Ngjarja në azil zbardhet nga policia, nën hetim drejtoresha, kujdestarja dhe infermieri
Policia e Gjirokastrës ka nisur procedim penal ndaj tre personave pas hetimeve të kryera për vdekjen e një 72-vjeçareje në Shtëpinë e të Moshuarëve në këtë qytet. Ngjarja ka ndodhur më 4 mars 2026 dhe fillimisht u dyshua se e moshuara kishte rënë aksidentalisht nga tarraca e institucionit ku qëndronte.
Sipas informacioneve zyrtare, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër kanë referuar materialet në Prokurori për dy vepra penale, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Në kuadër të këtyre hetimeve ka nisur procedimi penal ndaj shtetaseve me iniciale D. D., 50 vjeçe, me detyrë drejtoreshë e Shtëpisë së të Moshuarëve në Gjirokastër, si dhe Dh. Zh., 52 vjeçe, e cila ushtron funksionin e kryekujdestares në të njëjtin institucion. Të dyja akuzohen se mund të kenë shkelur detyrimet që lidhen me sigurinë dhe kujdesin ndaj personave të moshuar që qëndrojnë në këtë qendër.
Hetimet e kryera nga policia kanë zbardhur më tej rrethanat e ngjarjes. Nga veprimet hetimore dhe verifikimet e bëra rezulton se 72-vjeçarja me iniciale Sh. Z. nuk ka rënë aksidentalisht nga tarraca, siç dyshohej në fillim, por dyshohet se është vetëhedhur nga aty. Pas ngjarjes, e moshuara është transportuar me urgjencë për ndihmë mjekësore drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, por fatkeqësisht ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital.
Në vijim të hetimeve, policia ka referuar në Prokurori edhe materialet për nisjen e procedimit penal ndaj një personi të tretë. Bëhet fjalë për shtetasin M. H., 37 vjeç, banues në Gjirokastër, i cili punon si infermier në Spitalin Rajonal të qytetit. Sipas policisë, ai dyshohet se nuk ka njoftuar organet ligjzbatuese për faktin se 72-vjeçarja kishte humbur jetën, edhe pse kishte dijeni se për rastin kishin nisur hetimet.
Autoritetet po vijojnë veprimet hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të personave të përfshirë.
KOHA JONË SONDAZH

