Nisma Thurje: Rritja e çmimit nuk e zgjidh krizën energjetike

Te pyetur nga përfaqësuesit e Thurje, drejtuesit e OSHEE në argumentet e tyre pro rritjes së çmimit dhe heqjes së fashës mbrojtëse të çmimit të energjisë për familjarët, pranuan se kriza aktuale në sistemin energjetik nuk vjen si pasojë e një çmimi të ulët por si pasojë e keqmenaxhimit financiar dhe teknik të sektorit. Besjan Pesha, Drejtori Ekzekutiv i Nismës Thurje* argumentoi në favor të konsumatorëve familjarë dukë thënë: "Duke qenë se të gjithë aktorët e sektorit pranojnë se kriza aktuale nuk vjen si rezultat i çmimit të ulët por si pasojë e keqmenaxhimit, atëherë ne gjykojmë se rritja e çmimit nuk është zgjidhja për këtë krizë, por mund të kthehet në një problem të ri i cili mund të nxisë mospagesat apo lidhjet e jashtëligjshme si rrjedhojë e plagës sociale që ajo shkakton në shtresat më të varfra të shoqërisë. Aq më tepër çmimi i kërkuar nga ju, prej 12.03 leke pa TVSH ose 14.43 leke/këh  me TVSH, është një goditje e rëndë për xhepat e konsumatorëve familjarë, të cilët shpenzojnë  energjinë në shifra modeste si rrjedhojë e të ardhurave po modeste”, tha ai.

Pesha u shpreh se edhe nëse patjetër duhet të prekej çmimi, nuk kuptohet se përse u zgjodhën pikërisht shtresat në nevojë për tu goditur, ndërkohë që mund të rritej çmimi përtej fashës mbrojtëse.

“Nga ana tjetër jemi të shqetësuar se ku do shkojnë këto të ardhura shtesë që parashikohet tu merren shqiptarëve. Sepse jemi të shqetësuar për faktin se energjia elektrike është blerë në tenderin e dhjetorit 2014 me cmimin 7.9 leke/këh nga kompanitë, ndërkohë që cmimi në tregun rajonal është rreth 6.1 lek/këh, e ndërkohë që vitin e shkuar kjo energji është blerë më lirë, me 6.8 leke/këh. Pra këtë vit e kemi blerë 16% me shtrenjtë se vjet dhe 30% me shtrenjtë se mesatarja e rajonit”,- tha Pesha. 

SHKARKO APP