Nisma e deputeteve të PS: Dhunuesi të dëbohet nga familja dhe t’i nënshtrohet rehabilitimit të detyrueshëm
Një në tri gra përjeton një formë të dhunës në familje, ndërkohë që vetëm 1 në 10 prej tyre e denoncojnë atë.
Një nismë deputetësh synon të forcojë dispozitat ligjore kundër dhunës ndaj grave. Kodi i procedurës penale do të ndryshohet duke rritur masën e arrestit me burg për dhunën në formën e rrahjes, plagosjes dhe kanosjes së partnerit. Një procedurë tjetër për dhunën në familje synon që të themelojë programe për rehabilitimin e dhunuesve, dhe të referojë çdo denoncim dhune në familje në prokurori, që çdo rast, në varësi të seriozitetit, të çojë në arrestim dhe jo thjesht në urdhra mbrojtje.
Për të folur lidhur me këtë nismë, në studion e Euronews Albania ishte deputetja e PS, Eglantina Gjermeni, kryetare e nënkomisionit për barazinë gjinore.
Znj. Gjermeni sqaroi se nisma e propozuar prej saj dhe deputetes së PS, Klotilda Ferhati parashikon ashpërsime në kodin penal ndaj dhunuesve, që përfshin jo vetëm urdhrin e mbrojtjes, por edhe largimin e menjëhershëm të dhunuesit nga streha familjare dhe rehabilitimin e detyrueshëm të tij përmes një programi psiko-social, me urdhër gjykate.
de“Nisur nga përvoja botërore, po edhe përvojat e sjella nga vetë gratë, e dhunuara duhet të përforcohen masat në kodin penal ndaj dhunuesve dhe nga ana tjetër të dëbohet dhunuesi nga streha. Me një urdhër gjykate të largohet duke mos e lejuar pranë banesës ku mund të jetë gruaja e dhunuar apo fëmijët. Gjithashtu, të mund t’iu nënshtrohen një programi psiko-social vetë dhunuesi. Shpesh, edhe pse ka pasur urdhër mbrojtje, fakti që jeton në të njëjtën strehë ka çuar deri në vrasje.
Duke larguar dhunuesin, i largojmë mundësinë të kryejë këtë krim. Nga ana tjetër, këta persona që ushtrojnë dhunë kanë nevojë për kujdes psiko-social për t’u rehabilituar. Gjykata duhet të vendosë që ky person t’i nënshtrohet rehabilitimit”, – tha znj. Gjermeni.
Deputetja e PS pranoi faktin nuk janë ndryshimet ligjore ato që minimizojnë dhunën ndaj grave, por të ndërthurura këto me ndërgjegjësimin se të drejtat e grave janë të drejta të njeriut dhe përforcimin e koordinimit mes aktorëve të lidhur me këtë çështje mund të çojë në rezultate të prekshme.