Nga Shqipëria – Mediat britanike: Kallashnikovët do të përdoreshin për sulm terrorist
Mediat britanike kanë raportuar se tre pushkët e tipit AK-47, të cilat do të dërgoheshin nga Shqipëria në një adresë në Londër, do të përdoreshin për një sulm terrorist ose krim të organizuar.
E përditshmja Daily Mail raporton se autoritetet shqiptare kanë mundur të ndërhyjnë dhe të parandalojnë dërgimin e armëve në Britani, përpara se ato të ngarkoheshin në aeroportin e Rinasit. Armët ishin mbështjellë me peshqirë dhe celofan brenda një kutie të DHL-së ku gjithashtu ishin vendosur rroba dhe letra.
Daily Mail shkruan më tej se policia anti-terroriste shqiptare kishte shtuar operacionet e vëzhgimit pas sulmeve terroriste që tronditën Barcelonën e Londrën. Zyrtarët nuk bënë të ditur adresën e synuar për shpërndarjen e këtyre armëve, por vetëm deklaruan se homologët e tyre britanikë ishin njoftuar lidhur me këtë ngjarje.
Pas konfiskimit, policia shqiptare arrestoi 32-vjeçarin Sajmir Çullhaj. Për këtë të fundit, thuhet se kishte marrë një urdhër për të lëvizur armët tre ditë përpara se ato të dërgoheshin në Britani.
Çullhaj ka refuzuar të japë më shumë detaje mbi prejardhjen e armëve, arsyen përse do të përdoreshin apo kujt do t’i dërgohehin, por policia shqiptare ka hedhur dyshimet se pushkët e tipit AK-47 do të përdoreshin në një sulm terrorist ose krim të organizuar, sipas Daily Mail. E përditshmja britanike gjithashtu raporton se kërkesa e tyre për koment nga një zëdhënës i DHL-së nuk ka marrë përgjigje.

