Nikolla takon Jurgen Uldedaj, fituesin e dy Medaljeve Bronz në Kampionatin Evropian të Boksit

Ministrja përgëzoi sportistin Uldedaj për rezultatet e arritura si dhe i uroi atij suksese në të ardhmen.

Nga ana e tij, Presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, Gjergj Liqejza, përgëzoi ministren Nikolla, për riorganizimin e sportit në shkolla, sidomos për nismën e rritjes së orëve të edukimit fizik si dhe për mënyrën e re të financimit të sportit.

Kjo është hera e dytë që Jurgen Uldedaj merr Medaljen e Bronzit në kampionat evropian, pas rezultatit të arritur vitin e kaluar në Rusi, ku boksieri ngriti për herë të parë flamurin shqiptar në podiumin e medaljeve në Kampionatin Evropian për moshat 15-16 vjeçare.

Shqipëria u përfaqësua në Kampionatin Evropian të Boksit me sportistët Krenar Zeneli, Rexhildo Zeneli, Erald Muhja dhe Jurgen Uldedaj.

Brenda dy viteve Shqipëria ka arritur të fitojë rreth 12 Medalje Ari dhe Argjendi në turne të ndryshëm ndërkombëtarë, por edhe tre Medalje Bronzi në kampionate evropiane, dy prej Uldedajt dhe një prej sportistit Rexhildo Zeneli në Kampionatin Evropian për të Rinj vitin e kaluar në Hollandë.

Jurgen Uldedaj është sportisti që Federata Shqiptare e Boksit ka propozuar për Lojërat Evropiane në Baku, 2015.

SHKARKO APP