Nga opozita e destrukturuar në atë të strukturuarën

Opozita politike në Shqipëri është në realitet kritik copëzimi. Nuk ka fuqi të plotë opozitariste, nuk ka një strukturë përfaqësimi parlamentar, nuk ka udhëheqësi politike që të artikulojë dhe mbrojë një objektiv të koncentruar ditor apo kalendarik politik. Nuk dëshmon kapacitet përballës me kundërshtarin në qeverisje. Nuk ka program dhe projekt të afërt dhe perspektiv.

Opozita e sotme nuk i’a del të bëhet administratore pakënaqësisë dhe dëshirës qytetare për ndryshim politik. Kjo opozitë nuk ka koncept të ri për vetveten, për riorganizimin dhe sidomos, për misionin e ri që duhet të marrë përsipër, si për perspektivën qeverisëse të vendit dhe sidomos për sfidat ndaj republikës sonë. Risqe që lidhen me kushtet e një ndryshimi rajonal, kontinental dhe global në fushën gjeopolitike.

Retorika denoncuese e korrupsionit si e vetmja armë në ligjërimin politik, nuk sjell ndryshim. Kjo është pamjaftueshmëri për vënien në lëvizje të sistemit të drejtësisë për ta peshuar, gjykuar dhe ndëshkuar me rënie qeverinë aktuale. Arsyeja nuk është e ludhur vetëm me kapjen e sistemit, por edhe me diçka tjetër me mekanizmat funksionalë të demokracisë.

Denoncimi i kryeministrit Rama për autoritarizëm, nuk po mishëron reagim dhe lëvizje publike. Aq më tepër, nuk po shkakton indicie publike.

Opozita duhet të marrë në konsideratë konkretisht raportin me dialektikën e sotme të zhvillimit shoqëror në raport me stanjacionin e udhëheqësimit politik të saj. Kjo opozitë nuk mund të mbetet e penguar nga fati individual i udhëheqësit tradicional të saj Sali Berisha. Kësaj strukture që mbetet në procesin e tejzgjatur kohor të destrukturimit të vetes i duhet të respektojë përcaktimin: “Kapërceva ty, e kapërceva veten!”

Pozicionimi i ri me një strukturë të përfaqësimit të spektrit shumëpartiak opozitar, është nevojë immediate. Nuk mund të bëhet dhe të nisë prej gjuhës së vjetër, nuk mund të ripërdoren armët e konsumuara të antagonizmit ideologjik antikomunist etj. Kjo jo vetëm që tingëllon demagogjike, por është zhvleftësuese e besimit

Qeverisjen e kryeministrit Rama nuk po e tundin akuzat për korrupsion dhe abuzivizëm financiar, por e trondisin shifrat financiare dhe aritmetikore të administrimit të buxhetit publik, të investimeve, të bilanceve financiare në financat publike dhe sidomos në të ardhurat buxhetore dhe ato të infrastrukturës.

Ndryshimet urbane, politikat financuese për qendrat urbane dhe projektet turistike e ato infrastrukturore në vend, nuk duhen kontestuar në mënyrë retorike dhe aq më tepër me nihilizëm partiak, por duhen analizuar, recensionuar me logjikën e ekspertëve dhe sidomos specialistëve largpamës për tregun, perspektivën dhe rentabilitetin e tyre në varësi të biznes-planeve të munguara dhe të projekteve shqyrtohen.

Zhvillimi i vendit në këtë dhjetëvjetësh është i ndodhur apo thjesht fragmentar dhe fasadë?! Çfarë ka inkurajuar ky zhvillim dhe deri ku shkon rezultati financiar i tij në ekonominë kombëtare dhe nivelin e të ardhurave për banor?! Sa e përgatitur është Shqipëria për tre apo katër dekadat e ardhme me këtë zhvillim dhe si shpjegohet fakti që ndërsa zhvillohet vendi dhe infrastruktura e tij, ndodh zbrazja demografike e vendit?!

Pse zhvillohet urbanizimi dhe infrastruktura e vendit dhe po varfërohen dy shtresat potenciale të shoqërisë, ajo e varfër dhe e mesme?

Pse po zbrazet demografikisht ky vend? Cili është projekti i zëvendësimit të emigrantëve në vendin bosh që le fuqia punëtore vendase, për shkak të ekzilit?!

Mirëqenia si realitet I pretenduar për qeverisjen socialiste është për shtresën e të pasurve, është proces i përqëndrimi të të ardhurave, buxhetit dhe financave publike në duar të një grupi që rëndom është cilësuar dhe emërtohen si oligarkë?!

Ndërkohë që në skajet e atdheut, në periferi, po rikthehen imazhet dhe subjektet migjeniane të mjerimit si “kafshatë që të mbet në fyt”.

Sektorë të tillë si arsimi, mjekësia publike dhe sidomos mundësia e kapaciteteve kombëtare për rekrutim dhe investim në administratën publike janë në një situatë kritike, dilema dhe perspektivë të rëndë.

Në sektorë të fuqishëm të ekonomisë dhe investimit shqiptar nuk ndihen dhe as vërrehen artikulime dhe diskutime prej ekspertësh të ekonomisë, specialistë të financave, administratorë të sistemit bankar dhe sidomos të zhvillimit urban. Krejt pushteti vendor edhe pse me ligj gëzon atribute vendimmarrjeje dhe qeverisjeje I pavarur prej pushtetit qendror Ekzekutiv, i është nënshtruar decentralizimit, duke e zëvendësuar me centralizmin qeverisës.

Ka disa kohë që në rajon dhe në gjendjen gjeopolitike ndërkombëtare ka zhvillime të cilat kanë tjetërsuar të gjitha trajektoret e deritanishme. Si përsa i përket zhvillimit të ekonomisë, politikave financuese për mbrojtjen dhe sigurinë, ashtu edhe për fusha të tjera që lidhen me tregëtinë ndërkombëtare dhe rrugët e furnizimit në zinxhirin global të furnizimit. Vendi ynë ndodhet në një moment dhe kohë komplekse.

Përsa i përket skemës tradicionale të buxhetit public, në tri fusha të rëndësishme nevoiten prioritete të tjera: Atë të mbrojtjes dhe sigurisë, financimeve dhe investimeve publike dhe sidomos marrëdhënieve mes tregut privat dhe atij publik si dhe në raport me fuqinë punëtore dhe kategoritë që përfshihen në sipërmarrje.

Kriza sociale është dy hapa para… Ajo kërkon një rikonceptim, dhe parashikim perspektiv të buxhetit financiar për të mos shkaktuar boomerang në vend.

Paketa sociale e pensioneve dhe sidomos kategorive në nevojë është një “gjëmë financiare” të cilën po na e paralajmërojnë shpesh ekspertët dhe njohësit me përvojë të kësaj fushe në nivel kombëtar.

Politikat taksuale në vend dhe sidomos ato penalizuese, po shkaktojnë ndëshkime operatorësh të nisura nga motive subjektive politike dhe patologji individuale qeverisësh dhe jo prej principesh të drejta ndëshkimesh që lidhen me ekonominë formale dhe ligjin veprues.

Qeverisja e kryeministrit Rama në tre mandate rresht dhe hamendësimet e natyrshme për mundësi të mandatit të katërt, nuk shquhet për simetri sipërmarrjesh investuese mes sektorëve dhe nevojave të shpejta. Investimet surprizuese si ai për Portin e Durrësit, apo për segmente rrugore që lidhen me hapësira të bregdetit të vendit, duket se nuk ndjekin perceptimin publik për rendin e prioriteteve. Ato janë produkt i vendimmarrjeve të studiuara dhe sidomos të përllogaritura si në logjikën e bilancit ashtu edhe atë të efektivitetit dhe rentabilitetit financiar, në kushte të refuzimit ose kapërcimit të nevojës për konsulenca publike.

Zinxhiri i akuzave dhe denoncimeve vijuese të opozitës ndaj qeverisë Rama dhe niveleve të qeverisjes vendore ka krijuar një lodhje ligjërimore në veshët dhe mendjen e publikut.

Diversiteti i opozitarizmit me sistemin e ri të drejtësisë për arsye të një konjukture dhe situate të ndenjur të ish udhëheqësit të PD-së, zotit Berisha, e ka sjellë marrëdhënien e opozitarizmit me drejtësinë e vendit në një raport antagonist, jo racional.

Qeverisësi atipik Edi Rama ka revolucionalizuar (duke e zëvendësuar në përmasa drastike administratën publike me kapacitetet dixhitale) dhe opozita oponencën e vet e ka fokusuar këmbëngulshëm tek fondi financiar i përdorur për këtë revolucion se sa tek analiza thelbësore eficencës dhe garancitë e sistemit, tek institucionalizmi dhe vlera reale modernizuese e kejt funksioneve që administrata dixhitale kryen për banorët e republikës.

Opozita e copëzuar si trupë politike, ka pamjaftueshmërisht besim dhe mbështetje. Kjo opozitë nuk ka forcën dhe aftësinë për të kapitalizuar pakënaqësinë qytetare ndaj qeverisjes Rama. Një qeverisje e konsumuar dhe e obezuar prej realitetit ”vetë vendos e vetë vulos”, domethënë e pakontrollueshme prej vektorëve dhe faktorëve, apo institucioneve kushtetuese kontrolluese, jeton fatin e tejzgjatur të mospasjes kundështarpër t’i lëshuar apo marrë vendin.

Kur opozita “nuk po bën veten”, nuk ka se si të marrë përsipër ndryshimin dhe aq më tepër, sjelljen e një qeverie të re.(!) Kundërshtarët politikë- partiakë dhe parlamentarë të kryeministrit Rama nuk janë ende pranë skemës së bashkimit, nuk kanë mbërritur ende në ndërgjegjësimin, për atë çka duhet të arrijnë për të bërë ndryshim.

Opozitarizmi i vitit të shkuar dhe aktualisht brenda Parlamentit e ka goditur imazhin e kundërshtarit Rama në sytë e ndërkombëtarëve, por nuk ka shtuar diçka për vete. Denoncimet opozitare në tri aspekte kanë shënuar brendi të paplota në tri beteja:

Në atë të kërkimit të së drejtës parlamentare ( komisionet hetimore parlamentare, ndryshimi i njëanshëm i rregullores së Parlamentit), në atë të akuzimit për afera dhe sidomos korrupsion lobues (çështja McChonichal) dhe në denoncimin e aferave të inceneratorëve, projekti i Portit të Durrësit, rrugët dhe sidomos mënyrën se si e ndryshon kabinetin qeverisës pa llogaritur, pyetur dhe konsultuar askënd prej institucioneve të partisë së tij) etj..

Kjo statusquo e ndaljes së mekanizmave funksionues të demokracisë institucionale, kontrolleve kushtetuese dhe ndërpushtetesh, e ka bërë më të plotfuqishëm kryeministrin Rama. Madje qartazi ai ka paralajmëruar çimentimin e mëtejshëm të pushtetit dhe dominencës së vet autoritare edhe përmes idesë për një objektiv politik të arritjes së 84 votave për ndryshime kushtetuese. Kjo opozitë, në këtë gjendje dhe me këto probleme, nuk i’a del dhe nuk ka asnjë potencialitet për ta ndalur, këtë synim të kryetarit të shumicës socialiste.

Atëherë cili do të jetë fati i së nesërmes së afërt dhe i të ardhmes vijuese ?

Dilema merr fund kur procesi destrukturues i opozitës ndalet dhe çelet një kapitull i ri politik, jo vetëm përbashkues, por së pari strukturues.

SHKARKO APP