Nga Gjergj Fishta te Ferdinand Samarxhi, si e vrau Ilir Meta dekoratën “Nderi i Kombit”
Nga: Ermal Mulosmani
Disa ditë më parë më ra në sy një lajm për dekorimin e gazetarit të Televizionit Shqiptar, Ferdinand Samarxhi, me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”. Kjo ngjarje ka ditë që ka ndodhur, qysh në 8 Nëntorin e famshëm të Partisë. Qysh atë ditë e deri sot unë jam në dilemë të shkruaj apo jo. Një mendje më thoshte ta lë këtë budalllallëk e këtë histeri dekoratash të degjenerojë në një qokë banale dhe objekt humori kolektiv. Përveç të tjerash do të dukesha pak qesharak edhe vetë duke kthyer në vëmendjen publike një banalitet që askush nuk e merr seriozisht. Në fund joshja për të thënë një “boll” këtij manipulimi institucional e mundi tendencën për të mbyllur sytë dhe nënqeshur me qësendi.
Deri atë ditë unë mendoja se ky urdhër apo dekoratë, me emër kaq zulmëmadh e domethënës, do jetë rezervuar ndër vite për figurat më të larta të historisë së kombit. Fjala vjen, po mendoja se mund të ishin në atë panteon, nja 5 a 6 personalitete që nga Skënderbeu, Nënë Tereza, Ismail Qemali, Ismail Kadare, Ibrahim Rugova, Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Adem Jashari e të tillë korifenj, të penës a pushkës që kanë vënë vulën e tyre në identitetin e sotëm kombëtar shqiptar.
Për të krijuar një ide më të plotë për këtë dekoratë dhe personat që janë shpërblyer me të, kërkova në internet. Gjatë mandateve të para presidenciale duket një respekt i madh për dekoratën. Në vitin 1996 i vetmi personalitet i shpërblyer ishte piktori i njohur Ibrahim Kodra, një personalitet shqiptar që mund të futet në çdo shortlistë emrash që i kanë dhënë kombit. Pak më vonë, në vitet 2002 deri në vitin 2007, emrat e shpërblyer janë pak a shumë meritorë. Aty gjejmë Gjergj Fishtën, Petro Markon, Eqerem Çabejn, Odhise Paskali, Mirash Ivanajn, Vaçe Zela, Zef Pllumin apo inxhinierin e famshëm Ismail Ahmeti. Emrat flasin vetë. Dinjiteti i dekoratës është përpjekur të jetë në nivelin e personalitetit të emrave përfitues.
Mirëpo nga viti 2015 e mbrapa u lëshua dora. Çdo vit dekoroheshin 20-30 figura çka detyrimisht do të çonte në zhvlerësimin e dekoratës. Një komb me 3-4 milion banorë nuk mund të kishte kaq shumë dekorata zulmëmëdha. Kriteret ishin elastike, ata që e meritonin e përbuznin, ata që nuk e meritonin nuk linin gur pa lëvizur për ta marrë. Doemos ky lloj inflacioni do të degjeneronte vlerën e dekoratës.
Derisa mbërritëm te Ferdinandi.
Me gjithë përkushtimin e Ferdinandit në shërbim të grigjës së besimtarëve por më shumë barinjve të tyre, emri i dekoratës asfare nuk më përqaset me kontributin e tij për Kombin. Samarxhiu është një gazetar i Televizionit Shqiptar që punoi në të dyja kohët, edhe në diktaturë kur Televizioni ishte mjeti i propagandës ateiste të Partisë edhe në demokraci kur u kthye në një qendër servilësh e puthadorësh pushteti që ndërronte padronët sipas stinëve politike. Në të dyja kohët Ferdinandi ishte aty, i përkëdheluri i fatit që nuk ia ndiente për ndryshimet.
Asnjë meritë gazetareske nuk e shquan Ferdinandin nga kolegët e tij që, fjala vjen, bëjnë me përkushtim emisionin e bujkut, të rinisë apo kronikat ditore televizive. Ndër gjithë gazetarët e TVSH-së, në të gjithë atë strukturë gjigande, askush nuk e mori vesh asnjëherë pse Ferdinandi ishte department më vete që merrte kohë televizive publike për tua dhënë autoriteteve fetare. Disa e dinin se ishte i dërguari i besimeve në Televizion të tjerë si i dërguari i Televizionit në Ministrinë e Feve.
Ferdinandi dallohej vetëm për ecejaket në zyrat e Drejtorëve për të marrë kohë televizive për fetë përmes formave ferdinandase që shkaktonin humor mes kolegëve dhe për mediokritetin e skajmë profesional. Kush mund të jetë mahnitur kaq shumë me cilësitë gazetareske të Ferdinandit, nga thellësia e mendimit të tij, nga problematika e trajtuar apo nga mjeshtëria e fjalës?!
Çfarë dekorate duhet shpikur për Petro Markon, Vangjush Gambetën, Fatos Lubonjën, Teodor Kekon apo për Petro Latin, Xhemal Maton, Pali Kuken, Ndue Ukcamën, Stefan Gajon, Bujar Kokonozin e shumë e shumë të tjerë nëse Ferdinandi është Nderi i Kombit? Si mundet që të njëjtën dekoratë me Gjergj Fishtën dhe Eqerem Çabejn ta ketë edhe Ferdinand Samarxhi? Po çfarë dekorate meritojnë Rrok Mirdita, Hafiz Sabri Koçi apo Reshat Bardhi kur Fedinandi është Nderi i Kombit? A i bren pak ndërgjegja dekoruesit për këtë turp?!
Duke kërkuar në internet zbulova se Ferdinand Samarxhi përpara se të marrë këtë urdhër të lartë paska qenë dekoruar me një medalje tjetër nga Presidenca e Bujar Nishanit, me urdhërin “Mjeshtër i Madh”. Klikoni këtudhe shiheni elozhet që i bën Bujar Nishani, atëherë President në motivacionin e dekorimit. Nëse nuk është kjo tallje me vlerat nuk e di çfarë është.
Por Ferdinandi nuk u kënaq. Ai nuk është thjesht një “Mjeshtër i Madh”, ai është “Nderi i Kombit”! Pse mo, niveli i Ylli Bakës është Ferdi që të kënaqet me aq? Ndaj lëvizi gjithë gurët e barinjve tanë të grigjës, që nga Janullatosi e deri te Baba Mondi dhe e siguroi titullin e ëndërruar. Të gjithë erdhën në Presidencë për ta festuar dhe bënë fotot e rastit. Në pritje të dekoratës tjetër, Urdhrit të Flamurit pas dy tri vjetësh.
Atë ditë dekorata “Nderi i Kombit” vdiq.
/Gazeta Express/