Nga manifestimi për Kushtetutën, shembja e Teatrit, e deri tek revolta e rinisë, ja çfarë panë dhe dëgjuan shqiptarët gjatë një viti
Nga Herion Mesi
Viti 2020 ishte një katastrofë totale! Pasojat e tërmeteve të vitit 2019 që na ndoqën gjatë gjithë vitit 2020, pasi janë shumë e shumë familje akoma që flenë në qiell të hapur dhe në rastin më të mirë në çadra, ndërkohë që na goditi shumë edhe pandemia, pasojat e së cilës do vijojnë të jenë aktuale edhe përgjatë vitit që po troket. Partia Socialiste nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama duket se përdori krizën e Covid-19 jo vetëm në çështjen e teatrit “të bezdisshëm” për të krijuar dhe mbuluar ngjarje të mëdha politike, si shkeljet e rënda të Marrëveshjes së 5 qershorit dhe Kushtetutës lidhur me procesin zgjedhor, ku Rama nuk e humbi rastin që në mungesë të opozitës reale në Kuvend të realizonte manovrat e tij që mund t’i sigurojë ndonjë votë më shumë në tavolinë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Si në shumicën e vendeve të botës, edhe në Shqipëri pandemia Covid-19 paralizoi jetën e qytetarëve. Pas fillimit të Marsit, ku rastet e para zyrtare u bënë të njohura në vend, qeveria u përgjigj dhe mbylli të parat shkollat dhe universitetet, pastaj baret dhe restorantet, dhe më pas u vendos një shtetrrethim i përgjithshëm, i cili mund të thyhej vetëm për disa orë, sa për të blerë sende ushqimore ose ilaçe. Kufijtë tokësorë dhe detarë ishin mbyllur, si dhe aeroporti gjithashtu vendosi ndalimin e fluturimeve për pasagjerët, duke përcaktuar vetëm disa fluturime emergjence dhe të kontrolluara. Diskutimi politik gjithashtu u ngadalësua në fillim nga pandemia, edhe pse u bë e qartë se qeveria po ndiqte dhe zbatonte projektet e saj. Sidomos kur nisi sulmet kundër mediave të pavarura, ajo nisi të shfaqej gjithnjë e më autoritare. Pikat kulminante, megjithatë, arritën me prishjen e Teatrit Kombëtar dhe vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha, ngjarje që shënuan nga njëra anë revoltë qytetare, dhe nga ana tjetër ishin ngjarjet që denoncuan më shumë se fjalët shtetin policor që Edi Rama ka ngritur në këto vite të qeverisjes së vendit nga ana e tij. Sa i përket diplomacisë, viti 2020 sërish do ishte një katastrofë e vërtetë. Në fushën ndërkombëtare Shqipëria humbi përsëri mundësinë për të hapur negociatat për anëtarësim në BE për arsye të mos-plotësimit të kushteve dhe përkeqësimit të demokracisë, të shtetit të së drejtës, si dhe lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Diplomacia e Edi Ramës kishte një vit dështimesh spektakolare në raport me Kosovën, pasi diplomacia e Rames gjeneroi konflikt si kurrë më parë me të gjithë lidershipin politik në Kosovë, që nga heroi i luftës Ramush Hardinaj, vazhdoi me Profesor Isa Mustafën dhe Albin Kurtin, për ta mbyllur vitin me zonjën e nderuar, intelektualen dhe patrioten Vjosa Osmani, të cilën e bojkotoi në Parlament. Të njëjtën politikë kapitulluese ndoqi edhe me Greqinë, pasi i pranoi kryeministrit Micotaqis pretendimin për 12 milje në ndarjen e detit, gjë që do të na i sillte grekët deri tek Sheshi i Flamurit në Vlorë, ndërkohë që e çoi çështjen në gjykatat ndërkombëtare ku e ka humbjen e garantuar, siç ka ndodhur me të gjitha çështjet e humbura me vlerë qindra milionë euro që kur erdhi në pushtet në vitin 2013. Në pak fjalë kjo është situata në këtë fundvit, duke na paralajmëruar dhe edhe viti 2021 do jetë i mbushur me ngjarje të rëndësishme për vendin.
KALENDARI I NGJARJEVE QË U SHËNUAN GJATË 2020-ës
9 janar
Shqipëria merr Presidencën e OSBE-së
Shqipëria ka marrë zyrtarisht Presidencën e OSBE-së që do ta drejtojë përgjatë vitit 2020. Mëngjesin e së enjtes Edi Rama mbërriti në zyrën e kryetarit të OSBE-së në Vjenë, ku u prit nga Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Thomas Greminger. Edi Rama e konsideroi këtë një moment historik për Shqipërinë. “Është një ditë shumë e rëndësishme. Jam shumë krenar dhe ka një bashkëpunim shumë të mirë. Këtu kemi një ekip shumë të mirë me njerëz të nacionaliteteve të ndryshme”, tha Rama. Më pas kryeministri shqiptar mori fjalën dhe prezantoi programin dhe përparësitë e Shqipërisë në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së. Dialogu, ishte kryefjala e përparësive në fjalimin e kreut të qeverisë shqiptare, por edhe lufta kundër krimit, ekstremizmit, anti-semitizmit, dhunës ndaj grave, toleranca, etj. Një tjetër përparësi sipas tij është edhe nxitja e lirisë së shprehjes dhe medias. Rama tha se misionin do ta nisë nga Ukraina. 18 nga punonjësit në zyrën e OSBE-së janë shqiptarë ose 60% dhe 12 janë të huaj ose 40% e stafit prej të cilëve 2 italianë, 2 gjermanë, 2 norvegjezë, një austriak, një zviceran, etj. Kryeministri, njëkohësisht dhe Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, si dhe Kryetar i OSBE-së Edi Rama, do t’i paraqesë Këshillit të Përhershëm të OSBE-së përparësitë e Shqipërisë sot në Vjenë. Kryeministri Rama bëri edhe fotografitë tradicionale familjare të nisjes së misionit të drejtimit të OSBE; me ambasadorët e misioneve të vendeve anëtare në Vjenë; me shefat e misioneve në terren; me ekipin shqiptaro-ndërkombëtar të misionit tonë.
16 janar
Mblidhet Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore
Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore zhvilloi mbledhjen e tij të parë. Përfaqësuesit politik nga qeveria dhe opozita jashtë parlamentare u shprehën optimist për këtë mbledhje. Oerd Bylykbashi, i mandatuari i Partisë Demokratike për tryezën mes palëve për Reformën Zgjedhore deklaroi pas mbledhjes së parë të Këshillit Politik se opozita bëri të qartë prioritetet e saj lidhur me produktin final. Ai tha se shit-blerja e votës, presioni mbi zgjedhësit, keqpërdorimi i Policisë apo manipulimi i listave janë disa nga çështjet që opozita i ka me prioritet bazuar dhe në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore dhe i deleguari i Partisë Socialiste për të negociuar me opozitën jashtëparlamentare reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri u shpreh pas mbledhjes së parë të Këshillit Politik se prioritet i këtij grupi pune janë çështjet e administrimit zgjedhor, por nuk përjashtoi dhe ato të sistemit. Ai gjithashtu përgëzoi opozitën për vendimin e saj për t’u ulur në tryezë, duke theksuar se është i lumtur për këtë kthesë të madhe.
16 janar
E paprecedentë, Edi Rama padit kryeministrin Ramush Haradinajn për “shpifje”
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka paditur kryeministrin e Kosovës në largim Ramush Haradinaj, për “shpifje”. Rama padinë e ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në padinë 30 faqëshe pretendon se Haradinaj ka shpifur ndaj Ramës për deklaratat e tij që i ka dhënë në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve. Në këtë padi përmenden disa emisione të transmetuar,a në të cilat Haradinaj ka folur për këtë temë dhe e ka akuzuar Edi Ramën, që së bashku me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçin dhe Presidentin e Serbisë Aleksander Vuciç, kanë nisur idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njofton Betimi për drejtësi. Kryeministri i Kosovës në largim Ramush Haradinaj nga ana e tij, shkroi në rrjetin social facebook, se është në dijeni të raportimeve për padinë e kryeministrit Rama dhe do të përgatisë një përgjigje në padi.
16 shkurt
“Betimi i gjyqtarëve, PS shkel Kushtetutën”
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, publikoi dokumente të reja drejtuar SPAK-ut për të filluar hetimet mbi ato, që ai i quajti “veprimtaria kriminale e kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, gjatë detyrës së tij”. Sipas “Zërit të Amerikës”, këto dokumente, zoti Meta ia shtoi kallëzimit penal të nëntorit, ku zoti Dvorani akuzohet për shkelje që shkaktuan mosplotësimin e kuorumit të Gjykatës Kushtetuese, ndaj i “duhet ndaluar menjëherë shpërdorimi i funksionit publik, përmes të cilit ai synon kapjen politike të Gjykatës Kushtetuese”. Presidenti Meta tha dje në një deklaratë për mediat se “vendin e fundit vakant në Gjykatën Kushtetuese zoti Dvorani po përpiqet ta zërë vet përmes vonimin e procesit të plotësimit të kësaj Gjykate, keqinformimeve dhe shkeljeve në krye të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”. Presidenti Meta tha se parlamenti nga një anë ftoi Komisionin e Venecias të interpretonte mbi betimin e gjyqtarëve kushtetues, por një ditë para se delegacioni i tyre të mbërrinte në Tiranë parlamenti e ndryshoi vet atë nen të ligjit mbi betimin e gjyqtarit kushtetues, pa pritur përgjigjen nga Komisioni i Venecias.
17 shkurt
Bota jep mbi 1miliardë euro për rindërtimin e Shqipërisë pas tërmetit të 26 nëntorit
Mbahet Konferenca e Donatorëve në Bruksel në kuadër të ndihmës për Shqipërinë pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit të vitit të kaluar. Në konferencë morën pjesë 100 shtete, ku shuma e grumbulluar nga dhuruesit kanë arritur në 1.15 miliardë euro, ndërkohë që dëmet nga tërmeti janë llogaritur nga qeveria shqiptare në shifrën e 980 milionë euro, ndërsa rindërtimi kërkon rreth 1.08 miliardë euro. Në konferencë disa nga shtetet që dallojnë për shi frat e dhuruara në kuadër të ndihmës për rindërtim janë Italia me 65 milionë euro, Britania 1 milionë paund, Gjermania me 11 milionë lekë, Franca 100 milionë euro, etj. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von de Leyen është shprehur se BE-ja do të japë 100 milionë euro për Shqipërinë. Duke mos përfshirë 15 milionët që ka dhënë KE.
19 shkurt
“Të shpartallojmë grushtin e shtetit”, Ilir Meta thirrje shqiptarëve për protesta masive
Presidenti i Republikës Ilir Meta paralajmëron protestë masive më 2 mars. Në konferencën për mediat, Meta paralajmëroi një “Besëlidhje me popullin” dhe tha se institucionet në bulevardin Dëshmorët e Kombit do i kthehen popullit. “Pjesëmarrës në këtë grusht shteti është vetë qeveria dhe gjysmë-parlamenti. Së dyti, ka edhe persona të tjerë, që do të ketë padi të reja, çdo ditë do të ketë lajme për grushtin e shtetit. Do të marrim me qetësi çmontimin e plotë të grushtit të shtetit. Nëse kjo godinë, ky institucion është sot një kështjellë e vetme, për fat të keq, por e pamposhtur e mbrojtjes së demokracisë, nga data 2 mars kur do të firmoset dekreti i parë kundër grushtit të shtetit, përpara popullit në bulevard, ku do të lidhim një besëlidhje për të shpartalluar regjimin e oligarkëve, me qëllim shpopullimin e këtij vendi, duke e kthyer në një bazë operacionale të krimit të organizuar, por edhe shumë problemeve të tjera. Në 2 mars ju presim të gjithëve pasdite në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, falë popullit shumë shpejt, nuk do të ketë vetëm një institucion që është Presidenti në mbrojtje të Kushtetutës, por të gjithë këta institucionet që janë në bulevard do i kthehen popullit. Ata që kërkojnë popullin e presidentit të Ëhats app të përgatisin poturet e gjëra”, deklaroi Presidenti i Republikës Ilir Meta.
25 shkurt
Koronavirusi, Rama: Nuk ka vend për panik. Basha: Qeveria të marrë masa
Kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga opozita të mos bëjë politikë me koronavirusin. Në një reagim në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, kreu i qeverisë tha se po bashkëpunon me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe institucionet kanë marrë masa për çdo situatë. Ai tha se s’ka vend për panik dhe duhen ndjekur këshillat e miratuar nga OBSH. Ai shprehet se deri në këtë moment nuk kemi asnjë rast të prekur me koronavirus. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha pas komentit të kryeministrit Edi Rama i bëri apel qeverisë që të ndalë menjëherë propagandën dhe të marrë masa konkrete për kontrollin e qytetarëve që vijnë nga Italia, kryesisht nga rajonet ku corona virusi ka përhapjen më të madhe.
26 shkurt
“Së bashku për Shqipërinë”, Presidenca apel për 2 marsin: Jo grushtit të shtetit
Zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi akuzoi mazhorancën se po bën diversione për tubimin e 2 marsit. Përmes rrjeteve sociale, Blushi tha se reagimet e qeverisë janë të rëndomta dhe prandaj kërkoi që të gjithë qytetarët të jenë bashkë në protestë. “Të gjithë tellallëve të puçit kushtetues, që nxisin diversione të rëndomta për Manifestimin Mbarëkombëtar të 2 marsit do t’ju përgjigjesha vetëm me këtë arsye madhore për pjesëmarrje masive, që jep një personalitet i madh i kombit tonë dhe me integritet të jashtëzakonshëm, Kim Mehmeti: “Shqipëria e ka pru punën deri aty sa shtetin duhet ta mbrosh nga pushteti, gjë që u ndodh vendeve të marra peng nga strukturat kriminale. Dhe ato shtete janë pronë e regjimit e jo e popullit. Shqipëria prej moti është bërë pronë e ‘Rilindjes’ së Piktorit, ndërkaq shqiptarët në të janë si pengje të rrezikuar, që mëkot presin shpëtim nga vendet e Perëndimit”. Ndaj të gjithë për shtetin kundër puçit të pushtetit!”, shprehet zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi.
29 shkurt
“Rindërtimi”, Kryemadhi: Rama po tallet, asnjë i arrestuar për tërmetin
Nga Vlora, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi ka bërë një paraqitje të situatës që po kalon vendi dhe të sjelljes së kryeministrit Edi Rama dhe qeveruisë që ai drejton ndaj shqiptarëve. Teksa referon deklaratat në Kongresin e PS-së në lidhje me rindërtimin e zonave të dëmtuara nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit i vitit të kaluar, Kryemadhi deklaron se Rama arreston pensionistë dhe të pamundurit, ndërsa nuk ka asnjë të arrestuar nga shkaktarët e vdekjes së 51 shqiptarëve nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Kryemadhi theksoi se nuk ka asnjë të arrestuar për pallatet jashtë standardeve, apo asnjë kryebashkiak si përgjegjës për ndërtimet pa asnjë siguri.
29 shkurt
Edi Rama urdhër Kongresit: Dua 800 mijë vota në tavolinë për mandatin e tretë
Kryeministri Edi Rama që pas zbulimit të sloganit të Kongresit të PS-së “Edhe 1”, nuk e ka fshehur tashmë ambicien e tij për një mandat të tretë qeverisës. Dhe për ta realizuar këtë, nga foltorja e Kongresit të partisë së tij, ka urdhëruar rilindasit e kamufluar si socialistë që t’i sjellin atij 800 mijë vota në tavolinë, edhe pse ky vit nuk është elektoral. “Sot PS është me e fortë se çka qenë në 30 vite. Dua 800 mijë vota për mandatin e tretë të PS. Është shumë e lehtë të thuhet, shumë më e vështirë të bëhet. Për më tepër kur në rrugën e 8 viteve deri në momentin kur do të na duhet të kërkojmë 800 mijë vota ka nevojë për të pranuar dhe për të kuptuar se duhet edhe më shumë energji ndërkohë që një pjesë e energjisë është konsumuar”, urdhëroi Rama.
2 mars
Shqiptarët në krah të Presidentit në manifestim kundër dhunimit të Kushtetutës
Mijëra Shqiptarë u mblodhën të hënën e 2 marsit kundër qeverisë së majtë duke iu përgjigjur kësisoj thirrjes së Presidentit të Republikës Ilir Meta që e akuzon qeverinë “Rama” për shkelje të Kushtetutës dhe për lidhje me krimin. Manifestimi-protestë i Ilir Metës u mbështet edhe nga opozita, e cila kërkon zgjedhje të reja për të zgjidhur krizën politike. Nga ana e tij Presidenti Meta e akuzoi qeverinë e Edi Rames se ka shkelur Kushtetutën e vendit, duke tejkaluar fuqitë e saj, si dhe për marrjen e kompetencave të tij duke emëruar kandidatët për gjashtë vendet e lira në Gjykatën Kushtetuese prej nëntë personash. Tensionet politike vijnë ndërsa Shqipëria ka miratuar reforma me shpresën për të marrë një dritë jeshile për të filluar bisedimet e anëtarësimit në BE, një mision ky i dështuar me plot sukses nga ana e Edi Ramës dhe [pinjollëve të tij në kabinetin qeveritar. Që nga marrja e postit tre vjet më parë Meta, ka qenë gjithnjë një kundërshtar i zëshëm i qeverisë. Dhe nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Presidenti Meta ndërmori në shesh së bashku me mijëra qytetarë që i ishin përgjigjur thirrjes së tij, tre akte. I pari ishte kthimi pas i ligjit të kaluar në Kuvend për betimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, hodhi në votim nëse turma donte që të shpërndante Kuvendin, dhe u betua në flamur, se do ta çonte deri në fund vullnetin e qytetarëve. Meta tha se do të shpërndante Kuvendin në rast se mazhoranca nuk reflekton deri në datën 15 Mars, kur është dhe afati i palëve për Reformën Zgjedhore, që është dhe një kusht për negociatat e Shqipërisë. Ishte turma ajo që iu përgjigj me ovacione të shumta thirrjes së Metës për shpërndarjen e Kuvendit. Presidenti sfidoi mazhorancën kur tha se do të shkojë në Kuvend, për ta firmosur nga aty shpërndarjen e parlamentit, që prej kohësh nuk ka kuorumin që parashikon Kushtetuta, prej 140 deputetësh. “Zëri i popullit është zëri i Zotit, shqiponjat fluturojnë vetëm lart. Falënderimi më i përzemërt shkon për bashkatdhetarët tanë që kanë ardhur nga e gjithë bota”, u shpreh dje Presidenti Meta.
9 mars
Koronavirusi pushton Shqipërinë, Rama: Mbyllen shkollat, aeroportet dhe tragetet
Shqipëria konfirmoi dy rastet e para me koronavirus. Një 28-vjeçar shqiptar që ishte në Itali është kthyer nga Firence i infektuar, duke e kaluar virusin edhe tek babai i tij. Që të dy ata ndodhen të izoluar tek Infektivi, ndërsa po analizohen edhe kontaktet e tyre të afërme. Si masa të marra nga qeveria rendisim mbylljen e shkollave për 2 javë, pezullimin e lundrimeve dhe fluturimeve deri më 3 prill, si edhe ndërprerjen e aktiviteteve kulturore, sportive, tubimeve, operacioneve të planifikuara. Qeveria në një mbledhje të jashtëzakonshme të mbajtur në orët e para të së hënës dhe vetëm pak orë nga konfirmimi i koronavirusit në Shqipërisë, vuri në lëvizje masat e planifikuara pas shfaqjes së rastit të parë të koronavirusit, sipas protokollit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Dhe në kuadër të masave të qeverisë për evidentimin dhe parandalimin e koronavirusit në vendin tonë, kryeministri Rama deklaroi se do të mbyllen institucionet arsimore për një periudhë dy javore, si dhe do të ndërpriten lidhjet direkte ajrore apo detare me veriun e Italisë deri në datën 3 prill.
11 mars
Koronavirusi, Rama nxjerr ushtrinë
Nisur nga shkalla e ulët e ndërgjegjësimit të qytetarëve në raport me daljet në publik, kryeministri Edi Rama nëpërmjet një postimi në Facebook, ka urdhëruar mbylljen e të gjitha restoranteve, bareve, klubeve në Tiranë dhe Durrës. Më pas në një komunikim po përmes rrjeteve sociale nga zyra e tij, Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se do të vendosen postblloqe të Policisë së Shtetit dhe Ushtrisë në të gjitha rrugët e Tiranës, për të kontrolluar të gjitha makinat, nëse ka persona të ardhur 14 ditët e fundit nga Italia ose Greqia dhe që nuk qëndrojnë të karantinuar nga frika e koronavirusit. Kreu i qeverisë paralajmëroi se nëse do të kapet ndonjë person i kthyer, që lëviz i lirë nëpër Tiranë, do të gjobitet me 5 mijë euro dhe nuk do të lejohet të dalë më jashtë vendit pa paguar këtë gjobë.
19 prill
Plani me 5 pika i emergjencës, Basha: Izolimi na kushton më shumë se rritja e testimeve
Kryedemokrati Lulzim Basha publikon planin me 5 pika të emergjencës ndaj koronavirusit, ku deklaron se vetëm rritja e numrit të testimeve mundëson identifikimin real të të prekurve dhe frenimin e përhapjes së virusit. “Izolimi i qytetarëve dhe bllokimi i ekonomisë na kushton qindra herë më shumë se rritja e numrit të testimeve”, shprehet Basha përmes reagimit të tij në rrjetet sociale. Ndërkaq, në vijim, kreu i PD-së publikoi dhe planin me e emergjencës së krijuar nga përhapja e pandemisë së koronavirusit. Sipas Bashës 5 janë pikat kryesore të këtij plani: sa më shumë testime; gjurmimi i burimit dhe i kontakteve; mbështetje për shëndetësinë; matjet dhe menaxhimi i situatës; si dhe tranzicioni drejt hapjes së ekonomisë.
23 prill
Kuvendi miraton shtyrjen e gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore deri në qershor
Kuvendi ka miratuar këtë të enjte shtyrjen e Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore deri më datë 23 qershor. Me 91 pro, 5 kundër dhe 36 abstenim u miratua vendimi i qeverisë për shtyrë masat deri në fund të qershorit për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi. Kërkesa e qeverisë për të shtyrë gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore deri në 23 qershor do të shkaktonte debate në radhët e deputetëve të opozitës, të cilët e kanë konsideruar si një masë të panevojshme dhe të pakoordinuar me ekspertët. Seanca u shoqërua me akuza dhe kundër akuza mes deputetëve të pranishëm në sallë. Deputetët e opozitës në sallë theksuan se qeveria po vepron pa pasur një plan konkret për përballimin e situatës duke improvizuar, ndërsa Taulant Balla dhe deputetët e tjerë të PS theksuan se shtyrja është e nevojshme është në shërbim të një kontrolli më të plotë të situatës.
8 maj
Qeveria ia kalon Teatrin Kombëtar në pronësi të bashkisë, Opozita: Akt lufte ndaj artit
Në mesin e pandemisë kur shqiptarët janë futur fundjavës së radhës nën shtetrrethim, qeveria ka miratuar një VKM, në të cilën kryeministri Edi Rama ia kalon truallin e Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Partia Demokratike akuzoi qeverinë se ka miratuar një vendim kriminal, që lidhet me Teatrin Kombëtar. Teksa publikon VKM-në e qeverisë, PD thekson se Rama i ka kaluar truallin e Teatrit Kombëtar Bashkisë së Tiranës, që drejtohet nga Erion Veliaj. Ish-deputetja Jorida Tabaku shprehet se kryeministri Rama po e trajton pasurinë kulturore si plaçkë lufte. Pas Tabakut, një tjetër reagim i fortë do të vinte edhe nga vetë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili e quan këtë vendim të Qeverisë “Rama”, si një akt lufte ndaj artit. Lidhur me këtë ka reaguar edhe nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili. “Karantina dhe Pandemia po përdoren për të grabitur e rrëmbyer Teatrin Kombëtar! Çdo reagim, protestë, refuzim demonstrim në çdo formë është legjitim. Pandemia dhe karantina politike po përdoren për të mbuluar grabitjet e mëdha qeveritare. Shëndeti i njerëzve po përdoret si alibi për vjedhjen e pronës publike”, tha Vasili.
13 maj
Bashkia provokon me Teatrin, artistë dhe qytetarët në mbrojtje të godinës
Policia bashkiake i ka kërkuar pasditen e së mërkurës artistëve të lirojnë ambientet e Teatrit Kombëtar. Veprimi është ndërmarrë pas marrjes së pronësisë nga qeveria, çka ka sjellë rikthimin e tensioneve mes artistëve. Policia bashkiake u ka bërë fakt të kryer kalimin e Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë. Madje për të ngritur edhe më shumë tensionet me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, shkresa i është dorëzuar protestuesve, me një procesverbal të posaçëm. Ky veprim ka sjellë dhe një reagim të menjëhershëm të mbrojtësve të Teatrit Kombëtar. Për artistët asgjë nuk i ndal nga mbrojtja e ndërtesës ku nisën dhe u rritën qindra aktorë. Regjisori, Edmond Budina, ishte i ashpër ndaj këtij veprimi duke i bërë thirrje kryebashkiakut të mos provojë ndërsa apeloi qytetarët të ngrihen në mbrojtje të Teatrit. Prej më shumë se dy vitesh protestojnë në mbrojtje të teatrit. Pak muaj më parë Bashkia u tërhoq nga ndërtimi përmes një kompanie që do të merrte dhe lejet për pallate shumëkatëshe, por sërish kërkohet shembja dhe investimi me fondet e buxhetit të shtetit. Përmes një deklarate, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit bëri me dije se policia bashkiake bëri një përpjekje për t’u futur në Teatrin Kombëtar. Sipas, Aleancës, rreth orës 17:00, një grup prej 20 personash, 5 policë bashkiake dhe 15 civilë, beri përpjekje për të hyre në godinën e Teatrit Kombëtar, me qëllim lirimin e pronës së bashkisë Tiranë. Ndërkohë, aleanca shton se në ambientet e Teatrit ishin disa qytetarë, ndërsa dhjetëra të tjerë nxituan për të shkuar te Teatri në mbrojte të tij.
17 maj
Shembet Teatri Kombëtar në Tiranë
Policia e Shtetit nisi në orët e para të mëngjesit shembjen e Teatrit Kombëtar, i konsideruar si pjesë e trashëgimisë kulturore europiane nga Forumi ” Europa Nostra” dhe një nga 7 objektet e rrezikuara të marra në mbrojtje prej tij. Qytetarë të Tiranës dhe mbështetës të opozitës jashtë parlamentare po protestojnë kundër shembjes dhe përplasen me forcat e shumta policore ne mjediset rreth Teatrit Kombëtar. Lëvizja “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit”, e krijuar në vitin 2018 thanë se para shembjes policia nxori nga mjediset e teatrit artistët që prej më shumë se një jave ruanin teatrin duke paralajmëruar rrezikun e një përplasjeje civile. Para mbërritjes së mjeteve të rënda “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit”, iu drejtua faktorit ndërkombëtar të pranishëm në Tiranë, delegacionit të BE, ambasadorëve të vendeve të tij të akredituar në Shqipëri dhe Presidentit Meta të ndalonin shembjen. Teatri Kombëtar u ndërtua nga arkitektë italianë dhe u inaugurua në vitin 1938, në prag të pushtimit fashist të Shqipërisë. Artistët kërkonin rinovimin e tij dhe ruajtjen e ndërtesës si pjesë e trashëgimisë dhe traditës kulturore të Shqipërisë. Shembja e Teatrit Kombëtar erdhi pas vendimit të Qeverisë për ta kaluar administrimin e tij nga Ministri ae Kulturës tek Bashkia e Tiranës. Protesta vazhdon me thirrje për rrëzimin e qeverisë “Rama” dhe parullën “Poshtë Diktatura”.
18 maj
Wadepuhl: Teatri rrezikon negociatat! Nxitimi dhe dhuna më trishtuan
Politikani gjerman dhe deputeti i CDU në Bundestag, Johann Wadepuhl ka shprehur qartë zhgënjimin për nxitimin e shembjes së Teatrit Kombëtar si dhe për dhunën e ushtruar gjatë rezistencës. Përmes rrjeteve sociale dhe pasi është njohur me ngjarjet në Tiranë, Wadepuhl thotë se është një mbështetës i fortë perspektivës europiane të Shqipërisë, por tani ai vë në dyshim negociatat. Ai tashmë shtron një pyetje se a kishin të drejtë të gjithë kundërshtarët e tij në disa parlamente kombëtare, kur ata refuzuan “Po”-në e tyre për fillimin e negociatave me Shqipërinë. “Si një mbështetës i fortë i perspektivës europiane të Shqipërisë. Prishja e Teatrit Kombëtar, nxitimi dhe dhuna më lanë të zhgënjyer dhe të trishtuar. A kishin të drejtë të gjithë kundërshtarët e mi në disa parlamente kombëtarë, kur ata refuzuan “po” e tyre për fillimin e negociatave?”, u shpreh në reagimin e tij, deputeti i CDU-së në Bundestag, Johann Wadepuhl.
18 maj
Presidenti Meta: Hetim ndërkombëtar për prishjen e Teatrit
Presidenti Ilir Meta deklaroi se mbështet hetimin ndërkombëtar për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar. Në një reagim nëpërmjet rrjeteve sociale, duke marrë shkas nga incidenti në protestën e artistëve, kreu shtetit u bëri thirrje qytetarëve që ishin në shesh në protestë që të mos i përgjigjeshin dhunës me dhunë. “Mbështes fuqimisht një hetim ndërkombëtar për shkatërrimin antikushtetues, të paligjshëm dhe në mënyrën më anti-europiane të Teatrit Kombëtar. Gati të bashkëpunoj me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, si dhe me çdo institucion europian dhe ndërkombëtar për Kulturën. Europa dhe bota demokratike po e kupton edhe me qartë se ç’po ndodh këtu. Mos iu përgjigjni dhunës me dhunë, por me besim te Demokracia dhe Triumfi i saj mbi talebanizmin dhe oligarkinë”, u shpreh në apelin e tij Presidenti Ilir Meta.
19 maj
Kryemadhi: Mosbindja civile, detyrë e shenjtë kur shteti bëhet i paligjshëm
Pas shembjes së Teatrit Kombëtar, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka bërë thirrje për mosbindje civile. Në një reagim nëpërmjet rrjeteve sociale, Kryemadhi ka cituar mendimtarin indian Mahatma Gandhi. “Mosbindja civile kthehet në një detyrë të shenjtë kur shteti bëhet i paligjshëm ose i korruptuar. Dhe një qytetar që pajtohet me një shtet të tillë, bëhet pjesë e korrupsionit dhe paligjshmërisë së tij”, thuhet në mesazhin e përcjellë ditën e djeshme nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.
19 maj
Ndërkombëtarët për Teatrin: Mund të pezullojmë negociatat dhe fondet për Shqipërinë
Shembja brutale e Teatrit Kombëtar ka shkaktuar mjaft reagime të forta nga ndërkombëtarët. BE ka thënë në mënyrë të qartë se nëse nuk ka një dialog mes palëve mund të mendohet një pezullim i negociatave apo edhe fondeve për Shqipërinë. Nënkryetarit të grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag, Johann Ëadephul është shprehur se shembja e godinës, nxitimi dhe dhuna e zhgënjyen. “A kishin të drejtë të gjithë kundërshtarët e mi në disa parlamente kombëtarë, kur ata refuzuan “po-në” për fillimin e negociatave?”, shtroi pyetjen Ëadephul. Komisioni Europian ka pranuar rrëzimin e thirrjes për dialog, ndërsa shtoi se ky vendim është marrë në mungesë të Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu ajo theksoi se përgjigja e marrë për këtë situatë ka të bëjë me dënimin, që kjo thirrje për dialog nuk u dëgjua as nga qeveria shqiptare as nga Bashkia e Tiranës.
21 maj
Rama në delir mesazh artistëve: Harruan se kë kishin përballë!
Në një fjalim në Kuvend përballë deputetëve kreu i qeverisë Edi Rama e pranoi hapur se ai nuk ka ndërmend që të bëjë konsensuse në politikë, sado që të lodhen të tjerët. Duke folur për prishjen e Teatrit Kombëtar, Rama tha se ata që qëndruan për më shumë se dy vite në mbrojtje të tij, nuk e kishin kuptuar se kë kishin përballë. “Habitem si nuk na kanë njohur akoma dhe nuk na njohim akoma. Habitem si nuk doni të kuptoni që ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi”, tha Rama. Kryeministri e nënvizon me vija të trasha në fjalimin e tij që ndodhet në politikë për suksesin e bindjes së tij. Dhe pikërisht shembja e Teatrit është suksesi i tij, një bindje që e ka zanafillën që para 21 vitesh. Shefi i mazhorancës zgjodhi që reagimet e shumta kundër procedurës së ndjekur, të mos i mbante vetëm në kurrizin e tij, duke i kujtuar planin për truallin e Teatrit Kombëtar kur Rama kryebashkiak. Kryeministri deklaroi se godina e Teatrit Kombëtar do të rilindë, por në një vend tjetër dhe për qëllim tjetër.
29 maj
Komicioni i Venecias: Presidenti kishte të drejtë me emërimet në Kushtetuese
Komisioni i Venecias dërgoi versionin final të opinionit që pritet të miratohet në Qershor, lidhur me debatin midis Presidentit dhe mazhorancës për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Edhe pse krahasuar me draft opinionin e muajit Mars, duket që mazhoranca ka ndërhyrë dhe ka arritur ta zbusë disi qëndrimin e Komisionit të Venecias, përsëri konkluzioni mbetet i njëjtë: Presidenti i Republikës kishte të drejtë. Zyrtarisht Komisioni i Venecias konfirmon se Presidenti me aktin e tij të 5 nëntorit 2019, kishte pezulluar procedurën e emërimit para skadimit të afatit 30 ditor të përcaktuar me ligj. Pavarësisht se një pezullim i tillë nuk parashikohet me ligj, ai ishte një reagim ndaj një situate të pasigurisë juridike, e cila nuk mund të zgjidhej në mungesë të Gjykatës Kushtetuese. Pezullimi tregoi se Presidenti ende dëshironte të ushtronte kompetencën e tij të emërimit, që ai gëzon në bazë të Kushtetutës, dhe këtë e vërtetoi me emërimin e një kandidati menjëherë pas zgjedhjes së kandidatit të Kuvendit. Nën këto rrethana, logjika juridike e dispozitës përkatëse nuk u zbatua dhe duket se është e arsyeshme të pranohet emërimi me vonesë i një kandidati të dytë nga Presidenti. Prandaj duket e arsyeshme që Presidenti nuk pranoi të betohej gjyqtari që pretendohej se ishte paracaktuar nga aplikimi i mekanizimit zhbllokues. Ndryshe nga sa pretendonte Partia Socialiste, në raportin me 22 faqe, nuk evidentohet asnjë shkelje e Kushtetutës dhe ligjit nga ana e Presidentit të Republikës Ilir Meta. Përkundrazi, Komisioni i Venecias i ka dhënë të drejtë Presidentit edhe për kthimin që i bëri ligjit për procedurën e re të betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke rikonfirmuar se ndryshimet e Partisë Socialiste bien ndesh me Kushtetutën. Kujtojmë këtu që ai projektligj u rikthye për shqyrtim nga Presidenti në Kuvend, gjatë mitingut të datës 2 Mars.
1 qershor
Ndërkombëtarët vihen në lëvizje për zgjedhoren: Koha të mbani fjalën, jo kushte të reja
Sapo skadoi afati i 31 majit për reformën zgjedhore pa marrëveshje, ambasadorët janë vënë në lëvizje për të rikthyer palët në tryezën e Këshillit Politik. Shefi i delegacionit të BE dhe Britanisë së bashkuar i kërkojnë palëve që të përmbyllin reformën zgjedhore pasi nuk ka më kohë, ndërkohë që mesazhi i ambasadores amerikane Yuri Kim ishte më i drejtpërdrejtë. “Ju e caktuat afatin e 31 maji. Tani është koha që të ndaloni insistimin në kërkesa të pazbatueshme dhe të mos vendosni më kushte të reja”, u shpreh diplomatja amerikane duke sjellë interpretime të ndryshme nga politika. Pas SHBA-së mesazhin për gjetjen e një marrëveshjeje të menjëhershme nga Këshilli Politik është përcjellë edhe nga Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca. Edhe ambasadori i Britanisë, Duncan Norman bëri apel për gjetjen e dakordësisë.
5 qershor
Nënshkruhet marrëveshja: Zgjedhjet e ardhshme me identifikim biometrik
Kur kishin kaluar tre ditë nga deklarata e ambasadores Kim, është arritur dhe marrëveshja e shumë-kërkuar nga ndërkombëtarët mes palëve për Reformën Zgjedhore. Këshilli Politik arriti dakordësinë për administrimin e zgjedhjeve. Po ashtu, palët pranuan përfshirjen 100% të identifikimit elektronik të votuesve në zgjedhje. Kjo shihet si mundësia më e mirë për të ndaluar votimin në shumë se një herë. Palët zgjidhën edhe çështjen që mbajti pezull dakordësinë për 4 ditë, atë të përbërjes së komisioneve zgjedhore. PS-ja u tërhoq nga depolitizimi i administratës zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme. PS e mori këtë vendim të papritur, pasi opozita kërkoi që administrata publike të jetë e përjashtuar, sipas një formule të propozuar nga BE-ja. Pjesë e dakordësisë mes palëve për administrimin zgjedhor është edhe riformatimi i KQZ-së. Ky do të jetë një organ i ndarë në tre trupa të balancuara politike, ku kryetari zgjidhet me konsensus, ndërsa nënkryetari nga opozita. Ndërkaq, Puna e Këshillit Politik nuk ka mbaruar. Puna do të vijojë për çështjet e tjera në Këshill, që nuk kanë të bëjnë me administratën zgjedhore. Palët kanë ranë dakord që Parlamenti të mos e ndryshojë dot draftin pa pëlqimin e palëve në Këshillin Politik. Rol kyç në dakordësinë mes palëve ka pasur Komisioni Europian. Ndërkaq, detajet më të hollësishme do të jepeshin nga palët pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Politik, ku ishin të pranishëm edhe ambasadorët e përfshirë në këtë operacion diplomatik.
5 qershor
“Venecia” tjetër “shuplakë” Ramës për “anti-shpifjen”: Frenon fjalën e lirë të mediave
Komisioni i Venecias duket se i ka dhënë një “shuplakë” tjetër mazhorancës, pasi i dha të drejtë Presidentit Ilir Meta për emërimet në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Ky komision ka “goditur” ligjin anti-shpifja, ku në draft-raportin për këtë çështje sugjeron se qeveria duhet ta rishikojë këtë paketë ligjore. “Problemet e identifikuara nga autoritetet mund të jenë serioze, por mjetet ligjore të futura në amendamentet e draftit mund të bëjnë më shumë dëm sesa mirë për lirinë e shprehjes në Shqipëri, për sa i përket mediave në internet”, thuhet në draft-opinion. “Venecia” në draft-raport pohon se mendimet e këtij ligji për shërbimet e medieve audiovizive, në versionin aktual, nuk janë gati për t’u zbatuar. Komisioni i Venecias i sugjeron qeverisë shqiptare që të rishikojë paketën antishpifje, për të cilën Këshilli i Europës kërkon mendimin e këtij institucioni. Komisioni i Venecias konsideron se draft-amendamentet e ligjit për shërbimet audiovizive nuk janë gati për zbatim në variantin aktual. Ligji vuan nga paqartësitë dhe mund të ketë një efekt frenues të fjalës së lirë dhe fjalimit politik në Shqipëri. Venecia vëren se Autoritetit të Medias Audiovizive i jepen fuqi të mëdha administrative për median “online”, prandaj kërkohet të rishikohet formula e përzgjedhjes së AMA-s dhe Komitetit të Ankesave.
10 qershor
Rama nxit deputetët e opozitës në Kuvend që mos ta votojnë marrëveshjen
Opozita parlamentare dhe kryeministri Edi Rama nuk gjetën dot gjuhën e përbashkët për të votuar reformën zgjedhore në Parlament. Pas një takimi që zgjati dy orë dhe që u mbajt në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, kreu i qeverisë tha se nuk u gjet dakordësi pasi opozitarët parlamentarë ndjehen të fyer, duke i nxitur në këtë mënyrë që të jenë ata që do ta bllokojnë marrëveshjen politike për zgjedhjet e ardhshme që u arrit me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve. “Natyrisht nuk gjetëm dakordësi. Në fakt unë i nënkuptoj përfaqësuesit e opozitës parlamentare, ndihen të përjashtuar, të fyer, për faktin që pasi janë denigruar dhe janë fyer në mënyrë sistematike nga ata që i kanë sjellë në parlament me firmat e tyre. Gjenden përpara nevojës për të respektuar një marrëveshje që e konsiderojnë të padenjë dhe mbi të gjitha detyruese nga jashtë parlamentit, për parlamentin. E di që është vetëvrasje për ta nëse e votojnë! Megjithatë, ajo që mendoj se është e rëndësishme, është që të vazhdojmë të diskutojmë. Më vjen keq që dëgjova në tryezë akuza edhe për tentativa për blerje, apo për influenca jo korrekte mbi deputetët. Akuzat ishin në bllok për ata që janë jashtë, por edhe në adresën tonë, dhe unë ju sigurova që ne nuk do të shkojmë në rrugën e një zgjidhjeje, ku thjesht dhe vetëm do të kërkojmë aritmetikën, por do të shkojmë në rrugën e një diskutimi, për të krijuar kushtet e një dakordësie”, u shpreh Rama. Edi Rama u shpreh i prerë se me këtë Kod Zgjedhor nuk mund të shkohet në zgjedhjet e ardhshme.
14 qershor
Rritja e rasteve me Covid-19, LSI: Rama të japë dorëheqjen dhe të ndiqet penalisht
Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon zyrtarisht dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe nisjen e hetimeve ndaj tij, pas situatës së frikshme që po shkakton ditët e fundit përhapja e koronavirusit në Shqipëri. Deklarata vjen nga nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili, i cili e sulmoi ashpër kryeministrin Edi Rama, duke e ngarkuar me përgjegjësi për rritjen e numrit të personave të prekur nga COVID-19. Vasili deklaroi se Edi Rama duhet të japë dorëheqjen dhe të ndiqet penalisht, pasi sipas tij, “suksesi madhështor” i kryeministrit pas izolimit idiot dy muaj e gjysmë, është rritja me 211%.
17 qershor
PD jep alarmin, Paloka: Po kërkohet dështimi i reformës
Pas bllokimit të konsensusit për reformën zgjedhore, opozita akuzon kryeministrin Edi Rama se kërkon dështimin e reformës së arritur në selinë e ambasadës së SHBA-së në Tiranë. Një ditë pas krisjes se konsensusit mes mazhorancës dhe opozitës, Partia Demokratike është e bindur se kryeministri Edi Rama po kërkon dështimin e reformës zgjedhore. Nënkryetari i demokratëve, Edi Paloka, thotë se Kryeministri si fillim kërkoi të kapë administratën zgjedhore, më pas përdori deputetët që kanë marrë mandatet e PD e LSI për të hequr koalicionet, e tani kërkon të ketë nën urdhrat e tij Komisionin e ri të Zgjedhjeve. “Ka filluar prapë historinë në Këshillin Politik me KQZ-në, i cili kërkon ta ketë totalisht të vetin. Nuk është opozita, por është Rama, ai i cili nuk e ka dashur që në fillim reformën zgjedhore. Vazhdon çdo ditë të bëjë tentativa që, ose ta kapë Kodin e Ri zgjedhor dhe të marrë garanci që nuk duhet t’i ketë ai, por duhet t’i ketë opozita për pushtetin, ose ta prishë fare”, u shpreh nënkryetari i PD-së. Paloka i quan lojë edhe deklarimet e kryeministrit se nuk i ka votat për reformën zgjedhore. Sipas tij deputetët që kanë kushtëzuar votën për reformën me ndryshimin e sistemit, janë pjesë e lojës së mazhorancës.
19 qershor
Venecia “shuplakë” Ramës për “antishpifjen”: Me ligj po tentohet të shtypet diskutimi i lirë
Komisioni i Venecias ka rrëzuar në draft- opinionin e plotë paketën e Edi Ramës për “anti- Shpifjen”, duke theksuar se ajo nuk është gati për miratim. Komisioni konsideron që projektligji nuk është gati për miratim në formën e tyre aktuale. “Ligji vuan nga paqartësia dhe ka të ngjarë të ketë një “efekt të ftohtë” duke shtypur diskutimin e lirë dhe fjalimin politik në sektorin shqiptar të internetit”, thuhet në opinion. Po ashtu, “Venecia” shprehet se duhet një rishikim i thellë i draftit të hartuar nga mazhoranca, pasi edhe problemet e evidentuara nga autoritetet shqiptare janë serioze. Komisioni i Venecias ka kritika edhe për përzgjedhjen e anëtarëve të AMA-s dhe Komitetit të Ankesave dhe kompetencave që i shtohen asaj, pasi shkruan se nuk dihet nëse do ketë një rol pozitiv, si dhe duhet një tjetër mekanizëm për një përbërje pluraliste të anëtarëve të AMA-s dhe Komitetit të Ankesave. Në fund, “Venecia” kërkon një rishikim të thellë ose ky ligj mund të bëjë më shumë dëm se sa mirë, sa i përket lirisë së shprehjes.
30 qershor
Ia refuzoi kategorikisht takimin, Rama bën pas, tërheq padinë ndaj Ramush Haradinajt
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka refuzuar kategorikisht një takim me kryeministrin Edi Rama, i cili ndodhej prej dy ditësh në një vizitë në Prishtinë. Ka qenë vetë Haradianaj që ka treguar se pse ka refuzuar takimin kokë më kokë me kryeministrin shqiptar, ndërsa theksoi se nuk do të kishte logjikë që ata të takoheshin, në një kohë kur Rama e ka paditur në gjykatë. “Është e pamundur me u takua i padituri me paditësin. Kjo s’ka kurrfarë logjike. Nuk ndihem mirë që si i paditur të takohem me askënd e as me zotin Edi Rama”, tha ai. Haradinaj tha se me Ramën tashmë ka një konflikt ligjor në aspektin paditës dhe i paditur. “Nuk kam mundësi që në këtë rast të bëjë lëshime”, deklaroi Ramush Haradinaj. Pas këtyre deklaratave të forta, Edi Rama në konferencën për shtyp nga Kosova në përmbylljen e takimeve dy ditore me krerët e politikës në Prishtinë të nxitur nga Gjykata Speciale që kërkoi procedimin e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për llogari të Hagës, deklaroi se e ka tërhequr padinë ndaj ish-kryeministrit kosovar, Ramush Haradinaj.
7 korrik
PPE: Çdo tentativë e PS për ndryshime të njëanshme shkon kundër konsensusit
Marrëveshja për reformën zgjedhore duket se ka marrë edhe “bekimin” e Partisë Popullore Europiane (PPE), e cila ka uruar këtë konsensus. Gjithashtu ajo u ka kërkuar palëve që të miratojnë sa më shpejtë këtë draft në mënyrë që të bëhen përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme. Përmes një mesazhi të përcjellë në rrjetin social “Facebook”, eurodeputeti gjerman Michael Gahler i tërhoqi vëmendjen mazhorancës që çdo tentativë për të bërë ndryshime të tjera të njëanshme do të jenë kundër konsensusit.
10 korrik
Rama shkel marrëveshjen e 5 qershorit: Të hapen listat, ndalojmë koalicionet
Pavarësisht se mazhoranca shprehu vullnetin për t’i qëndruar marrëveshjes për reformën zgjedhore dhe për votimin e saj më 23 korrik, gjatë seancës parlamentare së enjtes, ato i propozuan opozitës parlamentare një konsensus për të marrë votat e tyre në shkëmbim të ndryshimeve kushtetuese për listat e hapura. Kjo lojë me dy porta e Partisë Socialiste për reformën zgjedhore, brenda dhe jashtë parlamentit ka çuar ambasadoren e ShBA-së në vendin tonë, Yuri Kim në Parlament, aty ku zhvilloi një takim me kreun e grupit parlamentar socialist Taulant Balla. Në këtë mënyrë duke iu përgjigjur dhe mesazheve të forta që vijnë nga kancelaritë e mëdha, edhe ambasadorët e SHBA-së dhe vendeve të BE-së kanë rritur presionin ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama për miratimin e reformës zgjedhore. Dhe për t’i dhënë përgjigje të gjitha dilemave lidhur me këtë reformë, kryeministri Edi Rama lajmëroi daljen para medieve në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp. Vetëm pasi Kodi Elektoral siguroi votat e nevojshme për miratim në Kuvend, kryeministri Edi Rama u deklarua për hapjen e listave. Rama mohoi që ndryshimet vinë si rezultat i kalkulimeve elektorale të socialistëve. “PS është partia më e madhe e shqiptarëve sot. Pas një viti kur të bëhen zgjedhjet të shohim. Opozita jashtëparlamentare ndihet e kërcënuar nga hapja e listave, ndoshta kanë të drejtë por nuk mund të marrin gjithçka. PS që është forca më e madhe dhe ka të drejtën të ketë ndonjë dëshirë në këtë proces”, deklaroi Rama.
10 korrik
BE kundër Ramës: Zgjedhorja vetëm sipas marrëveshjes së 5 qershorit
Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian Oveli Varhelyi i është përgjigjur ashpër tentativës së mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama për të devijuar nga marrëveshja politike e 5 qershorit për reformën zgjedhore. Paralelisht me konferencën e shtypit që Rama po zhvillonte në Tiranë, zyrtari i lartë i BE-së deklaroi dje përmes rrjeteve sociale se është rëndësishme që reforma e rënë dakord në 5 qershor të miratohet nga Parlamenti në seancën e tij të radhës, për të lejuar zbatimin e shpejtë të dispozitave të reja përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të ardhshëm.
14 korrik
Opozita e Bashkuar: Rama po hedh në erë të ardhmen europiane të Shqipërisë
Opozita e bashkuar ka reaguar pas miratimit të ndryshimeve Kushtetuese në Komisionin e Ligjeve nga ana e socialistëve të urdhëruar nga kryetari i tyre Edi Rama. Në reagimin e koalicionit të opozitës thuhet se kryeministri Edi Rama po tenton të prish dakordësim që palët politikën arritën më 5 qershor për reformën zgjedhore. Po ashtu, në reagim thuhet se ky akt minon procesin e integrimit europian të vendit dhe dëshmon përpara opinionit publik, se Edi Rama për pushtetin e tij personal është në gjendje të hedh në erë të ardhmen europiane të Shqipërisë. “Tentativa për prishjen e Dakordësisë së 5 Qershorit, të arritur me mbështetjen dhe ndërmjetësimin e plotë të partnerëve strategjikë SHBA – BE, është përgjegjësi vetëm e Edi Ramës. Ky akt minon procesin e integrimit europian të vendit dhe dëshmon përpara opinionit publik, se Edi Rama për pushtetin e tij personal është në gjendje të hedhë në erë të ardhmen europiane të Shqipërisë. Çdo lojë e pisët për të ndryshuar në mënyrë të fshehtë dhe të njënashme Kushtetutën nga njeriu që është i tmerruar nga zgjedhjet dhe vullneti i qytetarëve, është dëshmi e fundit të tij të pashmangshëm. Ky akt rikonfirmon se Edi Rama është një mashtrues tinzar që, për pushtetin e tij, shet interesat e vendit dhe të shqiptarëve, rrënon procesin e integrimit europian dhe izolon Shqipërinë, duke kërcënuar rëndë stabilitetin politik dhe shoqëror të vendit”, deklaroi Opozita e Bashkuar.
15 korrik
BE mesazh të fortë PS-së: Propozimet shtesë, s’janë rekomandime të OSBE-së
Votimi i marrëveshjes së 5 qershorit për reformën elektorale është konsideruar kusht për negociatat e integrimit. Me këtë mesazh të dhënë, ambasadori i BE-së Luigi Soreca, i ka konsideruar ndryshimet e Kushtetutës si tejkalim i këtij pakti. Duke saktësuar se për këtë duhej të ishin zhvilluar konsultime, ai thekson se për to duhet gjetur mekanizmi gjithëpërfshirës. Në ditën që Tirana ziente nga zhvillimet politike, zëri zyrtar i Bashkimit Europian në Shqipëri, Soreca u ka bërë thirrje që të zbatojnë marrëveshjen e 5 qershorit duke e votuar sa më shpejt në Kuvend. “BE e ka mirëpritur marrëveshjen e 5 Qershorit. Ka qenë proces gjithëpërfshirës. Është thelbësore që kjo marrëveshje të miratohet. Ky është prioriteti kryesor. Ndaj ftojmë parlamentin që ta votojë”, tha Soreca, duke shtuar se pa reformën zgjedhore nuk ulen në një tryezë me BE-në.
21 korrik
Rama “blen” opozitën parlamentare, firmoset pakti për ndryshimin e Kushtetutës
Arrihet marrëveshja për reformën zgjedhore mes maxhorancës dhe opozitës parlamentare. Draft-marrëveshja e plotë mes palëve, ku opozita parlamentare garanton se do të mbështesë “5 qershorin” dhe do ta votojë në Kuvend në seancën e 23 korrikut. Në këtë marrëveshje, palët janë dakordësuar në 4 pika. Ashtu siç ishte parashikuar, kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u takuan me krerët e grupeve parlamentare të opozitës. Takim nisi në orën 19:00 në Kryesinë e Kuvendit. Kujtojmë se prej disa ditësh në fokus të debatit politik janë ndryshimet kushtetuese, duke u bazuar tek marrëveshja e 5 qershorit. Por nuk qenka e thënë që të bëjmë njëherë zgjedhje normale dhe të qeta. Kjo për fajin e lidershipit ndër vite të cilët duan jo votime, por vjedhje të votave. Kryeministri Rama e ka ndarë mendjen, pasi do t’i miratojë ndryshimet në Kushtetutë vetëm që të heqë koalicionin parazgjedhor të opozitës. Sondazhet e kanë nxjerrë në humbje katastrofale përballë opozitës së bashkuar. Prishja e rregullave të lojës, pasi ka filluar loja elektorale, nuk ka ndodhur asnjëherë në këto 30 vite pluralizëm.
24 korrik
Ultimatumi i Metës: Kush prek “5 qershorin” përfundon si Haxhi Qamili
Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka dërguar një mesazh të qartë kryeministrit Edi Rama, duke e paralajmëruar se nëse kalon në Kuvend ndryshimet Kushtetuese në mënyrë të njëanshme, do ta pësojë si Haxhi Qamili. Kreu i Shtetit paralajmëroi se do të marrë masa të forta me qëllim monitorimin e procesit zgjedhor në vend për të mos lejuar, siç tha ai, keqpërdorimin e institucioneve në favor të interesave politike. Kreu i Shtetit, Ilir Meta, i ka cilësuar të papranueshme ndryshimet kushtetuese në mënyrë të njëanshme. Duke kujtuar revolucionin e Haxhi Qamilit, Presidenti i dërgoi një mesazh të qartë kryeministrit Rama nëse ai do t’i bëjë ato pa konsensus. “Rregullat e garës nuk vihen nga një maxhorancë për interes të maxhorancës. Pasi kjo bëhet në diktaturë. Unë nuk ndaloj asnjëherë të çmendet dhe as të hidhet nga kati i 20. Unë kam të drejtë t’i them mos u hidh se vritesh. Mos më bëni mua përgjegjës për njerëz që nuk kontrollojnë dot dozat e optimizmit të tyre. Edhe Haxhi Qamili doli kundër perspektivës europiane të Shqipërisë, por të gjithë e dimë si përfundoi. Kush prek 5 qershorin apo kush shpik një datë të vetme që të hedhë në erë 5 qershorin, të mos harrojë se ka edhe 31 korrik, ka edhe 1 gusht, 2 gusht, nuk ndalon as jeta, asgjë, përkundrazi. Aty ka një datë ku ndahen dy epoka, por pastaj nuk ka më rikthim në tryezë, nga ata që përmbysin tryeza, në kërkim të të drejtave të një pakice, pasi ke dhënë shembullin më të poshtër dhe më kriminal se si për interesat e pushtetit tënd, je gati të përmbysësh të ardhmen europiane të vendit tënd”, tha Presidenti Ilir Meta.
27 korrik
Rama zbythet nga tentativa për shkarkimin e Ilir Metës
78 deputetë të Kuvendit votuan kundër shkarkimit të Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës, ndërsa 17 ishin pro largimit të tij dhe 8 të tjerë vendosën të abstenojnë. Me këtë tërheqje të socialistëve u mbyll tentativa e parë e një parlamenti për të shkarkuar kryetarin e shtetit. Por vetë kreu i mazhorancës Edi Rama preferoi të mos e cilësonte tërheqje vendimin për të mos shkarkuar Ilir Metën. Sipas tij shumica qeverisëse vendosi të respektojë dy opinionet e Komisionit të Venecias, të cilat sugjeruan që shkeljet e kryetarit të shtetit nuk justifikojnë shkarkimin.
30 korrik
Rama ndryshon Kushtetutën, heq koalicionet dhe sulmon SHBA-në
Me 106 vota pro dhe 10 kundër kryeministri Edi Rama kaloi në Kuvend me opozitën e re ndryshimet kushtetuese në ditën e fundit të këtij sesioni parlamentar. Me ndryshimet kushtetuese, hapen listat dhe ndalohen koalicionet parazgjedhore. PS nuk e pati të vështirë të gjente votat për ndryshimet kushtetuese nga opozita e re në parlament edhe pse nuk pati dakordësinë e PD-së dhe LSI-së në Këshillin Politik as të Presidentit Ilir Meta, apo dhe thirrjet e ndërkombëtarëve që ndryshimet të ishin konsensuale. Mesazhin e kësaj dite dramatike për fatin e Republikës, kryeministri Rama e dha përmes kravatës ku shkruhej “Revolucion”. Pasi u sigurua për votat, Rama doli edhe kundër SHBA. Me tone të larta i tregoi kufijtë edhe ambasadores Yuri Kim. “I takon shtetit shqiptar të vendosë përmes parlamentit të vet çfarë bën me sistemin zgjedhor. Ky është vendim i parlamentit shqiptar dhe i takon shtetit që përmes parlamentit të vendosë se çfarë bën me sistemin zgjedhor, nuk është zgjedhje që kemi detyrimin ta ndajmë as me ambasadoren amerikane dhe as të BE e askënd tjetër. Kur dëgjoj ambasadoren amerikane që thotë do t’i ndjekim me vëmendje drejtuesit politikë nëse do e mbajnë apo jo fjalën sinqerisht nuk më vjen mirë”, deklaroi dje në Kuvend Edi Rama. Ndërkaq, përmes rrjeteve sociale, Rama i është përgjigjur “kërcënimit” të Bashës se pas zgjedhjeve kreu i PS-së do të përfundojë në burg.
31 korrik
PPE: PS prishi marrëveshjen. Të papranueshme ndryshimet arbitrare të Kodit Elektoral
Politikani gjerman, anëtar i Parlamentit Europian dhe zëdhënës për Punët e Jashtme i Partive Popullore Europiane, Michael Gahler shprehu shqetësimin për kalimin e ndryshimeve kushtetuese në mënyrë të njëanshme. Ai tha se nuk mund të jetë e pranueshme për asnjë që qeveria “Rama”, e cila dëshiron hapjen e negociatave me BE, të ndryshojë në mënyrë arbitrare kodin elektoral. “Nëse kjo qeveri dëshiron vërtet hapjen e negociatave me BE, si mund të mos pranojnë këshillat e Parlamentit Evropian, Komisionit Evropian dhe shteteve anëtare për një çështje kaq të ndjeshme dhe themelore për demokracinë. Grupi i PPE do të monitorojë me kujdes veprimet e ardhshme lidhur me kodin zgjedhor dhe do të nxisë me forcë që të arrihet konsensusi me opozitën brenda Këshillit Politik. U takon partive dhe popullit shqiptar të mbrojnë demokracinë dhe perspektivën e tyre evropiane”, deklaroi Gahler.
26 korrik
Skandali diplomatik, Rama ndërhyn në zgjedhjet e Malit të Zi, mesazh në gjuhën serbe
Pasi u bë i famshëm me ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale në SHBA katër vite më parë, Kryeministri Edi Rama vendosi të ndërhyjë edhe në zgjedhjet që do mbaheshin në 30 gusht në Mal të Zi duke u bërë thirrje malazezëve të votojnë për presidentin aktual Milo Gjukanoviç. Në video-mesazhin e publikuar nga mediat serbe, Rama i është drejtuar votuesve në anglisht, por edhe në serbisht duke theksuar se një votë kundër Gjukanoviçit mund ta çonte Malin e Zi pas në kohë. “Këto zgjedhjeve janë vendimtare për Malin e Zi sepse pa dyshim, çdo votë që mund të shkojë për të shtyrë përpara më shpejt, kundër Milo Gjukanoviç, mund të shtyjë vendin mbrapsht dhe shpejt”, thotë ndër të tjera Rama duke u pozicionuar hapur në krah të Milo Gjukanoviçit. Kryetari i Lidhjes Demokratike në Malin e Zi, Saubin Mehmeti ka reaguar pas thirrjes në serbisht të kryeministrit Edi Rama, i cili ftonte qytetarët që të mbështesin Milo Gjukanoviçin në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit. Mehmeti tha se Rama duhet të bënte thirrje për bashkim shqiptar në mënyrë që të jenë faktor i rëndësishëm politik në Mal të Zi, duke shtuar se është e pakonceptueshme se si kreu i qeverisë shqiptare, të cilën ai e konsideron si shtetin amë, kërkon që shqiptarët të mos votojnë për njëri-tjetrin.
28 gusht
Vasili: Mungesa e transparencës për “Detin, si provë pabesie. Rama pazarxhi kufijsh
Për nënkryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, mungesa e transparencës për Marrëveshjen e detit me Greqinë shërben si provë pabesie e kryeministrit Edi Rama. Vasili vlerëson se është fakt i pakundërshtueshëm që debati, dyshimet e forta dhe hamendjet gjithfarësh për Marrëveshjen e Detit ndizen gjithmonë pas deklarimeve publike të Greqisë Zyrtare. Në këtë kontekst, Vasili tha se asnjëherë Edi Rama, nuk i ka prirë me informacion për publikun për zhvillimet e procesit të negocimit të Marrëveshjes së Detit. Vasili tha se shqiptarët prisnin transparencë nga kryeministri në momente tilla kur rreziku i shitjes se detit shqiptar është fakt. Vasili theksoi se duke pasur ne konsideratë se Edi Rama është i deklaruar si pazarxhi kufijsh shqetësimi mbarëkombëtar natyrshëm bëhet eksploziv. Sipas tij, Rama po paraqitet si një avokat i shkëlqyer i palës greke dhe kundër interesave të Shqipërisë. Lidhur me zgjerimin e ujërave territoriale të Greqisë me 12 milje, Vasili thotë se këtë të drejtë e ka edhe Shqipëria.
3 shtator
Rama ultimatum kryebashkiakëve: Dua 800 mijë vota. Gjejini si të doni!
Pas takimit që pati me deputetët e grupit parlamentar socialist, kryeministri Edi Rama mblodhi në Elbasan edhe kryebashkiakët socialistë. Në takimin me dyer të mbyllura ku ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri Erjon Braçe, Rama përballi për dy orë kryebashkiakët socialistë me kritikat e deputetëve. Kreu i PS-së ka kërkuar nga kryebashkiakët sigurojnë 800 mijë vota për Partinë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme. Kryeministri tha se nuk pranonte asnjë justifikim për mos arritjen e këtij objektivi dhe kryebashkiakët duhet t’i gjejnë votat me patjetër. Kërkesa e Edi Ramës që ngjan më tepër si ultimatum rrezikon të hedhë në erë procesin zgjedhor. Pas 8 vitesh pushtet socialistët nuk arrijnë dot në asnjë mënyrë 800 mijë vota. Me zgjedhje të lira dhe të ndershme, socialistet mund të arrijnë minimumin historik të kësaj partie. E vetmja mënyrë për të kapur 800 mijë vota është që kryebashkiakët që nisin që tani nga procesi i manipulimit të zgjedhjes së votave. Me punësime të paligjshme, me presione, kërcënime dhe vjedhje të votave në kuti, vetëm kështu arrihet objektivi i Edi Ramës.
14 shtator
Besa Shahini lë ministrinë ditën e parë të shkollës, Rama e përcjell me kafe turke
Kryeministri Edi Rama nisi javën me ndryshimet në kabinetin e tij qeveritar. Deputetja e Partisë Socialiste në Elbasan, Evis Kushi, do të zërë vendin e Besa Shahinit për postin e Ministres së Arsimit, ndryshim ky që ndodhi pikërisht në ditën kur edhe filloi viti i ri shkollor. Lajmin e konfirmoi vetë kryeministri, përmes një komunikimi live në “Facebook”, ku shprehu keqardhje për largimin e Shahinit, teksa tha se ishte i nderuar që e kishte pasur si bashkëpunëtore. Ndërsa Shahini deklaroi se ishe e nderuar që kishte kontribuar për arsimin në Shqipëri. Ajo u shpreh se një tjetër mandat larg familjes do të ishte i vështirë duke vendosur që të largohet drejt Prishtinës. E surprizuar, Evis Kushi u shpreh se drejtimi i Ministrisë së Arsimit do të jetë një përgjegjësi e madhe. Në fund, Rama e përcolli Shahinin dhe e mirëpriti Kushin me një kafe turke. Pak ditë më parë, Shahini deklaroi se do të largohej nga detyra në fund të mandatit për arsye familjare, por mesa duket preferoi që ta përshpejtonte këtë vendim.
17 shtator
Protestë para Ministrisë, policia tërheq zvarrë dhe dhunon naftëtarët
Punonjësit e rafinerisë së Ballshit kanë rinisur protestat e tyre teksa u mblodhën para Ministrisë së Energjetikës në Tiranë. Ata protestuan me pankarta në duar dhe me thirrjet, “Duam paratë tona”, “Mos i prekni punëtorët”, si dhe “Uzina është e jona”. Teksa ata protestonin janë përplasur edhe me forcat e policisë. Uniformat blu nuk lejuan zhvillimin e protestës dhe i kanë bërë thirrje naftëtarëve që të ruajnë distancën për të respektuar masat anti-covid. Por thirrjet e uniformave kanë rënë në vesh të shurdhët, pasi situata ekonomike sipas tyre është më e rëndë se sa vetë pandemia që trumbeton Qeveria “Rama”. Kaq ka mjaftuar që protesta e naftëtarëve të agravonte deri në përdorimin e dhunës nga policia, teksa kanë marrë me forcë disa prej tyre dhe i kanë shoqëruar për në komisariat. Një protestues ka humbur ndjenjat para ministrisë, ai i është bashkuar naftëtarëve të Ballshit që protestojnë për shlyerjen e pagave, të cilat kanë më shumë se 20 muaj që nuk i kanë marrë. Gjatë protestës së naftëtarëve në Tiranë, shumë prej tyre kanë deklaruar se protestat do të shkojnë deri në grevë urie. Kreu i Sindikatës së Naftëtarëve, Sokol Dautaj tha dje se nuk përjashtohet si mundësi, por fillimisht presin reagimin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës.
18 shtator
Vasili: Ramës i del përfundimisht boja, propozon mbyllje 100% të listave!
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili duke marrë shkas nga zhvillimet në mbledhjen e Këshillit Politik për reformën zgjedhore, deklaron se Edi Rama mashtroi shqiptarët për listat e hapura. Vasili tha se tashmë Ramës i del përfundimisht boja, pasi në draftin e prezantuar sot propozon mbyllje 100 për qind të listave. “Ramës i del përfundimisht boja, propozon mbyllje 100% të listave! Propaganda rilindase nxjerr fytyrën e vërtetë: Listat mbeten totalisht të mbyllura; Mbeten të njëjtat lista me renditje të paracaktuara dhe të mbyllura më keq se më parë. Gjithçka që rilindja ndryshoi në Kushtetutë ishte vetëm për të penguar koalicionet dhe realisht zero mundësi që shqiptarët të zgjidhnin si të mendonin kandidatët. Kushdo shqiptar që mendoi dhe besoi se do të hapeshin listat sot e ka shumë të qartë që ky ishte thjesht mashtrim ordiner i radhës i Edi Ramës. Përballë shqiptarëve është një kryeministër, që përpëlitet në ethet e humbjes dhe mashtron pa u lodhur, por verdiktit të paracaktuar të shqiptarëve nuk i shpëton dot”, shprehet në reagimin e tij nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili.
1 tetor
Basha: Dosjet e Edi Ramës janë gati, pas 25 prillit e pret përballja me drejtësinë
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha bëri paralajmërimin e fortë ndaj Edi Ramës, duke garantuar shqiptarët se pas zgjedhjeve të 25 prillit atë e pret përballja me drejtësinë, ku do të japë llogari për çdo dhe krim që i ka shkaktuar këtij vendi gjatë qeverisjes së tij. Basha deklaroi se Edi Rama do të dërgohet për ndjekje penale pas 25 prillit, duke qartësuar se dosjet e kryeministrit janë gati dhe nuk ka asnjë shans që ai t’i shpëtojë përballjes me institucionet e drejtësisë. Në një intervistën dhënë për “Syri TV”, Basha gjithashtu theksoi se nuk ka asnjë shans që Partia Demokratike dhe ai vetë të bëjë koalicion me Edi Ramën. “Dosjet e Edi Ramës janë gati. Edi Rama do të shkojë për ndjekje penale dhe sa më takon mua, nesër si kryeministër do marrë ndëshkimin e merituar nga drejtësia. Pas 25 prillit, kam vetëm një mesazh: e pret drejtësia. Atë dhe një grusht njerëzish që i kanë pirë gjakun vendit. Nuk ka koalicion me të keqen, nuk ka bashkëqeverisje me të keqen. Po nuk larguam të keqen me votë, nuk ka ndryshim. Në emrin tim personal, të PD dhe të Opozitës së Bashkuar, nuk ka dhe nuk do ketë bashkëqeverisje me Ramën. Edi Rama do të shkojë para drejtësisë. Rama nuk ka shpëtim, është i pashpresë, vetëm po anuloi datën e zgjedhjeve”, deklaroi kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
5 tetor
Rama prish zyrtarisht konsensusin, 23 “opozitarë” i shkojnë në ndihmë në Kuvend
Mes debateve të shumta Kuvendi miratoi ndryshimet e Kodit Zgjedhor, votim i cili mori plot 97 vota pro, në një kohë që për të kaluar ndryshimet e Kodit Zgjedhor duheshin 84 vota pro. Deputetët kanë votuar me letër, pasi deputetët u shpërndanë në sallën e Kuvendit për shkak të pandemisë. Pavarësisht kundërshtive nga një pjesë e deputetëve të opozitës gjatë ditës së djeshme, pjesa tjetër e pranishme në seancë, ka bashkuar votat me maxhorancën, duke plotësuar kuorumin e mjaftueshëm për të kaluar ndryshimet në Kod. Kujtojmë se Partia Socialiste ka vetëm 74 deputetë, të pamjaftueshme për të siguruar shumicën parlamentare ndaj dhe janë dashur votat e “23 opozitarëve”, të cilët ia përmbushën dëshirën Edi Ramës për të shkatërruar konsensusin në Këshillin Politik të ngritur me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve si institucioni që do të realizonte dhe dokumentin zyrtar të Kodit Zgjedhor.
8 tetor
Holanda fundos Shqipërinë: Nuk ka negociata, të ndahet Shkupi nga Tirana
Vetëm 5 ditë përpara takimit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, të cilët do të mblidhen me 13 tetor në Luksemburg, ministri i Jashtëm holandez Stef Blok deklaroi përpara deputetëve në Hagë, se do të kërkojë zyrtarisht ndarjen e Shkupit nga Tirana për hapjen e negociatave dhe konferencën ndërqeveritare. Sipas tij, vetëm Maqedonia e Veriut i ka plotësuar kushtet e paracaktuara për hapjen e negociatave në muajin dhjetor të këtij viti. Gjithashtu duke folur më konkretisht për konferencën e parë qeveritare të Shqipërisë për çeljen e negociatave, ai është treguar i qartë duke deklaruar se gjithçka varej nga veprimet konkrete të qeverisë së Shqipërisë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të cilat deri më tani nuk janë kryer. “Jemi informuar për mos marrëveshjet për Reformën e re Zgjedhore si dhe pengesat në funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi ministri i Jashtëm në parlamentin e Holandës.
29 tetor
Rama nuk dëgjon, voton në Kuvend Kodin e ri zgjedhor: Kur të vdes, do iki nga pushteti!
Kuvendi me 97 vota rrëzoi në seancën plenare të së enjtes dekretin e Presidentit Ilir Meta për ndryshimet e njëanshme të bëra në Kodin Zgjedhor. Mazhoranca e drejtuar nga Edi Rama, duke injoruar mesazhet e forta dhe paralajmëruese nga krerët më të lartë të Brukselit të cilët i kërkuan Ramës që të priste opinionin e Komisionit të Venecias, arriti të sigurojë të njëjtin numër votash me të cilat miratoi Kodin në 5 tetor. “Si të presim ne Venecian kur ligji ka kaluar dy javë përpara? Për çfarë janë të tronditur nuk arrij ta kuptoj. Janë të keq informuar qëllimisht duke shfrytëzuar dhe marrëdhëniet ndërpartiake”, tha Rama. Në fjalën e tij në parlament, kryeministri Edi Rama iu përgjigj edhe letrës së mbërritur në adresë të tij nga 8 eurodeputetë lidhur me votimin e Kodit Zgjedhor në Kuvend. Eurodeputetët e paralajmëruan Ramën se votimi i Kodit Zgjedhor pa pritur opinionin e Venecias do të sillte refuzimin e negociatave. Por Rama thotë se eurodeputetët janë të keqinformuar. Duke tentuar që të bëjë ironi me kryetarin e opozitës, Edi Rama, la të kuptohej hapur se do të largohet nga pushteti vetëm pasi të vdesë ose, siç e quajti ai, kur t’i ndalojë ora biologjike. “Lulzim Basha i bën llogaritë me biologji. Domethënë, pret që të mos marrë frymë, ndonjë problem në mushkri, apo diçka tjetër që të mos jem më unë dhe të marrë pushtetin… Por kjo nuk ka për të ndodhur kurrë…”, tha Edi Rama mes të tjerash.
30 tetor
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, PD: Kundër interesit të shqiptarëve
Ish-deputeti Oerd Bylykbashi, përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Këshillin Politik për reformën zgjedhore, ka reaguar ashpër lidhur me ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor, të votuara nga Parlamenti, në kundërshtim të hapur edhe me apelet e përsëritura të përfaqësuesve më të lartë të Bashkimit Europian, të cilët i kërkuan mazhorancës dhe kryetarit të saj Edi Rama që të prisnin më parë opinionin e Komisionit të Venecias. Nisur nga këto zhvillime, Bylykbashi theksoi se këto ndryshime janë kundër Kushtetutës, Marrëveshjes së 5 Qershorit dhe mbajnë vendin larg integrimit europian. Pra, thotë ai, shkojnë kundër interesit të shqiptarëve për integrim në Europë, si një vend qeveria e të cilit në 2021 nuk bën zgjedhje të lira e të ndershme.
5 nëntor
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli japin dorëheqjen pas akuzave të Hagës
Presidenti Hashim Thaçi konfirmoi aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj tij duke njoftuar njëkohësisht edhe dhënien e dorëheqjes si kreu i shtetit të Kosovës. Thaçi tha se do të përballej me këto akuza si qytetar i thjesht dhe jo si President i Kosovës. Presidenti Thaçi tha se ky është çmimi i vogël që duhet paguar për lirinë e Kosovës. “Jam krenar që kam qenë pjesë e UÇK-së“, shtoi ai. Thaçi tha se do të dilnin faqebardhë nga kjo gjë dhe se kjo nuk ishte një lamtumirë, por një mirupafshim. Përgjatë konferencës pas konfirmimit të aktakuzës, ai iu ka bërë thirrje politikanëve që të mos mblidhen e të protestojnë. Më herët, ishte kreu i PDK-së Kadri Veseli ai që dha dorëheqjen duke konfirmuar njëkohësisht akuzat e Speciales. Veseli tha se do të shkonte në Hagë si qytetar i thjeshtë, duke hequr dorë nga detyrat në parti. Përmes një shkrimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Veseli theksoi se është vënë mbrëmjen e së mërkurës në dijeni për padinë nga Zyra e Prokurorit të Dhomave të Specializuara. Veseli tha se do të shkojë vetë në Hagë për t’iu përgjigjur këtyre akuzave, duke theksuar se nuk dëshiron të komentojë më tej rreth tyre. Gjithashtu, ai shkruan se tërhiqet nga të gjitha detyrat politike dhe publike duke shkuar në Hagë si qytetar i thjeshtë. Aktakuza është konfirmuar edhe për Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Ky i fundit u mor të mërkurën forcërisht nga trupat e EULEX-it në Kosovë.
5 nëntor
Aktakuza për figurat e UÇK-së, Tirana zyrtare me një zë: Lufta, e drejtë dhe heroike
Proces absurd, por që do të vulosë përfundimisht pastërtinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pamundësinë për ta rishkruar historinë e saj, e kanë cilësuar liderët politikë në vendin tonë dërgimin në Hagë të figurave kryesore të UÇK-së , mes tyre Hashim Thaçin, Kadri Veselin apo dhe Jakup Krasniqin. Në reagimet thuhet se askush nuk mund të barazojë viktimën me agresorin. Dërgimi në Hagë i figurave kryesore te UÇK-së, mes tyre presidentit Hashim Thaçi, solli reagimin e Tiranës zyrtare. Presidenti Ilir Meta, thotë se Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe heroike, ndërsa beson në pafajësinë e Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tij. Në mesazhin e tij të përcjellë përmes rrjeteve sociale, teksa vlerëson dorëheqjen e Hashim Thaçit, Kreu i Shtetit shqiptar thekson se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe heroike. “Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe heroike. Vlerësoj aktin e dorëheqjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për t’u ballafaquar me akuzat dhe besoj në pafajësinë e Tij e të gjithë bashkëluftëtarëve, sikundër është konfirmuar edhe në të kaluarën. Ky është një moment reflektimi për të forcuar më shumë bashkëpunimin dhe unitetin, në interesin më të mirë kombëtar”, u shpreh kreu i Shtetit Ilir Meta në mesazhin e tij.
19 nëntor
PD: Rama po përdor armën e vjetër të manipulimit të listave të votuesve
Duke iu referuar skandalit të denoncuar në media, atë të manipulimit të listave të zgjedhësve përmes Gjendjes Civile, e cila pa i pyetur dhe njoftuar qytetarët, i ka ndryshuar adresat e vendbanimeve të tyre duke i transferuara ata nga një qytet në tjetrin, çka nënkupton një mënyrë për t’i bërë ata që të mos shkojnë në votime më 25 prill, Partia Demokratike deklaron se Edi Rama po përdor si armë të vjetër të tij manipulimin e listave të votuesve. Reagimi erdhi nga ish-deputeti Oerd Bylykbashi, i cili theksoi se pavarësisht tak-tikave të Ramës për manipulime listash, ai do të humbë në zgjedhjet e 25 prillit. Bylykbashi tha se ndryshimi i fundit i ligjit të Gjendjes Civile me ndikim në zgjedhje, vetëm 5 muaj para zgjedhjeve, ndryshim me të cilin Qeveria heq sanksionet për mosdeklarim të vendbanimit, janë vetëm një përpjekje e radhës e Ramës që të legjitimojë shkeljet dhe kaosin e listave të zgjedhësve. Dhe në këtë kontekst, Bylykbashi paralajmëroi se këto manipulime të trasha që po dalin mbi ujë, do të bllokohen dhe shkelësit e ligjit deri tek nëpunësit e Gjendjes Civile që falsifikojnë të dhënat do të përgjigjen.
22 nëntor
Zgjedhjet në parti, Kryemadhi rikonfirmohet si kryetare e LSI-së
Monika Kryemadhi është rikonfirmuar në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke e udhëhequr këtë forcë politike në sfidën e 25 prillit pas rreth 4 vitesh në opozitë. Tashmë me një mandat të plotë, Kryemadhi mori drejtimin e LSI-së me 29 qershor 2017 pas dorëheqjes së Petrit Vasilit. Nga rezultatet e administruara kanë votuar 44.413 anëtarë nga të cilët 42.807 votuan pro kandidatit për kryetar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, zonjën Monika Kryemadhi. 1302 zgjedhës votuan kundër dhe 304 vota rezultuan të pavlefshme. Bazuar në rezultatet e mësipërme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli kryetare të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhin.
8 dhjetor
Policia ekzekuton 25-vjeçarin Klodian Rasha, opozita: Lleshaj, shporru, ç’pret më!
Në orët e para të së martës së 8 dhjetorit dhe pikërsht në ditën e Rinisë, policia ekzekuton pa shkak 25-vjeçarin Klodian Rasha nga Policia e Shtetit ka sjellë reagime të forta në opinionin publik dhe nga drejtuesit e partive të opozitës. Një reagim i ashpër do të vinte edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim, ku nënkryetari i saj, Petrit Vasili, theksoi se pas këtij krimi shtetëror, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj duhet të japë dorëheqjen. Në reagimi e tij përmes rrjeteve sociale, Vasili u shpreh dje se një 25 vjeçar ekzekutohet pa mëshirë dhe egërsisht në mes të rrugës nga policia, ministri Lleshaj, që ka në përgjegjësi politike policinë, ka qepur gojën. “Lleshaj shporru, ç’pret më! Një 25 vjeçar ekzekutohet pa mëshirë dhe egërsisht në mes të rrugës nga policia. Lleshaj, që ka në përgjegjësi politike policinë ka qepur gojën. Lleshaj që ka përgjegjësi të rënda dhe që shqyen gojën për të folur gjerat me të kota s’gjen asnjë fjale për një krim makabër. Lleshaj hesht, sepse s’ka ç’të thotë, krimi është aq i madh dhe aq i rëndë sa nuk lahet dot. Lleshaj shporru, largohu e bashkë me ty dhe modeli i urryer që prutë! Lleshaj shporru se e ke boll të madhe dhe të hapur llogarinë me shqiptarët! Lleshaj shporru se kupa u derdh!”, deklaroi në reagimin e tij nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili.
9 dhjetor
“Drejtësi për Klodianin”, zgjohen shqiptarët! I prishin festat Edi Ramës: Shkarko Lleshajn
Pema e festave të fundvitit para Kryeministrisë u bë simboli i protestës së mijëra të rinjve shqiptarë që pushtuan bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Revoltën e tyre për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha ata e shkarkuan pikërisht te dritat e pemës, duke hequr një pjesë të tyre. Por nuk mjaftoi me kaq, pasi për shkaqet të paqarta bredhi shpërtheu në flakë dhe kaq mjaftoi që rrjeti i dritave të digjej i gjithi. Protesta para Kryeministrisë vjen ndërsa shefi i qeverisë ndodhet në SHBA për takime lidhur me sigurimin e vaksinës kundër Covid. Pas rastit flagrant me shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, kjo ishte hera e dytë që ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili vijon me arrogancën e tij të qëndrojë në detyrë bëhet shkak i grumbullimit masiv të shqiptarëve në një periudhë kur sistemi shëndetësor është futur në një kaos total nga përhapja e frikshme e pandemisë së koronavirusit. Për më shumë se katër orë, me qindra qytetarë protestuan duke kërkuar drejtësi për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga policia në orët e para të ditës së marte. Protesta nisi në orën 16:00 para Ministrisë së Brendshme, pas një thirrjeje të shpërndarë përmes rrjeteve sociale në fillim. Tubimi para saj u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të policisë. Protestuesit thyen xhamat e godinës në ikje pas dështimit të disa tentativave për tu futur brenda. Më pas shumica e protestuesve u zhvendosën para Kryeministrisë. As këtu nuk ishte më e paqtë situata. U dogj dhe u rrëzua pema. Pati edhe këtu goditje me gurë dhe sende të forta ndaj policisë. Ndërsa kjo e fundit u përgjigj me gaz, spraj dhe spec djegës. Më pas situatën e mori në kontroll FNSH-ja, që u vendos si barrikadë. Edhe kjo për disa minuta u gjet nën sulme të vazhdueshme deri sa bëri shpërndarjen e protestuesve me gaz. Në ikje, protestuesit sulmuan një makinë të policisë rrugore, e parkuar në bulevard. Ata thyen xhamat e mjetit ndërsa brenda ndodhej efektivi që kur pa se situata u tensionua xhiroi gomat dhe u largua. Gjatë largimit ata vijuan sulmin me gurë ndaj godinës së Ministrisë së Brendshme duke thyer xhamat. Më pas edhe te Bashkia, me sulme me gurë ndaj godinës dhe prishjen e zbukurimeve. Ju vu flaka dhe pemës në qendër. Policia ka raportuar paraprakisht për 8 efektivë të plagosur në protesta, tre prej tyre po marrin mjekim te Trauma. Në protesta mbeti i lënduar edhe një gazetar. Më pas, protestuesit dogjën edhe disa kosha mbeturinash te “Myslym Shyri”, në afërsi të Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
10 dhjetor
Gjunjëzohet Tirana nga revolta, ikën Lleshaj, dhuna e policisë nuk kursen as gazetarët
Protesta në Tiranë është përshkallëzuar në disa pika të ndryshme në kryeqytet ku turma e të rinjve shkatërron gjithçka që i del përpara. Një pjesë e të rinjve kanë thyer dhe shkatërruar xhamat e Muzeut Historik Kombëtar. Revoltës qytetare nuk i ka shpëtuar as godina e Muzeut Kombëtar. Protestuesit janë në lëvizje të vazhdueshme, por të lokalizuar në tre pika kyçe të kryeqytetit, një pjesë janë në ish-Bllok, një pjesë të Kryeministria dhe një pjesë tjetër tek sheshi “Skënderbej” dhe kryqëzimi i Rrugës së Kavajës. Përplasjet e para janë regjistruar pak pasi kryeministri nisi fjalimin e tij drejtuar qytetarëve. Në ato momente turma e irrituar është përplasur me uniformat blu, të cilët i janë kundërpërgjigjur në mënyrë të menjëhershme me gazlotsjellës. Gjatë fjalimit të tij Rama njoftoi se ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i ka paraqitur dorëheqjen pas ngjarjes të rëndë. Gjithashtu numri 1 i qeverisë deklaroi se vrasja e 25-vjeçarit është një episod i shkëputur dhe nuk paraqet frymën e Policisë së Shtetit. Por mesa duket as dorëheqja e ministrit dhe as fjalët e kreut të Qeverisë nuk i kanë qetësuar protestuesit, të cilët vijuan të qëllonin me gurë ndaj Ministrisë së Brendshme dhe uniformave blu. Dhuna e policisë nuk ka kursyer as gazetarët. Gazetari i Ora Neës, Xhoi Malësia ka qenë duke transmetuar pamje live nga zona e “21 dhjetorit”, kur policia ka ushtruar dhunë mbi të. Edhe pse ai dëgjohet t’u thotë që është gazetar dhe ka treguar badge-in, policia nuk është ndaluar.
11 dhjetor
Protestat për Klodianin, Policia rrëmben Kryeredaktorin e gazetës “Koha Jonë”
Policia ka rrëmbyer në rrugicën e redaksisë së gazetës, Kryeredaktorin e gazetës “Koha Jonë”, Qamil Xhani. Kryeredaktori ishte tek dera e redaksisë dhe ka dalë sapo kanë ardhur makina me sirena policie dhe ku po rrihnin dy minorenë. Në këtë moment ka ndërhyrë kryeredaktori duke u përpjekur ti filmojë forcat speciale që po dhunonin minorenët, por e kanë prangosur menjëherë kryeredaktorin e “Koha Jonë”. Ndërkohë që po i vinin prangat për ta futur në makinën e policisë, jo vetëm kryeredaktori që i ka sqaruar se jam gazetar, por edhe zv/kryeredaktori Herion Mesi u ka thënë se “është kryeredaktor i gazetës”. Por pavarësisht kësaj, forcat e policisë e kanë futur me dhunë në makinë duke e goditur në kokë dhe shpinë Qamil Xhanin. Mësohet se celularin e kryeredaktorit policia e ka marrë dhe ka fshirë pamjet. Pas gjysëm ore kryeredaktori u la i lirë, ndërkohë që tha për redaksinë se “dola nga komisariati ku po kërciste druri mbi të ndaluarit”. Menjëherë pas kësaj ka reaguar Presidenti Ilir Meta që ka kërkuar hetim nga Prokuroria ndërsa e ka dënuar këtë akt të policisë. Dhe pas kreut të shtetit, do të reagonin me radhë jo vetëm përfaqësues të medieve dhe politikës në vend, por shqetësim dhe solidarizim kundër këtij akti të përsëritur do të shprehnin dhe institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare të medias dhe politikës ndërkombëtare, të cilët njëzëri dënuan me forcë dhunën barbare ndaj përfaqësuesve të medieve nga ana e qeverisë në ikje që drejtohet nga Edi Rama.
29 dhjetor
Gjykata Kushtetuese zyrtarisht me 7 anëtarë, Sonila Bejtja betohet në Presidencë
Gjykata Kushtetuese pa u mbyllur viti 2020 është bërë me 7 anëtarë. Sonila Bejtja është anëtarja më e re pasi ishte e vetme në garën dhe KED e lejoi të kandidonte dhe ia çoi Presidentit. Kreu i Shtetit Ilir Meta më 28 dhjetor e emëroi, kurse një ditë më vonë Bejtja shkoi në Presidencë për t’u betuar. Vetëm disa ditë më parë Gjykata Kushtetuese pas një periudhe 3-vjeçare jashtë funksionit arriti kuorumin e nevojshëm prej 6 anëtarësh dhe u bë funksionale. Altin Binaj ishte anëtari i 6-të, tashmë Bejtja e 7-ta teksa mbeten edhe 2 që Gjykata Kushtetuese të ketë 9 anëtarë dhe të funksionojë normalisht. Në ceremoninë solemne të betimit ishin të pranishëm Zv/kryetarja e Kuvendit, znj.Vasilika Hysi, kryetarja në detyrë e Gjykatës Kushtetuese, znj.Vitore Tusha, Avokati i Popullit, zn.Erinda Ballanca, drejtuesja e misioni OPDAT të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, znj.Michelle Lakomy, shefi i Sektorit Politik dhe i Ngarkuar me punë në Delegacionin e BE në Tiranë, z. Alexis Hupin si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës.
29 dhjetor
Edi Rama bën sërish ndryshime në qeveri
Sërish ndryshime në qeveri. Kryeministri Edi Rama njofton se ka emëruar ministre të Jashtme, Olta Xhaçkën. Në vend të Xhaçkës është emëruar Niko Peleshi, i cili do të drejtojë tashmë Ministrinë e Mbrojtjes. Në mesazhin e tij, kryeministri falënderon ish-ministrin e Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, i cili do të rikthehet në kabinetin e kryeministrit. Kujtojmë se pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama emëroi edhe ministrin e ri të Brendshëm, duke i besuar detyrën Bledi Çuçit, pas dorëheqjes së Sandër Lleshajt, për shkak të protestave masive që përfshin vendin pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga policia. Ndërkohë, në vend të Çuçit te Ministria e Bujqësisë, Rama emëroi Milva Ekonomin.