Nishani vlerëson Fshatin Drashovicë
Aktualitet E Shtunë, 1 Maj 2021 07:33
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, vizitoi sot fshatin Drashovicë, të Bashkisë së Selenicës në Vlorë, ku mori pjesë në veprimtarinë përkujtimore kushtuar Epopesë së Luftërave të Drashovicës për liri e pavarësi si dhe vendosi një kurorë me lule në Monumentin kushtuar epokave historike që i dhanë lavdi kësaj krahine.
Më pas, Presidenti i Republikës, në prani të autoriteteve vendore, deputetëve, drejtues të bashkësive fetare, organizatorëve si dhe personaliteteve të krahinës, çmoi Fshatin Drashovicë me Dekoratën “Nderi i Kombit” “Për kontributin e shquar në luftërat për çlirim kombëtar, që kulmojnë me Shpalljen e Pavarësisë; në Luftën e Vlorës (1920), si dhe betejën heroike të vitit 1943 kundër pushtuesve nazifashistë. Në këtë histori të lavdishme Drashovica, si portë e Labërisë, ia ka dalë të mbledhë rreth Flamurit Kombëtar të gjithë bijtë e saj pa dallim bindjesh e idesh, duke u bërë kështu simbol i unitetit e atdhetarisë për Vlorën dhe krejt vendin” si dhe vlerësoi Mulla Xhafer Drashovicës (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit“ me motivacionin: “Si atdhetar i shquar dhe një nga figurat emblematike të Pavarësisë së Shqipërisë dhe arsimit tonë kombëtar, i cili ia doli që të blatonte në çdo vlonjat, krahas aspiratave për liri, edhe dashurinë për gjuhën dhe identitetin shqiptar. Në vlerësim të patriotizmit dhe kulturës së tij me anë të së cilave, ai diti të bashkonte e të njehsonte luftërat dhe sakrificat për liri me çeljen e shkollave të para shqipe dhe ndërtimin e themeleve të shtetit të ri shqiptar”.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u shpreh i emocionuar dhe i privilegjuar që nga Drashovica me emër dhe histori të lavdishme të përshëndes dhe përcjell urimet më të përzemërta për “73-vjetorin e Luftës së Shtatorit 1943”. “Përgjatë ushtrimit të funksionit të Presidentit të Republikës, në raste të panumërta kam marrë pjesë në nderimin e ngjarjeve kulmore të historisë sonë kombëtarë. Drashovicën e çmoj si vendin e duhur, të përsëris vlerësimin dhe nderimin tim të palëkundur për luftën antifashiste për çlirim. E konsideroj po ashtu privilegj, që ndodhem këtu sot për të nderuar kontributet e Drashovicës në luftërat për pavarësinë dhe çlirimin e vendit.” – u shpreh Kryetari i Shtetit.
“Kur lexon historinë 585-vjeçare (themeluar në vitin 1431) të këtij fshati dhe kur rreshton peshën e lavdisë, ngjarjeve, duket sikur Drashovica është e destinuar dhe e bekuar për të bërë histori. Prandaj jam këtu sot, jo vetëm për të përkujtuar nisjen e Betejës së Shtatorit 43, por për të nderuar Drashovicën martire, këtë fshat simbol me kontribute të spikatura në historinë kombëtare. Është e pamundur që në një fjalim të përmbledhësh vlerat e Drashovicës së vogël, por sot dëshiroj të përmend disa nga ngjarjet dhe kontributet që kanë merituar të skaliten në memorien e historisë. Prandaj jemi këtu, të nderojmë historinë e kontributeve të Drashovicës dhe të Lumit të Vlorës në pothuaj 6 shekuj. Jemi këtu për të kujtuar kryengritjen anti-osmane të 1849 dhe të nderojmë Drashovicjotët me në krye patriotët e këtyre trevave Arif Drashovica e Sulejman Aliko për mbështetjen që i kanë dhënë Lidhjes së Prizrenit. Jemi këtu të nderojmë kryengritjen çlirimtare të vitit 1911, jemi të përkujtojmë mbledhjen e Kuvendit të njohur ndërkrahinor në Korrikun e pas-pavarësisë 1912 dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që kjo trevë ka dhënë për Qeverinë e Ismail Qemalit. Jemi këtu të përulemi para veprës së patriotëve të mirënjohur Osman Haxhiu, Qazim Kokoshin, dhe personalitete të tjera të Labërisë, të cilët po këtu nga Drashovica e nisën dhe shkruan lavdinë e luftës së Vlorës në vitin 1920. Jemi pikërisht këtu, ku më 14 Shtator 1943, nisi një nga betejat më të përgjakshme të luftës për çlirim, të pagëzuar me emrin “Lufta e Drashovicës”. Me rastin e celebrimit të 73-vjetorit të kësaj beteje për çlirim, jemi këtu të përulemi para 11 dëshmorëve: Pelivan Jaho, Pilo Muharremi, Duro Fejzo, Fejzo Gjomema, Njazi Selami, Musa Ramo, Sulo Derri, Leven Imo, Sami Mehmeti, Isamet Çakërri, Vasil Puka, Sulo Selmani, Selfo Kajtasllani, Azbi Çino, Sherif Mato, Lilo Harizi, Seit Musin, që dhanë jetën duke luftuar heroikisht në këtë betejë heroike. Në të njëjtën kohë jemi mbledhur të nderojmë me mirënjohje sakrificën sublime të 2000 burrave dhe grave të Drashovicës, Trerbovës, Kotes, Mesaplikut, Shkozës, Smokthinës, Kaninës, Tragjasit, Lopsit, Kurveleshit, Mallakastrës, Himarës etj., që të bashkuar rreth çlirimit të mëmëdheut, pa dallime politike, krahinore dhe fetare u përleshën dhe gjunjëzuan një ushtri shumëfish më të fuqishme në numër dhe armatime. Vëllezër dhe motra. Mendoj se do të ishte shumë e padrejtë të mos përmendim sot, dhe përulemi me të njëjtin respekt edhe para mijëra luftëtarëve dhe familjeve të tyre që dhanë gjithçka për çlirimin e vendit, por u zhgënjyen, u vranë apo persekutuan barbarisht nga regjimi i Enver Hoxhës, si i shumë njohuri Hysni Lepenica, Gjenerali-rebel i regjimit Halim Xhelo (Dukati), drejtuesin e Grupimit Operativ Islam Radovicka (pushkatuar në grupin e deputetëve), dhe një listë shumë më e gjatë se lista e dëshmorëve dhe të plagosurve nga pushtuesit.
Jemi këtu, të nderojmë jo vetëm vlerat e njohura luftarake të kësaj treve, por të përulemi edhe ndaj veprës së patriotëve të mendjes dhe dijes që i kanë dhënë frymë, nder dhe lavdi historisë sonë kombëtare në shekuj. Siç të gjithë e dimë, përveç kontributeve të njohura për liri e pavarësi, Drashovica dhe Lumi i Vlorës kanë dhënë kontribute të spikatura për trashëgiminë kulturore, folklorin, identitetin etnokulturor si dhe polifoninë labe. Prandaj, për gjithçka që përmenda më lartë, e çmova në vendin e duhur, që krahas Drashovicës të nderoj sot me titullin “Nderi Kombit” edhe patriotin Mulla Xhafer Drashovica një nga figurat e spikatura të pavarësisë, shtet formimit dhe adresimit tonë kombëtar.” – u shpreh më tej Kreu i Shtetit.
Në vijim të fjalës së tij, Presidenti Nishani kujtoi luftën e Drashovicës në shtator të viti ’43: “Unë mendoj se për të vlerësuar peshën e një ngjarje në histori, duhet gjithmonë të mbajmë në mendje rrethanat gjeopolitike, ushtarake dhe historike të kohës. Kështu e gjej, mjaft domethënëse, të përmend se “Lufta u ndez këtu në Drashovicë më 14 Shtator 43”, pra vetëm 5 ditë nga kapitullimi zyrtar i Italisë Fashiste, në ditët e para të përpjekjeve të bishës hitleriane për të ri-marrë pozicionet strategjike në Shqipëri, dhe vetëm 8 muaj pas betejës së kthesës historike të Stalingradit. Po ashtu, kjo betejë u zhvillua 42 ditë pas “marrëveshjes pluraliste të Mukjes” e cila fatkeqësisht “u mbyt pa lindur nga ethet e luftës për pushtet” të aktorëve prostalinist të kohës. Në rastin konkret, qoftë më vete dhe veçanërisht së bashku këto ngjarje, këto rrethana dhe këto të vërteta historike nuk e paragjykojnë, nuk e ulin vlerën, por përkundrazi e ndriçojnë dhe lartësojnë vlerën e “Luftës së Drashovicës”.
Po ashtu është mjaft mbresëlënëse, dhe duhet ta përmendim se “Lufta e Drashovicës”, nuk ishte një “përpjekje çobanësh”, por një betejë me strategji, objektiva politike, me taktika të mirë-koordinuara dhe formacione ushtarake të denja për një fushëbetejë mes shtetesh. Prandaj ashtu si të gjitha betejat e përmendura në 6 shekuj, vlerat e “luftës në shtatorin e vitit 43”, i tejkalon kufijtë e Drashovicës, lumit të Vlorës, Labërisë, pasi ajo u projektua dhe shërbeu kauzës patriotike të çlirimit kombëtar. As madhësia e një vendi, as numri i luftëtarëve, as fuqia e makinerisë ushtarake, as edhe datat si qëllim në vetvete nuk e skalisin në memorien e historisë kombëtare një ngjarje. Duke e parë kështu, mendoj se as ky vend i vogël, as dritëhijet e aktorëve të kohës, dhe as pinjollët Drashovicjot nuk e “privatizojnë” dot “barrën e lavdisë” së ngjarjeve historike në 6 shekuj të Drashovicës, Lumit të Vlorës dhe Labërisë. Këto ngjarje, i bëjnë nder dhe e meritojnë të skaliten në memorien e historisë sonë kombëtare, sepse janë lindur mbi mundin e sakrificës, mbi gjakun, dashurinë për Atdheun, mbi idealin e lirisë dhe mbi vendosmërinë për të lënë të trashëguar si trashëgim emrin e nderuar që mbajmë ne sot si trashëgimtarë të atyre burrave e grave të nderuar, të cilët sot nuk janë më dhe të atyre që duhet t’u lëmë të nderuar emrin ‘Jam shqiptar’! Prandaj jemi këtu sot, pasi këto ngjarje, e meritojnë të kujtohen dhe e kemi për detyrë t’i nderojmë me përulësi brez pas brezi.”
“Të bashkuar për çështjet kombëtare dhe të mos harrojmë” – ky ka qenë dhe do të mbetet deri në ditën time të fundit në zyrë si President i Republikës si motoja e qëndrimeve të mija. Të bashkuar, sepse kështu kemi fituar gjithmonë. Të mos harrojmë, sepse vetëm përmes kësaj kemi qenë të motivuar dhe shpresëplotë për të shkuar përpara. Po, dëshiroj ta përsëris edhe sot këtu nga Drashovica heroike, dhe midis këtyre njerëzve të mençur e të urtë e të nderuar, se e kemi detyrim që të mos i harrojmë, por të përulemi me mirënjohje emër për emër ndaj atyre që kanë bërë sakrifica sublime, të kujtojmë dhe nderojmë të gjithë luftëtarët patriotë të Lumit të Vlorës, Labërisë, dhe të mbarë shqiptarësisë që për aspiratat kombëtare: “një Shqipëri e pavarur, e lirë, e paqme dhe të begatë” bashkoi gjithë burrat dhe gratë e kësaj krahine në radhë të parë si një shembull për gjithë Shqipërinë pa dallim feje, krahine dhe bindje politike. Të bashkuar do të shkojmë shumë më përpara. Të bashkuar do ta ruajmë edhe më mirë traditën dhe historinë tonë. Të bashkuar do ta ruajmë akoma edhe më mirë historinë e kësaj trashëgimie të pasur që na lanë të parët tanë. Dëshiroj që këtë përshëndetje ta mbyll, duke ndarë me ju përjetimet nga një ngjarje historike dhe krenarie njëherësh për mbarë kombin tonë. Vetëm 10 ditë më parë, në Selinë e Shenjtë u realizua shenjtërimi i Nënë Terezës. Përtej shumë vlerave të spikatura që e ndriçuan në këtë udhëtim: sakrifica, dedikimi dhe përulësia për t’u shërbyer më të dobtëve ishin vlera që e ngjitën në piedestalin e shenjtërimit Nënë Terezën. Duke i parë kështu, gjykoj se jemi në kohën dhe vendin e duhur, t’i ruajmë dhe përcjellim brezave si një trashëgimi të çmuar kombëtare këto vlera të shenjtëruara. Po ashtu, uroj që kjo ngjarje dhe të tjera të ngjashme si këto, të na shërbejnë jo për të na ndarë sipas interesave politike të ditës, por si ura për të na bashkuar rreth kombit tonë dhe për të na ndriçuar drejt perspektivës evropiane të Shqipërisë sonë të dashur. Nderim të përjetshëm ngjarjeve, luftëtarëve dhe patriotëve në shekuj. Zoti e bekoftë Drashovicën, Labërinë, Shqipërinë dhe mbarë shqiptarët!”– tha në përfundim të fjalës Presidenti Nishani.
Në mbyllje të veprimtarisë përkujtimore, Presidenti Nishani dhe të pranishmit ndoqën me ëndje një koncert artistik me këngë dhe valle nga grupet polifonike të Labërisë.
KOHA JONË SONDAZH