Nis rruga mes 2 fshatrave, Balla: Në ndihmë nxënësve e banorëve
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja dhe Kryetari i Këshillit të Qarkut Bukurosh Stafa inspektuan ecurinë e punimeve për hapjen e aksit të ri rrugor që lidh Labinotin Mal me Labinotin Katund, dy fshatrat më të mëdhënj dhe më me traditë të kësaj njësie.
Balla tha se rruga e re shkurton ndjeshëm distancën dhe u vjen në ndihmë nxënësve dhe banorëve për të marrë shërbimet në njësinë Labinot Mal.
“Është një aks i ri rrugor që lidh me përgjysmim të distancës së Labinotin Mal me Labinotin Katund, që janë dy fshatrat më të mëdha, pjesë e kësaj njësie.
Për banorët, kjo rrugë është shumë e përdorshme, qoftë për nxënësit që shkojnë në shkollë, qoftë për banorët që marrin shërbime në Njësinë Administrative.
Ky është një aks më i shkurtër dhe më i lehtë për t’u përdorur edhe gjatë dimrit. Sigurisht kanë dalë disa punime të paparashikuara për shkak të rrëshkitjeve të dheut, por ne do t’i qëndrojmë mbi kokë çdo pune publike që bëhet sepse sfida jonë është, jo vetëm të bëjmë punë, por të bëjmë punë me cilësi.”, deklaroi Balla.
Labinoti Mal është një zonë me histori në Bashkinë e Elbasanit dhe sipas Kryetarit të Bashkisë Llatja, rruga do t’i shërbejë edhe turizmit.
“Është një investim që po bëhet nga Këshilli i Qarkut, me kërkesë të Bashkisë së Elbasanit. Ky investim shkurton distancën dhe bën lidhjen e dy fshatrave. Janë dy fshatra që kanë traditë me njëri tjetrin, tani po bëhet edhe rruga e cila do t’i vijë në ndihmë edhe turizmit, edhe banorëve.”, u shpreh Llatja.