Ngrihet “super-agjencia” e shpronësimeve, Qeveria: Do veprojë edhe me kërkesa të privatëve
Kompetencat për shpronësimet do të kalojnë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tek një Agjenci e ngritur posaçërisht për këtë qëllim. Ministria e Infrastrukturës sapo ka hedhur për konsultim një projekt-akt me disa ndryshime në ligjin për shpronësimet. Aty argumentohet se ndryshimet e propozuara vijnë si domosdoshmëri për të përmirësuar procedurat e shpronësimit që vjen si rezultat i përvojës së deri tanishme me zbatimin e këtij ligji.
Gjatë punës në zbatim të këtij ligji, janë evidentuar nevoja për të saktësuar aspekte procedurale në fushën e shqyrtimit të kërkesave për shpronësim, duke i përqendruar kompetencat në një institucion të vetëm, theksohet në projekt-akt. Ajo që bie në sy në projektligj është se Agjencia Shtetërore e Shpronësimeve mund të vihet në lëvizje edhe me kërkesë të subjekteve private.
“Kur shpronësimi është kryer me kërkesën e një subjekti juridik privat, ministri qe ka në varësi Agjencinë Shtetërore për Shpronësimin (ASHSH), i kërkon ASHSH që mbi kërkesën paraprake të këtij subjekti, të kërkojë kalimin e pronësisë së pasurive të shpronësuara nga shteti në favor të subjektit privat që ka kërkuar shpronësimin, me kushtin që të jetë vërtetuar sipas ligjit realizimi i ndërtimit ose investimit për interes publik, për të cilin është kryer shpronësimi.”, thekson projektligji. /Scan