Nis vettingu për Besim Hajdarmatajn, ish-kreu i Krimeve të Rënda
Ka nisur seanca dëgjimore për prokurorin Besim Hajdarmataj, ish-drejtues i Krimeve të Rënda dhe aktualisht prokuror në këtë institucion.
Trupa gjykuese përbëhet nga Brunilda Bekteshi, Roland Ilia, Suela Zhegu. Hetimi i Hajdarmataj do të bëhet në të tria kriteret: figurës, pasurisë dhe aspektit profesional.
Në seancë është i pranishëm vetë Besim Hajdarmataj, por nuk është i pranishëm avokati i tij. Hajdarmataj u shpreh se nuk ka kërkesa paraprake.
Relatorja Suela Zhegu ka deklaruar se në lidhje me pasurinë, ILDKPKI ka dorëzuar raportin në KPK se deklarimi i prokurorit është i saktë.
Nga hetimi i KPK, rezulton se Hajdarmataj ka depozitë bankare në një bankë 5 milionë lekë dhe depozitë 1 milion lekë si rezultat i kursimeve. Ka gjendje kesh 500 mijë lekë. Ndërsa dhuratë nga vëllai shumën 6 mijë euro dhe 4 mijë paund.
Referuar raportit të DSIK thuhet se Hajdarmataj është i përshtatshëm për të vijuar detyrën.
Për Hajdarmataj rezultojnë 11 denoncime që sipas hetimeve është konstatuar se nuk vërtetoheshin.
Hajdarmataj është prokurori që ka hetuar dosjen e bujshme të ish-ministrit Saimir Tahiri dhe është një ndër figurat që më së shumti është komentuar, kjo për shkak edhe të përplasjes me Prokuroren e Përkohshme të Përgjithshme, Arta Marku.