Një 22-vjeçar rrezikon jetën gjatë ndihmës për RENEA-n, shpëtohet në kohë
Është shpëtuar 22-vjeçari që kishte mbetur i bllokuar pasi u fut në lumin Osum për t’i ardhur në ndihmë forcave RENEA gjatë kërkimeve për trupin e 45-vjeçarit Ilir Kurti.
Xhuljano Kaloti qëndroi i bllokuar në ujë që nga mesdita e së shtunës, dhe përpjekjet fillestare për ta nxjerrë nga zona kishin dështuar.
Fatmirësisht, mëngjesin e së dielës i riu u shpëtua dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, është i vetëdijshëm dhe aktualisht po mbahet nën kujdesin e stafit mjekësor.
“Në koordinim me strukturat vendore, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) drejtori operacionin e kërkim-shpëtimit, i cili u realizua falë bashkëpunimit të ngushtë mes alpinistëve, vullnetarëve, forcave RENEA dhe Forcave të Armatosura, në kushte jashtëzakonisht të vështira. Operacioni vazhdon pa ndërprerje për kërkimin e personit tjetër të raportuar të humbur”, thuhet në njoftim.
Kanioni i Osumit ka gjatësi rreth 12 km dhe thellësi deri në 90 metra. Në këto kushte, ndërhyrja nga persona të pa trajnuar paraqet një rrezik maksimal, duke e bërë çdo operacion kërkim-shpëtimi shumë sfidues dhe të rrezikshëm.
KOHA JONË SONDAZH

