Ngjarja/Në lokal i vendos pistoletën pas koke, por nuk i shkrep!
Një atentat që mund të kishte përfunduar në tragjedi është regjistruar mesditën e sotme në Elbasan. Pamjet e kamerave të sigurisë kanë fiksuar momentin kur një person i afrohet nga pas shënjestrës, i vendos armën në pjesën e pasme të kokës dhe tenton të qëllojë, por pistoleta nuk shkrep.
Ngjarja ndodhi rreth orës 14:50 në lokalin “Art Coffee Bistro”, në lagjen “Emin Matraxhiu”, në hyrje të Elbasanit.
Në pamjet e sigurisë, personi që ishte objektiv i sulmit shihet duke dalë qetësisht nga ambientet e brendshme të lokalit, i veshur me bluzë të zezë dhe pantallona të shkurtra. Ai ndalon për disa çaste pranë daljes, pa kuptuar rrezikun që i afrohej nga pas.

Në foto: Personi objekt për tu vrarë duke dalë me fanelë të zezë dhe personi ulur me një femër, me fanelë të bardhë e me një çantë të zezë krahëqafë që do të nxjerrë pistoletën


Në një prej tavolinave jashtë lokalit ndodhej personi që dyshohet si autor, i ulur në shoqërinë e një gruaje. Sapo shënjestra del, ai ngrihet, nxjerr një pistoletë nga çanta dhe vrapon drejt tij.
Sekondat që pasojnë janë dramatike. Autori e arrin nga pas dhe i vendos tytën e pistoletës në pjesën e pasme të kokës, duke tentuar të qëllojë. Por arma, sipas asaj që duket nga pamjet, nuk funksionon.
Shënjestra kupton çfarë po ndodh, kthen kokën dhe përpiqet t’ia largojë armën agresorit. Më pas largohet me vrap, ndërsa autori e ndjek për disa metra përpara se të largohet nga vendngjarja.
Sipas burimeve, objektivi i atentatit dyshohet se është Ermir Bitoci, i njohur edhe si Ermir Kërtezi. Ai mësohet se prej vitesh jeton jashtë Shqipërisë dhe kthehet në vend kryesisht gjatë periudhës së verës.
Emri i tij është përmendur ndër vite në Elbasan në raportime që lidhen me episode të periudhës së trazuar 1997-2000. Pas kësaj periudhe ai është larguar nga Shqipëria.
Në momentin e ngjarjes në lokal ndodheshin edhe klientë të tjerë, ndërsa tentativa me armë ka shkaktuar panik.
Deri tani, Policia nuk ka konfirmuar zyrtarisht identitetin e personit të sulmuar dhe as dinamikën e plotë të ngjarjes.
Hetimet vazhdojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e motivit. Pamjet e kamerave të sigurisë pritet të jenë një prej provave kryesore të hetimit.
Një defekt i mundshëm i armës duket se ka bërë diferencën mes një atentati të mbetur në tentativë dhe një vrasjeje në mes të ditës në Elbasan.

Në foto: Femra me të cilën ishte ulur autori që donte të vriste një person
Elbasan/ Finalizohet operacioni policor i koduar ‘Reagimi’
Tentoi të vriste me armë zjarri një shtetas, reagimi në kohë dhe me profesionalizëm i shërbimeve të Policisë çon në pranga autorin e dyshuar.
Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë me të cilën autori tentoi të vriste 50-vjeçarin.
Pas marrjes së njoftimit, rreth orës 13:00, se në ambientet e jashtme të një lokali, në lagjen ‘28 Nëntori’, Elbasan, një shtetas kishte tentuar të vriste me armë zjarri shtetasin E. K., 50 vjeç, shërbimet e Policisë organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Falë reagimit të menjëhershëm të Policisë dhe veprimeve profesionale të kryera në kuadër të operacionit ‘Reagimi’, u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar, shtetasit P. B., 52 vjeç.
Njëkohësisht, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, armën e zjarrit pistoletë me të cilën autori tentoi të vriste 50-vjeçarin.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

KOHA JONË SONDAZH

