërruar në luftë armiqsh; Këto pra, janë vetëm disa nga “krimet”e tjera përveç krimeve për të cilat akuzohem sot.
Deklaroj se, nisur nga fakti se liria nuk vjen pa sakrifica, unë “krime”të tilla do të bëj përsëri.
Unë jam i pandreqshëm!
Është pra e qartë, dhe për këtë jam krejtësisht i bindur, se nuk gjykohem thjesht për të kënaqur epshet inatçore të z. Zhulali e Qeleshi. Unë sot gjykohem si rebel ndaj anakronizmit zyrtar dhe dashnor i qytetërimit, i fjalës së lirë! Pikërisht se e dua fjalën e lirë, unë jam i lirë edhe në burg, ndërkohë që kundërshtarët e mi jashtë burgut dridhen nga mungesa e lirisë.
Po përse gjykohem unë sot? Ky gjyq bëhet pikërisht që shteti të thotë e të tregojë se “Jam këtu”. Të thotë se “jam këtu”në përndjekjen e gazetarëve, por “s’jam”në vrasjen e Gjovalin Cekinit në Shkosër, të thotë se jam në gjykimin e fjalës së lirë, po “s’jam”në skandalet milionadollarëshe të Arsidit, të Ministrisë kallëzuese të akuzës, të fletë-votimeve të Kavajës, të kontrabandës së naftës, të ikjes misterioze të anijes “Sotirios” etj…. e së fundi të skandalit më të turpshëm të vjedhjes së kulturës kombëtare në Muzeun Historik. Unë, zotërinj të trupit gjykues, bëra një shkrim, unë fola me lexuesit, unë dhashë një lajm. Thjesht, unë fola. Unë nuk e dija që kur unë flas “qoftë edhe me shtetin apo zyrtarë të tij” shteti të përgjigjet me “luftë”e ngërdheshje të egra.
Ky gjyq sot, mund të bëhet edhe për të “trembur”. Nëse shteti apo segmente të tij mendojnë kështu, unë po ju them se nuk trembem nga burgu. Nuk tremben nga qelitë ata që për ideal kanë lirinë e vërtetë, ata që besojnë në të ardhmen. Nga qelitë tremben frikacakët “trumcak” që nuk e shohin të ardhmen më tej fundit të gotës së tyre, tremben ata që kanë frikë nga e vërteta, ata që punojnë me urdhra e jashtë ndërgjegjes së tyre, ata që kanë tru e ballë “kauçuku”, pa rrudha. Po ju kujtoj këtyre të fundit se një burg ka shumë hekura e kërcitje llozesh, tek të cilët do të bëjnë efektin e rrezeve të diellit tek shkërmoqin kokat e të çmendurve. Sa për mua, unë nuk trembem; unë siç kam shkruar më 21 Janar, do të shkruaja edhe sot. Nuk jam nga ata “gjeneralë”të punësuar në sociologji, të tipit BM që nisen për luftë e kthehen, që “ripërtypin” ato që kanë ngrënë një herë!
Zoti Kryetar i seancës,
Jam arrestuar më datë 31 Janar në zyrat e Prokurorit Qeleshi, ku kam shkuar vetë, pasi një ditë më parë kur edhe kisha lajmërimin zyrtar nuk më priti njeri. “Sfondi”radioteleviziv, në të cilin ndodhi burgosja ime si dhe ajo polici duke terrorizuar familjen, të afërmit e miqtë e mi natën, shoqëruar me thyerjen misterioze të dhomës sime në Lezhë, më kanë kujtuar filmat policeskë me temë nga Italia e Jugut. Ky është dënimi më i rëndë moral për mua. Unë akuzoj për këtë, por do të fal. Do të fal edhe sepse shteti ynë nuk ka kaq para sa të paguajë dëmet morale të njerëzve, ndryshe do të duhet të rritë përsëri taksat. Kurse një njoftim të zëdhënësit të Prokurorisë, sipas të cilit u jam shmangur hetimeve, e konsideroj tepër keqdashës dhe hartuesit e tij i mëshiroj. Arsyeja e vërtetë e arrestimit tim është arsyeja e mosarsyes së prokurorisë, ose “arsyeja shtetërore”.
Zoti Kryetar,
Edhe një herë e përsëris se akuzat për të cilat akuzohem, nuk i pranoj. Nuk i pranoj thjesht, për faktin se nuk kam kryer krimet për të cilat akuzohem. Unë kam një fat, sepse “krimet”për të cilat fola dhe akuzohem, nuk i kam bërë skutave të kulisave, por kam shkruar të zeza mbi të bardhë. Ata rrojnë shumë më tepër se një jetë njeriu. Unë kërkoj nga trupi gjykues pikërisht atë që meritoj sot:
PAFAJËSINË

Martin Leka 

(botuar me datë 26 shkurt 1994 në KOHA JONE)

SHKARKO APP