Nga Ramiz Alia, Basha, Rama, Thaçi, Haradinaj te Kurti. Atentatet “në letër” ndaj liderëve

Atentatet në tentativë ndaj figurave të rëndësishme politike janë një praktike e njohur kryesisht në vendet që janë detyruar të përballen me sistemet totalitare. Atentatet ”në letër” nuk kanë munguar as përgjatë tranzicionit, ndërkohë janë të forta dyshimet se janë amplifikuar nga shërbimet sekrete të vendeve fqinje me objektiva konkrete destabilizimi.

Lulzim Basha

Sulmi kibernetik i hakerave të “Homeland Justice” nxori në dritë edhe një dokument të Drejtorisë së Anti-terrorit, sipas të cilit në 2017 ishte planifikuar një atentat ndaj Lulzim Bashës, në atë kohë Kryetar i Partisë Demokratike. Të dyshuarit si autorë që mund të kryenin një atentat të mundshëm ndaj liderit të opozitës ishin Afrim Morina, nga Gostivari, Arben Ymeri nga Prishtina, i njohur me nofkën “Japani”, ish luftëtar xhihadist në Siri si dhe Fatmir Gurgurovci nga Ferizaj. Këta persona u mbajtën për një kohë të gjatë nën vëzhgim. Pas tre viteve vëzhgim dhe veprimesh të tjera hetimore me asistencën e partnerëve ndërkombëtare Morina Ymeri dhe Gurgurovci rezultuan të pa implikuar ndaj dhe çështja u pushua.

Albin Kurti

Në tetor të 2021 kryeministri i Kosovës Albin Kurti, shtoi masat e sigurisë, pas sinjalizimit për një atentat kundër tij. Ndërkohë në dokumentet e publikuara nga hakerat e “Homeland Justicë” është edhe një dokument ne e-malet e Drejtorit të Policisë Gledis Nano, që jep detaje për atentatin në tentative ndaj Kryeministrit Albin Kurti. Në dokument theksohet se objektiv i atentateve mund të jenë edhe Ismet Haxha, ish zyrtar i SHIK dhe Xhavit Haliti, ish eksponent i UÇK-së njëherësh zyrtar i PDK. I dyshuari kryesor për atentatin është shtetasi Prek Tonaj, nga Dukagjini, sipas dokumenteve i përfshirë në disa ngjarje kriminale, por sot zyrtarisht ndaj tij ende nuk ka një akuzë.

Edi Rama

Pas protestës së 21 janarit të 2011 në telefonin e liderit të opozitës Edi Rama do vinte një mesazh kërcënimi nga shtetasi Luan Rami, pasi protestuesit i kishin djegur automjetin që ishte parkuar pranë godinës së qeverisë ditën e protestës. Policia dhe Shish vlerësuan se ndaj Edi Ramës mund të përgatitej ndonjë atentat në protestën homazh të 28 janarit, ndaj për këtë përfunduan në pranga me kërkesë të prokurorisë shtetasit Luan e Fatos Rami dhe Afrim Kica. Gjykata e Apelit vendosi lirimin e 3 qytetarëve nga Mati, duke i cilësuar jo konkrete provat e SHISH.

Hashim Thaçi

Në 2015 Shërbimet inteligjente të Malit të Zi si dhe Forcat e Sigurisë janë vënë në gjendje te gatishmërisë së lartë në kuadër të vizitës që Hashim Thaçi, atë kohë zv/kryeministër i Kosovës, do zhvillonte në këtë vend. Shërbimet sekrete dispononin informacion se qarqet nacionaliste serbe po përgatisnin një atentat. Këto dyshime ndikuan edhe në ndryshimin të agjendës dhe shtim të personelit të sigurisë gjatë vizitës, por vizita kaloi pa incidente.

Ramush Haradinaj

Në vitin 2018 pas vendosjes së taksave 100 % për produktet serbe, Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj mori kërcënime të ndryshme, përmes telefonit dhe rrjeteve sociale. Shumica prej kërcënimeve nuk u morën seriozisht nga organet kosovare të sigurisë, por sipas mediave në Kosove në atë periudhë kishte pasur edhe kërcënime me atentat, respektivisht kërcënime me jetë në adresë të kryeministrit. Hetimet u mbyllën pa rezultate konkrete.

Ramiz Alia

Në vitin 1983 Ramiz Alia që po përgatitej të merrte frerët e drejtim të partisë nisi një tur vizitash në verilindje të vendit. Gjatë vizitës në Has Sigurimi i Shtetit gjatë mitingut arrestoi disa pjesëtarë të fiseve Dauti Sefolli e Mazreku, teksa i akuzoi se kishin planifikuar një atentat me granatë ndaj Ramiz Alisë dhe porosia ishte dhënë nga UDB Jugosllave. Në përfundim të hetimeve për atentat në tentative u dënuan me pushkatim Uk Dauti dhe xhaxhai i tij Man Dauti, teksa Muç Dauti, Uk Mazrreku, Xhem Sefolli u dënuan me nga 25 vjet heqje lirie. /Abcnews.al/

SHKARKO APP