Nga kundër në votë pro për 46 bashki, Vullnet Sinaj: Tani përgjegjësia i takon PS-së
Deputeti i Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj i cili prej ditësh mbante një qëndrim kundër draftit për 46 bashki, sonte në Kuvend deklaroi votën pro propozimit për ndarjen e re territoriale të vendit, duke theksuar se diskutimet brenda grupit parlamentar kanë qenë të lidhura me interesin e qytetarëve dhe jo me interesa personale.
Sinaj u shpreh se reforma territoriale ka prodhuar prej kohësh perceptimin se trajtimi i bashkive nuk ka qenë i njëjtë. “Krijohet përshtypja se disa bashki ishin të nënës dhe disa të njerkës”, deklaroi ai. Sinaj pranoi se gjatë periudhës së diskutimeve për reformën ka pasur qëndrime të ndryshme brenda Partisë Socialiste, por nënvizoi se debatet nuk kanë pasur në themel interesa personale.
“Kemi pasur debate mbi mënyrën sesi duhet të avancojë kjo reformë. Kemi pasur edhe mendime të ndryshme mbi çështje të caktuara. Por ky debat dhe këto diskutime nuk kanë qenë kurrsesi për interesa personale”, tha deputeti. Sipas tij, qëllimi i diskutimeve ka qenë garantimi i një ndarjeje që t’u shërbejë sa më mirë qytetarëve që kanë votuar shumicën.
“Kanë qenë debate për të garantuar që qytetarët që na kanë votuar si shumicë, të marrin maksimumin e mundshëm, siç vetë ligji ua garanton”, u shpreh Sinaj. Deputeti socialist bëri të ditur se pikëpamjet e tij nuk morën shumicën e mbështetjes brenda grupit parlamentar të PS-së. “Idetë dhe mendimet e mia në votimin e Grupit Parlamentar mbeten në minorancë”, deklaroi ai, duke shtuar se grupi parlamentar ka vendosur të votojë politikisht pro ndarjes së re territoriale.
“Grupi i PS miratoi për një votim politik pro ndarjes së re territoriale”, tha Sinaj. Në përfundim, deputeti theksoi se tashmë, pas vendimit të grupit parlamentar, përgjegjësia individuale politike i lë vendin përgjegjësisë së forcës politike që përfaqëson. “Në këtë moment, kur Grupi i PS ka marrë vendimin politik për ta votuar këtë ndarje territoriale, përgjegjësia ime morale dhe politike i lë vendin përgjegjësisë morale e politike të forcës sonë politike, vendimmarrjes së PS”, u shpreh ai.
Sinaj shtoi se efektet e kësaj ndarjeje do të vlerësohen me kalimin e kohës, ndërsa i bëri thirrje Partisë Socialiste të justifikojë besimin e marrë nga qytetarët. “Në fund të ditës janë pikëpamje që koha do t’i tregojë. PS duhet të tregojë se e meriton besimin që zgjedhësit i kanë dhënë”, përfundoi deputeti.

