Nis gara për studimet master, ja rregullat
Nis gara e aplikimit për kandidatët që duan të vijojnë studimet e nivelit të dytë, në programet “Master shkencor” dhe “Master profesional”për sistemin e ditës. Ndonëse, nuk është shpallur ende vendimi konkret për kuotat e pranimeve, si dhe ndryshimet që mund të pësojnë tarifat e studimeve në këtë cikël, fakultetet publike kanë çelur fazën e aplikimeve, ku mund të konkurrojnë të gjithë kandidatët që kanë mbaruar me sukses studimet e nivelit 3-vjeçar “Bachelor”. Njëkohësisht janë përcaktuar edhe kriteret që do të zbatohen në përzgjedhjen e fituesve për çdo program studimi. Për të fituar të drejtën e studimit në një nga programet master, çdo i diplomuar në fakultetet publike dhe private të vendit, duhet të dorëzojë sipas afateve të përcaktuara dosjen me dokumentet e kërkuara. Në varësi të fakulteteve faza e aplikimeve deri në mbyllje të muajit. Risi në konkurrim gjatë këtij viti do të jetë edhe detyrimi i njohjes së një prej 5 gjuhëve të huaja të BE-së, certifikata e të cilës duhet të jetë pjesë e dosjes së dokumenteve. Sipas programeve është përcaktuar edhe niveli i njohjes së gjuhës së huaj që kërkohet për çdo program studimi.
Gara për masterin në Fakultetin Ekonomik
Çdo student i diplomuar në ciklin e parë të studimeve të larta përgjatë këtij viti, apo viteve të shkuara duhet të dorëzojë dosjen e kërkuar të dokumenteve pranë sekretarisë mësimore të vendosur në dispozicion të aplikuesve. Për programet e këtij fakulteti, pranimi i dosjeve të konkurrimit do të vijojë deri në datën 19 tetor. Pas këtij afati, komisionet e përzgjedhura të ekspertëve, do të verifikojnë një e nga një të gjitha aplikimet, dhe në varësi të kritereve të përcaktuara do të shpallin fituesit sipas kuotave të miratuara për çdo program studimi. Të drejtën e konkurrimit për këtë nivel studimesh e kanë të gjithë ata kandidatë që kanë kryer studimet në fakultetet publike, ku janë pajisur me diplomën përkatëse, në një program të ciklit të parë “Bachelor”, ose në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë, i cili rezulton i akredituar në momentin e diplomimit të studentit. Gjithashtu të drejtë konkurrimi kanë edhe të gjithë ata kandidatë që janë diplomuar jashtë vendit, por me kushtin që të kenë përfunduar procedurat e njehsimit të diplomave përkatëse pranë MAS. Sa i takon procedurës së aplikimit, sqarohet se kandidati duhet të paraqitet personalisht dhe të dorëzojë dosjen e dokumenteve të përcaktuara. Në dojse duhet të përfshihen: “Diploma, ose fotokopja e njësuar me origjinalin për studimet e kryera të ciklit të parë. Për diplomat e fituara jashtë vendit duhet vërtetimi i njohjes së saj nga MAS, e shoqëruar edhe me fotokopje të diplomës të njësuar me origjinalin. Kandidati duhet të dorëzojë edhe diplomën e Maturës Shtetërore, së bashku me certifikatën e notave, ose fotokopje të tyre të njësuar me origjinalin, të konfirmuara nga njësia përkatëse arsimore vendore. Kandidatët që e kanë kryer shkollën e mesme para vitit 2010, duhet të dorëzojnë origjinalin e Dëftesës së Pjekurisë. Nëse nuk posedojnë këtë dokument, mund të paraqesin edhe dublikatë të saj të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme, nën firmën e njësisë përkatëse arsimore, si dhe firmave të lëshuara nga Arkivi i Shtetit, së bashku me listën e notave”. Kandidatët që kanë kryer shkollën e mesme jashtë vendit duhet të dorëzojnë dokumentin e njohjes të lëshuar nga AKP, të shoqëruar me fotokopje të njësuar me origjinalin në vendin tonë. Pjesë e dosjes duhet të jenë edhe formulari i aplikimit mbi përzgjedhjen e programeve të preferuara, deklarata e aplikantit ku konfirmon se nuk po vijon studimet në një tjetër program paralelisht, mandat pagesa e tarifës së aplikimit prej 2.500 lekësh, fotokopja e dokumentit të identifikimit, dy fotografi personale, si dhe fotokopja e noterizuar e gjuhës së huaj, e cila kërkohet vetëm për “Masterin shkencor”, sipas niveleve të vendosura në udhëzimin e MAS.
Kriteret e përzgjedhjes së fituesve
Sipas autoriteteve të Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës, kriteri bazë i përzgjedhjes për fituesit bazohet në mesataren e përgjithshme të ponderuar të studimeve 3-vjeçare “bachelor”, brenda kuotave të miratuara për çdo program. Gjithashtu janë përcaktuar edhe 5 përparësi që do të shoqërojnë kriterin bazë në shpalljen e kandidatëve fitues për pranimet e reja që do të realizohen në këto programe gjatë vitit akademik 2016-2017. Përparësi të parët në përzgjedhje kanë aplikantët e diplomuar në Fakultetin e Ekonomisë dhe fakulteteve të tjera të Universitetit të Tiranës. Më pas prioritet në përzgjedhje do të kenë të diplomuarit jashtë vendit. Pas tyre, prioritet në përzgjedhje do kenë të diplomuarit në universitetet e tjera publike të vendit që janë me profil ekonomik, si dhe ata me profil jo-ekonomik. Ndërkohë që më të pakta shanset janë për studentët e diplomuar në strukturat private të arsimit të lartë. Përë këtë kategori gjithçka varet nga numri i kuotave të pranimit që janë në dispozicion të çdo programi studimi.
Kriteret për fituesit
- Kriteri bazë i përzgjedhjes është mesatarja e përgjithshme e ponderuar e studimeve “bachelor” brenda
Përzgjedhja do bazohet në përparësitë e mëposhtme:
- Së pari, përparësi kanë aplikantët e diplomuar në Fakultetin e Ekonomisë dhe fakultetet e tjera të UT.
- Së dyti, përparësi kanë aplikantët e diplomuar në universitetet e huaja.
- Së treti, aplikantët e diplomuar në universitetet publike me profil ekonomik.
- Së katërti, aplikantët e diplomuar në universitetet publike me profil jo ekonomik.
- Së pesti, aplikantët e diplomuar në universitete private.
KUSH MUND TË APLIKOJË?
Për programet master shkencor në “Ekonomiks” dhe master profesional në “Studime Ekonomike Evropiane” konkurrojnë:
- Të gjithë kandidatët që kanë mbaruar studimet universitare në Fakultetin Ekonomik të UT-së, dhe kanë të paktën një diplomë të nivelit “bachelor”.
- Të gjithë aplikantët që kanë një diplomë “bachelor” në fakultetet e tjera ekonomike, si dhe në degët matematikë, fizikë, informatikë, inxhinieri, të marra nga institucione të arsimit të lartë publike, ose jopublike, të huaja dhe vendase, por me kusht që të jetë bërë njohja e tyre sipas rregullores së fakultetit dhe MAS.
Për masterin shkencor në “Administrim Biznesi”, konkurrojnë:
- Të gjithë aplikantët që kanë mbaruar studimet “bachelor” në degët përkatëse të Ekonomikut.
- Të gjithë studentët që kanë një diplomë “bachelor” në fushën e ekonomisë dhe të biznesit, të fakulteteve të tjera ekonomike në publik dhe privat, si dhe ato të fituara jashtë vendit e që janë njehsuar nga MAS.
- Të gjithë studentët që kanë një diplomë “bachelor” në Agrobiznes të fakulteteve të tjera të ekonomisë në publik dhe privat, apo shkolla të huaja, për të cilat është bërë edhe njohja e titujve të studimit nga MAS.
Për masterin profesional në “Administrim Biznesi”, konkurrojnë:
- Të gjithë aplikantët që kanë mbaruar studimet “bachelor” në degët përkatëse të këtij fakulteti.
- Të gjithë studentët që kanë një diplomë të nivelit të parë në fushën e ekonomisë dhe të biznesit, të fituar në fakultetet e tjera ekonomike të shkollave publike dhe jopublike, vendase dhe të huaja, që kanë kaluar dhe procesin e njohjes nga MAS.
- Të gjithë studentët që kanë një diplomë “bachelor” në AgroBiznes të fakulteteve të tjera të ekonomisë.
Për masterin shkencor në “Administrim Publik”, konkurrojnë:
- Të gjithë aplikantët që kanë mbaruar studimet e nivelit 3-vjeçar pranë Ekonomikut.
- Të gjithë studentët që kanë një diplomë “bachelor” në fushën e ekonomisë dhe të biznesit të fakulteteve të tjera ekonomike në institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat, apo dhe të huaja, për të cilat është kryer dhe procesi i njehsimit të titullit të studimit nga MAS.
- Të gjithë studentët që kanë një diplomë “bachelor” në Punë Sociale, Juridik dhe Agrobiznes të fakulteteve të tjera të ekonomisë të shkollave publike dhe jopublike.
Për masterin profesional në “Administrim Publik”, konkurrojnë:
- Të gjithë kandidatët që kanë mbaruar studimet “bachelor” në degët përkatëse të Ekonomikut.
- Të gjithë studentët që kanë një diplomë tre vjeçare të ciklit të parë në fushën e ekonomisë dhe të biznesit të fakulteteve të tjera, qofshin këto publike apo private, si brenda dhe jashtë vendit. Edhe në këto raste duhet detyrimisht të jetë kryer njehsimi i titullit të studimit të fituar jashtë vendit.
- Të gjithë studentët që kanë një diplomë “bachelor” në Shkenca Sociale, Shkenca Politike, Drejtësi dhe Agrobiznes të fakulteteve të tjera publike dhe jopublike.
Për masterin shkencor dhe atë profesional në degën “Kontabilitet dhe Auditim”, konkurrojnë:
- Të gjithë kandidatët që kanë mbaruar studimet universitare në këtë fakultet, si dhe kanë të paktën një diplomë “bachelor” në Financë-Kontabilitet dhe Administrim Biznes.
- Të gjithë studentët që kanë një diplomë “bachelor” të fakulteteve të tjera ekonomike të shkollave publike ose jopublike, vendase dhe të huaja.
- Të gjithë studentët që kanë një diplomë “bachelor” në Informatikë Ekonomike, Ekonomiks të Fakultetit të Ekonomisë në UT, si dhe Administrim Biznesi të fakulteteve të tjera qofshin këto publike apo private.
Për masterin shkencor në “Financë”, masterin profesional në “Financë”, master profesional në “Bankë”, master profesional në “Sigurime” (60 kredite), si dhe masterin profesional në “Financat e Ndërmarrjes” (, 60 kredite) mund të aplikojnë:
- Të gjithë studentët që kanë mbaruar studimet universitare në këtë fakultet dhe kanë një diplomë “bachelor” në Financë-Kontabilitet dhe Administrim Biznes.
- Të gjithë studentët që kanë një diplomë “bachelor” në degët Ekonomiks dhe Informatikë Ekonomike të Fakultetit të Ekonomisë në UT, pas plotësimit të njohurive të tyre formuese.
- Të gjithë studentët që kanë një diplomë “bachelor” në Financë-Kontabilitet dhe Administrim Biznesi në fakultete të tjera të ekonomisë publike dhe jopublike.
Për masterin profesional në “Financë, Kontabilitet dhe Auditim”(60 kredite), garojnë:
- Të gjithë studentët që kanë mbaruar studimet universitare në Ekonomik të Ut-së dhe kanë një diplomë të nivelit “bachelor” në Financë-Kontabilitet.
- Të gjithë studentët që kanë një diplomë “bachelor” në degën Administrim Biznesi të po këtij fakulteti, pas plotësimit të njohurive të tyre formuese.
- Të gjithë studentët që kanë një diplomë “bachelor” në Financë-Kontabilitet në fakultete të tjera të ekonomisë në publik e privat.
Për masterin shkencor në “Sisteme Informacioni në Ekonomi”, dhe “Siguria e Informacionit”, si dhe për materin profesional në “Sisteme Informacioni në Ekonomi” garojnë:
- Të gjithë kandidatët që kanë mbaruar studimet “bachelor” në këtë fakultet në degën Informatikë Ekonomike.
- Të gjithë studentët që kanë një diplomë “bachelor” në Informatikë, Teknologji Informacioni të FSHN-së në UT, Inxhinieri Informatike dhe Inxhinieri Elektronike të UPT-së, dhe të gjitha diplomat “bachelor” të fakulteteve të tjera publike, ose jopublike, pasi të jetë bërë njohja e tyre.
- Të gjitha diplomat “bachelor” në Ekonomiks, Administrim Biznesi dhe Financë, të Fakultetit të Ekonomisë në UT.
Për masterin profesional në “Teknologji Informacioni dhe Menaxhimi i Proceseve të Biznesit” aplikojnë:
- Të gjithë kandidatët që kanë mbaruar studimet “bachelor” në këtë fakultet në degën Informatikë Ekonomike.
- Të gjithë studentët që kanë një diplomë “bachelor” në Informatikë, Teknologji Informacioni, Matematikë të FSHN-së në UT, Inxhinieri Informatike dhe Inxhinieri Elektronike të UPT-së, dhe të gjitha diplomat e tjera të po këtij niveli në fakultetet private.
- Të gjitha diplomat “bachelor” në Ekonomiks, Administrim Biznesi dhe Financë të Fakultetit të Ekonomisë, UT si dhe degë të ngjashme me to.
Për masterin shkencor “Kërkime Operacionale në Menaxhim”, garojnë:
- Të gjithë studentët që kanë mbaruar nivelin e parë në degët Informatikë Ekonomike, Administrim Biznes, Financë-Kontabilitet dhe Ekonomiks të këtij fakulteti.
- Të gjithë studentët që kanë një diplomë “bachelor” në Informatikë, Teknologji Informacioni, Matematikë të FSHN-së, Inxhinieri Informatike dhe Inxhinieri Elektronike të UPT-së, dhe të gjitha diplomat e tjera “bachelor” të fakulteteve të tjera publike ose jopublike, vendase dhe të huaja, pasi të jetë bërë njohja e tyre sipas rregullores së fakultetit dhe që përkojnë me formimet e mësipërme, ose të ngjashme me to.
Për masterin shkencor në “Marketing”, konkurrojnë:
- Të gjithë studentët që kanë mbaruar nivelin e parë në degën Administrim Biznes të këtij fakulteti.
- Të gjithë studentët që kanë mbaruar studimet “bachelor” në degët e tjera të Fakultetit të Ekonomisë.
- Të gjithë studentët që kanë një diplomë të nivelit të parë në fushën e ekonomisë dhe të biznesit të të fituar në fakultetet e tjera ekonomike, publike apo private të vendit, si dhe ato të fituara jashtë vendit, por që më parë kanë kaluar procesin e njohjes nga MAS.
- Të gjithë studentët që kanë një diplomë “bachelor” në Agrobiznes, të fakulteteve të tjera të ekonomisë.
Për masterin shkencor në “Turizëm”, konkurrojnë:
- Të gjithë studentët që kanë mbaruar nivelin e parë në degën Administrim Biznes të këtij fakulteti.
- Të gjithë studentët që kanë mbaruar studimet “bachelor” në degët e tjera të Fakultetit të Ekonomisë.
- gjithë studentët që kanë një diplomë të nivelit të parë në fushën e ekonomisë dhe të biznesit të të fituar në fakultetet e tjera ekonomike, publike apo private të vendit, si dhe ato të fituara jashtë vendit, por që më parë kanë kaluar procesin e njohjes nga MAS.
- Të gjithë studentët që kanë një diplomë “bachelor” në Punë Sociale, Juridik dhe Agro- Biznes, Inxhinieri, Filologji dhe të fakulteteve të ekonomisë të shkollave publike dhe jopublike, vendase e të huaja, pasi të jetë bërë njohja e tyre sipas rregullores përkatëse të fakultetit dhe departamentit dhe udhëzimeve përkatëse të MAS.
Për masterin profesional në “Marketing”, garojnë :
- Të gjithë studentët që kanë mbaruar nivelin e parë në degën Administrim Biznes të këtij fakulteti, si dhe në degë të tjera të po këtij institucioni.
- Të gjithë studentët që kanë një diplomë të nivelit të parë në fushën e ekonomisë dhe të biznesit të të fituar në fakultetet e tjera ekonomike, publike apo private të vendit, si dhe ato të fituara jashtë vendit, por që më parë kanë kaluar procesin e njohjes nga MAS.
- Të gjithë studentët që kanë një diplomë “bachelor”, në Agrobiznes të fakulteteve të ekonomisë të shkollave publike dhe jopublike, vendase e të huaja, si dhe të profileve inxhinierike, shkencave sociale, të gjuhëve të huaja, histori, gjeografi, etj. Këto pasi të jetë bërë njohja e tyre sipas rregullores përkatëse të fakultetit. Në varësi të rregullores së këtij fakulteti mund të kërkohen njohuri formuese ekonomike për disa profile të caktuara.
Për masterin profesional në “Turizëm” do konkurrojnë:
Të gjithë studentët që kanë mbaruar nivelin e parë në degën Administrim Biznes të këtij fakulteti, si dhe në degë të tjera të po këtij institucioni, si dhe ata që kanë fituar një diplomë të ngjashme jashtë vendit.
Po ashtu do konkurrojnë edhe studentët që kanë një diplomë “bachelor” në Shkenca Sociale, Shkenca Politike, Drejtësi, Agrobiznes, Shkencave Inxhinierike të fakulteteve të ekonomisë të shkollave publike dhe jopublike, vendase e të huaja. Në të gjitha këto raste, pranimi i studentëve kërkon paraprakisht njohjen e tyre sipas rregullores përkatëse të fakultetit.
KOHA JONË SONDAZH

