Nis Kreshma e Madhe për besimtarët ortodoksë, thirrja e Kryepeshkopit Joan për reflektim
Të krishterët ortodoksë nisin më 23 shkurt Kreshmën e Madhe, periudhën përgatitore drejt Pashkës, një kohë e veçantë reflektimi, pendese dhe ripërtëritjeje shpirtërore. Në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Joan, thekson se Kreshma nuk është thjesht një traditë fetare, por një udhëtim i thellë drejt Zotit, ashtu si vetë jeta e njeriut është një ecje e vazhdueshme drejt Tij.
Sipas Kryepeshkopit, njeriu nuk mund të gjejë lumturinë e vërtetë nëse shpirti i tij nuk prehet te Zoti. Ai vëren se shumë njerëz, edhe kur mendojnë se besojnë, kanë humbur qëllimin e jetës dhe “veten” e tyre, duke u shpërqendruar nga dëshira për kënaqësi, pushtet apo pasuri. Duke iu referuar paravolisë së djalit plangprishës, ai thekson se kthimi fillon vetëm kur njeriu “vjen në vete” dhe kupton gjendjen e tij shpirtërore.
Kreshma, sipas tij, kërkon përpjekje, sakrificë dhe privime, të cilat nuk janë ndëshkim, por mjete shërimi dhe çlirimi nga pasionet. Ashtu si populli i Izraelit kaloi nëpër shkretëtirë për të arritur në tokën e premtuar, edhe besimtari duhet të kalojë përmes vështirësive për të rifituar afërsinë me Zotin. Kufizimet dhe “mos”-et e Shkrimit të Shenjtë nuk janë pengesë për lirinë, por mbrojtje dhe udhërrëfyes drejt saj.
Ai nënvizon se pendimi i vërtetë nuk është thjesht pranimi i gabimit, por ndezja e një malli të thellë për shtëpinë e Atit. Kreshma është një mundësi për ta filluar ose rifilluar këtë udhëtim, me besim dhe gëzim, sepse siç shprehet ai nuk ka gëzim më të madh se ai që buron nga kthimi dhe afrimi me Zotin.
KOHA JONË SONDAZH

