
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjykatë një jurist të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), i cili akuzohet për shpërdorim detyre. Sipas organit të akuzës, punonjësi dyshohet se ka hequr pa bazë ligjore një shënim kufizues nga kartela e një prone në zonën e Selitës, në Tiranë.
Çështja lidhet me një kontratë sipërmarrjeje të lidhur mes pronarëve të tokës dhe shoqërisë “Triumph Company” sh.p.k., për zhvillimin e një sipërfaqeje prej 3,250 metrash katrorë. Kontrata ishte regjistruar në dokumentacionin kadastral, ku ishte vendosur edhe një shënim bllokimi për të mbrojtur interesat e kompanisë mbi pronën.
Sipas hetimeve, fshirja e këtij shënimi u krye nga shtetasi A.B., jurist pranë Drejtorisë Vendore të ASHK-së Vlorë, të cilit praktika i ishte caktuar përmes shortit elektronik. Vendimi për heqjen e kufizimit u bazua në kërkesën e pronarëve, të cilët pretendonin se kompania nuk kishte realizuar zhvillimin e pronës, si dhe në një njoftim noterial për ndërprerjen e marrëdhënies kontraktore.
Pas ndryshimit në regjistrin kadastral, pronarët lidhën një kontratë të re sipërmarrjeje për të njëjtën pasuri me shoqërinë “Al Development” sh.p.k.
Nga verifikimet e Prokurorisë rezultoi se kontrata e parë parashikonte një afat trevjeçar për realizimin e ndërtimit, i cili niste nga momenti i marrjes së lejes së ndërtimit dhe jo nga data e nënshkrimit të saj. Për këtë arsye, sipas organit të akuzës, pretendimi për moszhvillimin e pronës nuk përbënte shkak të mjaftueshëm për përfundimin automatik të kontratës.
Prokuroria vlerëson se juristi ka pranuar kërkesën e pronarëve dhe njoftimin noterial si bazë për fshirjen e shënimit, pa pasur dokumentacionin e nevojshëm ligjor për këtë veprim. Si pasojë, dyshohet se është cenuar interesi i ligjshëm i “Triumph Company” dhe është krijuar mundësia që e njëjta pronë të kalonte në një marrëdhënie të re kontraktore me një tjetër kompani.
Për këto veprime, A.B. do të përballet me gjykatën për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
