Historia e KJ/Nikoll Lesi me 29 janar 1994: Vetura, mikrobusë policie dhe sampistë te zyrat e Gazetës “KJ”

Dyluftimi mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe stafit tonë vazhdon. Të dy palët kemi bërë kallëzim për ndjekje penale. Ata ndaj nesh, për nxjerrje sekreti dhe stafi ynë ndaj zëdhënësit të tyre për shpifje dhe fyerje publike. Porse Prokuroria e Tiranës e shikoi më të arsyeshme të merrej me padinë që ka bërë pala tjetër, ndërkohë që vetë Kryeprokurori i Tiranës, zoti Arben Qeleshi më tha se do të merremi me padinë tuaj ndaj Pandeli Ristanit, zëdhënës i Ministrit të Mbrojtjes. Kryeprokurorit Qeleshi, me sa duket i ka mbetur merak që asokohe, pra në mars të vitit të kaluar, nuk arriti dot të burgoste kolegun tim Aleksandër Frangaj. Ishte po Ministri Zhulali që kishte bërë padinë, ishte po ky Kryeprokuror, që asokohe e lakmonte këtë post, që firmosi arrestin për Frangajn. Kështu që edhe dje para Redaksisë sonë “mbinë” policë dhe vetura të policisë, të cilët drejtoheshin nga një oficer policie me emrin Arben Prendi, i cili hyn dhe del lirshëm në burgun e Tiranës. Ai kërkonte së bashku me policët e tjerë gazetarin Martin Leka. Në brez i shkëlqenin hekurat, të cilat sapo kishin ardhur nga kontigjenti i ndihmave për Shqipërinë. Gjithsesi prangat ishin të reja dhe vezullonin, porse jo për duart e gazetarit tonë, i cili ka shkruar një të vërtetë në lidhje me urdhëresën e Ministrit Zhulali.

A mund t’ju pyesim zoti Prokuror se ç’duan gjithë ato policë te dera e gazetës “Koha Jonë”? Ç‘duan veturat dhe mikrobusët e policisë, që sillen tërë tersllëk pranë zyrës sonë? Më pas ju zoti Qeleshi me firmën tuaj keni dërguar dje në orën 14.20 një shkresë që gazetari M. Leka dhe Kryeredaktori A. Frangaj të paraqiten në Prokurori më datë 30 Janar, ora 8.30 (ditën e diel). Kjo është bërë rreth katër orë pasi te zyrat demonstruan prangat e policëve. Mllefi dhe inati juaj arrin deri aty sa në shkresën e djeshme të orës 14.20, të cilën e keni shkruar me urgjencë, keni harruar të vini datën e shkresës dhe numrin e protokollit element të domosdoshëm për një shkresë zyrtare e aq më tepër për një organ që merret me zbatimin e ligjeve dhe rregullave. Çfarë kërkoni prej nesh: të shkelim ligjet, të fyejmë korrespondentët dhe bashkëpunëtorët tanë, të nxjerrim burimin e informacionit të kësaj urdhërese të Ministrit Zhulali? Cila redaksi në botë do ta bënte këtë, pra të nxirrte burimin e informacioneve të saj? Cila redaksi do të zhytej në një turp të tillë? Meqenëse po e kërkoni po jua themi publikisht: Kurrë nuk keni për ta mësuar këtë burim informacioni! As edhe të tjerat!

A e dini, zotërinj të Prokurorisë të Tiranës se në ligjin nr. 7756, datë 11.10.1993 “Për shtypin” në nenin 23 thuhet: “Redaktorët, gazetarët, botuesit, publikuesit, shtypshkronjat dhe të tjerë që marrin pjesë profesionalisht në përgatitjen dhe publikimin e një botimi shtypi periodik kanë të drejtë të refuzojnë dhënien e dëshmisë në lidhje me botuesin, korrespondentin, apo personin garant të një publikimi në pjesën redaksionale të botimit të shtypit apo të një njoftimi të dhënë për publikim si dhe për përgatitjen e tij”? Pra logjika të çon se nuk keni punë me gazetarët në këtë rast. Porse ju vazhdoni të çoni ftesa për Prokurori për gazetarët dhe veturat e policisë te dera e redaksisë, çojini pasi të paktën tremben hajdutët e lagjes!

Le të vazhdojmë edhe më tej. Nëse jeni me të vërtetë për zbatimin e ligjit përse nuk shikoni se urdhëresa e zotit Zhulali është në kundërshtim flagrant të nenit 5 të ligjit nr. 7496 “Për statusin e ushtarakut”. Ja se çfarë thotë neni në fjalë: “Ushtaraku, gjatë kryerjes së shërbimit dhe jashtë tij, ka të drejtë të mbajë dhe të përdorë armën vetjake sipas dispozitave ligjore”. Ligji thotë se e ka këtë të drejtë ushtaraku. Përse atëherë urdhri i një Ministri del mbi ligjin e Parlamentit? Kush do hetuar, Zhulali, vartësit e tij për nxjerrjen e urdhëresës apo “Koha Jonë”?

Dhe së fundi: si mund të jetë sekret një urdhëresë e tillë, e cila do t’i komunikohej gjithë ushtrisë sonë? Si mund të jetë sekret një letër e tillë, e cila është shpërndarë në kushedi sa kopje? Dyluftimi vazhdon. Ju me kërcënime, e policinë, ndërsa ne me fjalën e lirë të shkruar./Nikoll Lesi/

SHKARKO APP