Ngadalësohen të ardhurat buxhetore, bie konsumi i karburanteve

Importi i hidrokarbureve në Shqipëri shënoi një rënie dramatike me 18% në muajin maj në krahasim me një vit më parë, dukshëm si pasojë e rënies së konsumit të shkaktuar nga kriza e çmimeve dhe duke paralajmëruar në këtë mënyrë telashe më të mëdha ekonomike për pjesën e mbetur të vitit.

Hidrokarburet janë mallra që përdoren për prodhimin e çfarëdolloj malli dhe shërbimi tjetër dhe për rrjedhojë, ecuria e konsumit të tyre shërben si tregues indirekt për pjesën tjetër të ekonomisë. Përgjatë periudhës pesëmujore janar-maj, Shqipëria importoi 214 mijë tonë karburante, me një rënie vjetore prej 6% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Para luftës në Ukrainë, importet e hidrokarbureve kishin rritje të konsiderueshme por që nga ajo kohë, çmimi i karburantit në vend është rritur nga 180 në 250 lekë për litër, një rritje prej 40%, gjë që dukshëm ka sjellë rënien e konsumit. Qeveria shqiptare ka shijuar rritjen dramatike të çmimeve të disa mallrave kyçë si karburantet dhe ushqimet, duke arkëtuar shuma të mëdha në buxhetin e shtetit, ndërsa ka injoruar thirrjet për të përdorur të ardhurat shtesë për të ushqyer konsumin, përmes uljes së taksave apo rritjes së përkrahjes sociale për shtresat në nevojë.

Gjatë periudhës janar-maj, qeveria ka arkëtuar 42 miliardë lekë ose rreth 350 milionë euro më shumë se sa një vit më parë dhe 130 milionë euro më shumë se sa plani i të ardhurave. Megjithatë, ritmi i rritjes së të ardhurave është ngadalësuar ndjeshëm në muajt e fundit duke reflektuar rënien e konsumit. Në muajin janar, të ardhurat e qeverisë u rritën në terma vjetorë me gati 30% ndërsa në maj, ritmi i rritjes vjetore ra në 17%.

Ritmi i rritjes së të ardhurave buxhetore këtë vit ka gjasa që realisht është më i ulët nga sa duket për shkak se reflekton një shkallë ndjeshëmmë të ulët të rimbursimeve të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, rimbursimet e TVSH-së këtë vit deri në maj ishin 6 miliardë lekë, nga 12 miliardë lekë që kanë qenë një vit më parë.

Ekonomistët në të gjithë botën po i druhen faktit që çmimet e larta të disa mallrave kyçë mund të shkaktojnë rënie të përgjithshme konsumi në ekonomi, pasuar nga rënia e investimeve dhe rritja e papunësisë, gjë që do të ushqejë nga ana e vet rënie të mëtejshme konsumi. Në rastin e Shqipërisë, stagflacioni ka gjasa që të shkaktohet më së shumti nga çmimi tejet i lartë i naftës, i cili është në nivele të tilla për shkak se qeveritë e ndryshme shqiptare, përfshirë atë aktualen, e kanë gjetur gjithmonë si rrugën më të lehtë të mbledhjes së të ardhurave buxhetore rritjen e taksave mbi karburantet.

Rënia e konsumit të karburanteve nuk tregon vetëm faktin që shqiptarët kanë përdorur më pak automjete, apo që kompanitë e ndërtimit kanë pezulluar punimet për shkak të rritjes së kostove, por edhe rënie të konsumit në zinxhirin e mallrave dhe shërbimeve që varen nga çmimi i naftës. Për shembull, nëse çmimi i lartë i naftës shtyn një qytetar nga Tirana të anulojë një fundjavë pushime, kjo sjell rënien e konsumit në restorante dhe hotele. Shqipëria ka aktualisht taksat më të larta të karburanteve në rajon dhe rrjedhimisht edhe çmimet më të larta.

Stagflacioni është një situatë ekonomike e vërejtur për herë të parë gjatë viteve 1980, kur vendet arabe vendosën të mos shesin naftë te vendet perëndimore si mjet presioni ndaj mbështetjes së perëndimit për Shteitn e Izraelit. Katërfishimi i çmimit të naftës në atë kohë bëri që inflacioni të qëndronte i lartë për një dekadë ndërsa rritja ekonomike ishte e paktë, pra në stanjacion. Situata sot nuk është e njëjtë me atë të viteve ’80 për shkak se çmimi i naftës kësaj here është rritur me 40% por nuk është katërfishuar.

Marrë nga Reporter.al

SHKARKO APP