Vaksinimi në Shkodër, Manastirliu: Pas mjekëve edhe të moshuarit

Pas Tiranës, edhe në Shkodër nisi procesi i vaksinimit anti-covid për mjekët infermierët dhe të moshuarit. I pari që bëri vaksinën anticovid ishte drejtori i spitalit të Shkodrës, Ardian Dajti, për të vijuar me mjekët dhe infermierët e tjerë dhe më pas në azilin e të moshuarve. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njoftoi se sot do të kryhen 150 vaksinimet e para dhe do të rritet në ditët në vijim. Në nisje të procesit të vaksinimit në Shkodër përveç ministres Manastirliu ishte i pranishëm edhe kryeministri Rama.

“Sot fillojmë vaksinimin e përqëndruar në Shkodër, kemi organizuar fillimin e vaksinimit për mjekët e infermierët dhe pavijonin Covid që tashmë është hapur në Shkodër dhe Durrës. 150 vaksinimet e para në ditët e ardhshme do të rritet dhe gjithashtu do jemi dhe në azilin e Shkodrës procedura në bazë të listës emërore për mjekët dhe sistemin që lidhet në kohë reale se kush vaksinohet. Vaksinatorët janë të trajnuar. Drejtori i Spitalit Rajonal nis i pari për të dhënë shembullin dhe pas vijnë mjekët e spitalit të Lezhës dhe do jemi edhe te shtëpia e të moshurave në Shkodër”.

Drejtori i spitalit Rajonal Shkodër, Ardian Dajti në një deklaratë për mediat, ai tha se janë marrë masat që të përshtaten tre ose katër ambiente të spitalit në repart të dedikuar Covid-19 që shkon në një kapacitet prej 90 shtretërish. ”Janë dy ngjarje shumë të rëndësishme. Spitali rajonal është i konvertuar në repart të dedikuar për Covid-19. Fillon edhe imunizimi. Njerëzit imunizohen. Ne kemi marrë masa që të jenë tre katër ambiente deri në 90 shtretër. Janë marrë masat për instalimin, mjekimet. Stafi është i plotësuar”.

Kryeministri Edi Rama dhe Manastirliu po ashtu ishin në azilin e të moshurave në Shkodër. ”Nis vaksinimi anti-covid për të moshuarit në pikat më të dobëta të vijës së mbrojtjes, që janë Shtëpitë e të Moshuarve, aty ku armiku i padukshëm ka goditur pa mëshirë në të gjitha shtetet”, tha Rama. Ministrja Manastirliu tha se ”Në fillimet e pandemisë të gjithë stafet e kujdestarëve ishin të izoluara dhe bënë një sakrificë shumë të madhe. Tani jemi në kuadër të vaksinimit të kombinuar dhe do të bëjmë vaksinat për gjithë të moshuarit”. Ajo u ndal te transformimi që është bërë në Shtëpitë e të Moshuarve, të cilat kanë tani standarde dhe kushte shumë të mira.

Shefja e Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino ka konfirmuar se vendi do ta vazhdojë përgjatë gjithë vitit procesin e vaksinimit. Apeli i saj është që të vaksinuarit të kenë vigjilencë maksimale, kjo deri në krijimin e antitrupave.

”Është një proces shumë i rëndësishëm si për të gjithë vendin. Edhe qarku i Shkodrës do të shërbejë për gjithë veriun e Shqipërisë për bluzat e bardha. Është një proces që do të vazhdojë. Do të vazhdojë me shtëpitë e të moshuarve, me personel tjetër shëndetësor, pastaj me personat mbi 90-vjeç, me ata që janë me sëmundje bashkëshoqëruese, më pas me gjithë popullatën. Pra është një proces që do të zgjasë gjithë vitin. Kemi pasur një rritje të shifrave, por Shkodra nuk ka pasur rritje. Kjo tregon që në Shkodër po bëhet një punë shumë e mirë. Vaksinimi është një element i rëndësishëm, por derisa të kalojnë 5-6 javë nga dita e parë e vaksinimit personat duhet të ruhen njësoj, pra vaksinimi nuk duhet të na ulë vigjilencën”.

SHKARKO APP