Ngërçi në gjyqësor/ Daci: Gjykata Kushtetuese po kthehet në vend punësimi për të papunët

Avokati Jordan Daci në një intervistë për Ora News ka folur në lidhje me ngërçin e krijuar për rindërtimin e Gjykatës Kushtetuese në vendin tonë.

Sipas Dacit, Gjykata Kushtetuese ka mbetur peng për shkak të mosngritjes së Gjykatës së Lartë, ndërkohë që ka shtuar se në këtë proces ligji po shkelet.

“Gjykata Kushtetuese është peng i  mosngritjes së Gjykatës së Lartë, e cila është e vetmja që zhbllokon ringritjen e kushtetueses. Ligji kërkon që duhet të kemi tre kandidatura për secilin vend vakant, që në këtë rast nuk është. Pyetja që shtrohet është: Për hir të pasjes së një Gjykate Kushtetuese, a duhet ta shkelim ligjin?
Teoria e së drejtës nuk ta pranon, sepse nëse shkelim këtë ligj me këtë arsyetim, mund të shkelim edhe ligje të tjera me arsyetime të tjera. Asnjë arsyetim nuk pengon shkeljen e ligjit. Ligji kur është problematik mund të ndryshohet, por jo të shkelet. Nuk mund të fillojë Gjykata Kushtetuese duke shkelur ligjin. Këtë duhet t’ja heqim vetes si luks.

Përtej nevojës që kemi për ta ngitur, nuk e ngremë dot Gjykatën sepse i pari faktor politik vendimmarrës që është mazhoranca aktuale, nuk e lejon sepse është në konflik interesi. Gjithçka që ka ndodhur deri më tani, ka ndodhur edhe për shkak të pozicionimit të KED të mëparshëm, konkretisht kryetarit të saj që pengoi procesin”, ka thënë Daci.

Avokati Daci ka vijuar më tej duke thënë se Gjykata Kushtetuese është kthyer në një vend punësimi për të papunët, duke iu referuar kandidatëve të pakualifikuar.

“Jemi përballë një realiteti, ku Gjykata Kushtetuese po kthehet në një vend punësimi për ata që nuk kanë punë. Duhet të kemi parasysh që radhët që vijnë nga magjistratët për në Gjykatën Kushtetuese, janë të certifikuar nga pikëpamje perosnale, sepse janë gjyqtarë karriere dhe askush nuk mund të dalë dhe të thotë që nuk janë të zotët. Pyetja shtrohet për ata që vijnë nga burime të tjera, siç janë juristët e spikatur.

Fakti që dikush përpiqet të arsyetojë që është i spikatur, tregon që nuk është i tillë. Të thuash që je i spikatur në Gjykatën Kushtetuese do të thotë që duhet të jesh një emër i njohur në të gjithë rrjetin e juristëve, të kesh kontribuar me burime shkencore, me qëndrimi dhe studme, të kesh një vend të padiskutueshëm në plejadën e juristëve të këtij vendi. Këtë lloj kategorie njerëzish  nuk e kemi në radhët e atyre që po shikojmë sot për në Kushtetuese që konkurrojnë, me përjashtim të disa të tjerëve”, ka thënë avokati.

SHKARKO APP