Niveli i Fierzës 271 metra, Balluku: Për familjarët s’do ketë kufizim të energjisë dhe as rritje të faturës
Shqipëria ka nevojë që të importojë energji për të mbuluar nevojat për furnizimin me energji të familjeve dhe bizneseve, ku çmimi ka shkuar deri në 550 euro kwh. Drejtori i KESH, Ergys Verdho bëri një përmbledhje të 3 muajve të parë të 2022 në kaskadën e Drinit.
“KESH që në janar të 2022 përveç prodhimit të kaskadës, ka blerë energji të nevojshme për të furnizuar me energji familjet dhe biznesin. Kemi 537 giga të dhënë na janar, ku 40 % e kësaj sasie është import, dhe 60 % prodhim. Në shkurt është rritur me 5 % importi nga muaji janar, muaji mars deri tani janë dhënë 328 giga, ku 274 janë të prodhuara dhe 47 të tjera janë të blera në treg. Dy javët e para të marsit ka pasur rritje të çmimeve deri në 550 euro. Rezerva hidrike 290 giga/vat duke i shtuar edhe kapacitete e para blera ne shkojmë 518 giga/vat dhe aktualisht niveli i Fierzë është 271 metra mbi nivelin e detit”, tha Verdho.
Kurse gjatë mbledhjes, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku tha se për familjarët nuk do të ketë kufizim të energjisë dhe as rritje të çmimit të faturës.
“KESH ka bërë një menaxhim të mirë të kaskadave por edhe kemi bërë transparencë për qytetarët se kush janë çmimet që ne dalim në treg për të importuar energji. Kjo situatë po menaxhohet, sigurisht KESH është në gatishmëri në këto momente, për shkak të krizë energjetike që prej tetorit, ajo që garantojmë është që energjia nuk do të mungojë për qytetarët. Qeveria ka marrë përsipër të mbulojë shpenzimet e shtuara të faturës së familjarët dhe bizneset e vogël”.