Nisin hetimet për ndotjen e lumit Buna
Janë ngritur grupe pune për pastrimin e zonës tek Lumi Buna ku janë konstatuar shpendë dhe kafshë të ngordhura.
Nga brigjet e lumit Buna ku inspektoi nga afër punën për pastrimin e zonës nga ndotja e ditëve të fundit, ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi tha se ajo çfarë ka ndodhur është një krim mjedisor dhe dënohet sipas Kodit Penal e jo vetëm me gjobë. Hetimet tashmë kanë filluar dhe shkaktarët e këtij krimi do të vihen para ligjit, pa asnjë tolerim u shpreh ministri Klosi.
Ai paralajmëroi bizneset, pushtetin lokal por dhe qytetarët të tregohen të kujdesshëm me trajtimin e mbetjeve. Lumenjtë nuk janë vende për depozitimin e tyre dhe kushdo që do t’i trajtojë si të tillë do të përballet me ligjin.
Një grup pune nga agjencia e zonave të mbrojtura, inspektoriati veterinar dhe bashkia shkodër nën drejtimin e prefekturës së këtij qarku, po pastrojnë lumin dhe kanë groposur sipas të gjitha kushteve higjenike një sasi të konsiderueshme pulash të ngordhura. Aksioni do të vijojë deri në krehjen e plotë të zonës.