Një aleancë perëndimore për të shpëtuar zinixhirin e furnizimit në tregun minerar

Përfaqësuesi i qeverisë amerikane në Partnertitetin për Sigurinë Minerare, akuzoi muajin e kaluar se një kompani kineze po deformon tregun minerar në Republikën Demokratike të Kongos. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Wilkins, njofton se çfarë nënkupton kjo për Afrikën.

Muajin e kaluar, Jose W. Fernandez, përfaqësuesi i qeverisë amerikane në Partneritetin për Sigurinë Minerare (MSP), një aleancë e krijuar nga vendet perëndimore në vitin 2022, tha se një kompani minerare kineze, CMOC, po ul artificialisht çmimin e kobaltit që nxirret në Republikën Demokratike të Kongos. Bizneset e përdorin ndonjëherë këtë taktikë, që është e paligjshme në disa vende, për të mundur konkurencën dhe për të krijuar monopolin.

Në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës, kompania kineze CMOC thotë se “i mohojmë me forcë akuzat… Kjo luhatje çmimesh është brenda niveleve normale dhe është një reflektim i vërtetë i tregut të kërkesës dhe ofertës”.

Partneriteti për Sigurinë Minerare synon t’i eliminojë këto çmime artificiale dhe të reformojë industrinë minerare të botës, ku shfrytëzimi i punëtorëve dhe institucioneve në vendet në zhvillim është i zakonshëm.

Zoti Fernandez, që ka njëkohësisht detyrën e nënsekretarit amerikan të shtetit për rritjen ekonomike, energjinë dhe mjedisin, thotë se mineralet afrikane, si kobalti, janë thelbësore për tranzicionin e botës drejt energjisë së blertë, ndërsa vazhdon ndryshimi klimatik.

“Na duhet Afrika. Na duhen burimet e Afrikës për ta arritur këtë. Kjo është një mundësi për Afrikën dhe Afrika mund të kërkojë atë çfarë ka dëshiruar gjithnjë, ndihmën teknike, transferimin e njohurive, përmirësimin e komuniteteve”, tha zoti Fernandez.

Analistët thonë se Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe vendet e tjera anëtare të Partneritetit për Sigurinë Minerare synojnë ta largojnë kontrollin e burimeve strategjike nga duart e Republikës Popullore të Kinës, ndërsa intensifikohet rivaliteti me Perëndimin.

Zoti Fernandez thotë se nuk është ky realisht objektivi.

“Objektivi është të diversifikojmë zinxhirin e furnizimit. Është e vërtetë se përgjithësisht Kina ka nën kontroll pjesën më të madhe të këtyre mineraleve. Kjo është një pikë e dobët jo vetëm për Perëndimin, por për të gjithë. Synojmë ta arrijmë ndërsa ruajmë vlera të larta mjedisore, sociale dhe qeverisëse, duke punuar me komunitetet për t’u siguruar se ato do të përfitojnë nga burimet e tyre natyrore”, thotë ai.

Ekspertët e sektorit minerar i thanë Zërit të Amerikës se kompanitë kineze po zbatojnë disa nga praktikat më të këqija në industrinë minerare dhe se Partneriteti për Sigurinë Minerare është i rëndësishëm për t’iu kundërvënë atyre.

“Është e rëndësishme balanca ndaj atyre që nuk kanë skrupuj. Ka shumë investitorë privatë kinezë në Afrikë, që as qeveria e tyre nuk po i menaxhon më dhe sjellja e tyre mund të jetë nga më shokueset”, thotë Andre Baya, drejtor i kompanisë minerare “Kore Potash”, që ushtron aktivitet në Republikën e Kongos.

Një analist thotë se objektivi i Partneritetit për Sigurinë Minerare është i vështirë sepse vendet perëndimore nuk kanë të njëjtën influencë apo kontroll, siç ka Kina ndaj kompanive të saj private.

“Prandaj çfarëdolloj iniciative qoftë, në Evropë, Kanada apo Australi, të gjitha varen nga një gjë. Varen nga fakti nëse kompanitë private do të dëshirojnë ta zbatojnë strategjinë”, thotë Christian-Geraud Neema, nga Projekti “Kina-Globi Jugor”.

Zoti Fernandez thotë se në fund të fundit do të jetë në dorën e vendeve afrikane që të zgjedhin se me kë dëshirojnë të ndërtojnë partneritetin e tyre.

Zëri i Amerikës

 

SHKARKO APP