Nis gushti i nxehtë, braktiset kryeqyteti

Sapo ka hyrë muaji gusht dhe rrugët e kryeqytetit po boshatisen pak e nga pak.
 
Kryeqytetasit kanë marrë pushimet dhe u janë drejtuar plazheve të vendit apo edhe atyre jashtë Shqipërisë.
 
Dy javët e para të gushtit, kur është edhe piku i sezonit turistik, Tirana e zhurmshme kthehet në një qytet të qetë dhe të nxehtë ku edhe ata që ndodhen ende në kryeqytet, për t’u freskuar u drejtohen pishinave në periferi.
 
Mbrëmja në Tiranë është disi më e gjallëruar dhe kjo kryesisht në disa zona, falë lokaleve të natës për të rinjtë që i japin jetë qytetit me muzikën e tyre. Të gjithë ata që nuk i janë drejtuar bregdetit frekuentojnë këto lokale si një ndër të paktat mundësi argëtimi në kryeqytet.
 
Ajo që vihet re në rrugët e kryeqytetit është prania e shumë e turistëve të huaj, amerikanë, anglezë dhe nga vendet e rajonit, që kanë preferuar të vizitojnë vendin tonë dhe që me aparate në dorë fotografojnë atë çka atyre u duket e veçantë.
 
Tiranës i kthehet gjallëria në muajin shtator, kur përveç fundit te sezonit turistik, fillon sezoni i ri artistik në institucionet kulturore. 

SHKARKO APP