Nis rindërtimi i shkollës “Emin Duraku”, Veliaj: Do jetë ndër më të bukurat në rajon

Shkolla 9-vjeçare “Emin Duraku” në zonën e ish-Bllokut po rindërtohet dhe në shtator të këtij viti do të presë nxënësit e saj, në një godinë të re, me hapësira moderne, njësoj si të gjitha shkollat e tjera të rindërtuara në Tiranë.

Me një kapacitet prej 1300 nxënësish, kjo shkollë, e cila gjithashtu u dëmtua nga tërmeti, do të ketë në përfundim të saj 51 klasa, 6 laboratorë, bibliotekë, si dhe dy palestra, të cilat mund të përdoren nga fëmijët jashtë orarit mësimor.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, vizituan kantierin e shkollës, rindërtimi i së cilës është financuar nga Bashkimi Europian dhe PNUD.

Dua të sqaroj se loti i fundit i shkollave, që po rindërtojmë pas dëmtimit nga tërmeti, është një lot ku porositësi është Bashkia e Tiranës, por zbatimi dhe financimi bëhet nga një partneritet midis Bashkimit Europian dhe PNUD-it. Kjo do të thotë se është respektuar edhe cikli i tyre i burokracisë, por ka edhe një shprehje: “Kalit të dhuruar nuk i shihen dhëmbët”. Për sa kohë që, ky financim vjen prej këtij bashkëpunimi dhe është dhuratë e këtyre dy agjencive, nuk e kemi luksin të themi ‘jo, nuk e duam’, sepse ne kemi nevojë për çdo mundësi që t’i bëjmë shkollat e Tiranës më të bukura. Kjo është arsyeja pse shkollat “Sami Frashëri”, “Lasgush Poradeci”, “Luan Hajdaraga”, “Klodian Tanushi” etj, përfunduan më shpejt, kurse shkollat e tjera jemi në një fazë më të vonë,” tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë tha se, duke qenë se shkolla “Emin Duraku” ndodhet në një prej zonave më të shtrenjta të Tiranës, ajo është projektuar e tillë, që të shfrytëzohet nga i gjithë komuniteti.

Veliaj tha se në shtator edhe shkolla “Emin Duraku” i bashkohet buqetës së 43 shkollave të reja të rindërtuara pas tërmetit në Tiranë. “‘Emin Duraku’ do jetë një nga ato shkolla që do i bashkohet buqetës së shkollave të Tiranës, që janë padyshim më të mirat në rajon. Mezi pres t’i japim një çikë gaz këto kohë, sa kemi edhe kohë të mirë, të sigurohemi që çunat dhe gocat, engjëjt e vegjël të Njësisë 5, në shtator futen te shkolla e re,” deklaroi ai.

SHKARKO APP