Një automjet ekologjik/Veliaj: Kush ka merak si do duket Kopshti Botanik, të vijë të shohë Liqenin

Shtohet flota e mjeteve ekologjike në funksion të pastrimit dhe mirëmbajtjes së Parkut të Liqenit. Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e “Coca-Cola Bottling Shqipëri”, po vijon modernizimin e mjeteve të pastrimit me makina ekologjike, si dhe pajisjen e çdo bimësie të veçantë në park me të dhëna mbi llojin e pemës, moshën, origjinën, që mund të merren fare thjeshtë nga përdoruesit e parkut, fëmijët, prindërit, nxënës të shkollave dhe të apasionuar pas botanikës. Mjafton që ata të shkarkojnë aplikacionin “Arboretum” në celular.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se ky mjet ekologjik do ia lehtësojë punën e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit për pastrimin e parkut. Ai falenderoi miqtë e Coca-Colas për bashkëpunimin, si dhe për angazhimin për t’i kthyer mjetet e saj në tërësisht elektrike. “Duam që parku, jo vetëm të ketë më shumë gjelbërim me pemët që kemi mbjellë, jo vetëm ta dyfishojmë hapësirën që kemi marrë nga ish-komuna e Farkës, jo vetëm të ndalojmë mjetet që kalojnë mes për mes parkut duke krijuar një rrugë alternative për të mos ndotur parkun, por tani do e rrisim nivelin duke u siguruar që edhe makinat tona të shërbimit të mos e ndotin parkun. Kjo është makina e parë elektrike, industriale, për parkun; por, ne kemi filluar me makinat elektrike në Tiranë, në Bashki, shumë prej kompanive të taksive i përdorin ato, vetë Coca-Cola do t’i fusë në përdorim, për t’u kthyer në lider në Ballkan dhe Europën Lindore sa i takon transportit elektrik”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku vuri theksin edhe te projekti i pajisjes së pemëve të parkut me të dhëna të aksesueshme përmes teknologjisë, ndërsa u shpreh se puna e bërë në Parkun e Liqenit është garancia më e mirë se edhe Kopshti Botanik do të shndërrohet në një hapësirë po kaq të bukur dhe të pasur me bimësi. “Sinjalistika që kemi vendosur është për të kuptuar llojin e pemëve, çfarë rritet në park, biodiversiteti që ka. Të gjithë atyre që janë të shqetësuar për Kopshtin Botanik, dua t’u them se ka pjesë të liqenit sot që janë një standard shumë më i lartë sesa vetë Kopshti zyrtar Botanik, që kanë më shumë sinjalistikë, më shumë pastërti, më shumë akses për publikun. Kush ka merak si do duket Kopshti Botanik, të vijë të shohë Liqenin, për të kuptuar se edhe atë mund ta transformojmë në një bizhu të vërtetë”, u shpreh Veliaj.

Ai ftoi bizneset që t’i bashkohen aksionit të mbjelljes së pemëve dhe të nisin sa më parë transformimin e flotave të mjeteve në elektrike. “Kemi filluar stinën e mbjelljeve, ndaj dua t’i ftoj të gjitha kompanitë të bëjnë dy gjëra: Të planifikojnë të mbjellin pemë me Bashkinë e Tiranës dhe të transformojnë flotën e tyre në elektrike. Tirana i ka të gjitha mundësitë. Sapo hapëm një stadium ultra modern, sapo kemi filluar 17 shkollat e reja, sapo kemi mbaruar Bulevardin e Ri dhe së shpejti nisim Piramidën. I vetmi limit dhe kufizim që kemi është mendësia jonë; po të kemi një mendësi të hapur, shumë prej këtyre barrierave, qoftë Teatri i Ri apo Kopshti Botanik, mund të kalojnë pa sherre e shamata”, u shpreh Veliaj.

Presidenti i “Coca-Cola Bottling Shqipëri”, Luca Busi falenderoi Bashkinë e Tiranës për bashkëpunimin që ka treguar jo vetëm në këtë projekt, por edhe në shumë punë të tjera të mira që janë bërë në Tiranë. “Ndihemi shumë krenarë që mbështesim këtë projekt të mrekullueshëm të parkut qendror. Jemi shumë të lumtur që e mbështesim me një automjet elektrik, pra do të shohim të kryhen lëvizjet përmes një mjeti elektrik, ndaj jemi veçanërisht të kënaqur që mbështesim këtë projekt”, tha Luca Busi.

Ndërsa, Cristina Busi, Administratore e Deleguar e CCBS, vlerësoi transformimin e madh që ka pësuar Parku i Madh i Liqenit Artificial, si dhe gjithë Tirana. “Unë përgëzoj shumë kryetarin e Bashkisë, që ka bërë realisht diçka të jashtëzakonshme. Tirana është një qytet shumë i bukur, ky park është i mrekullueshëm; e falenderoj shumë Bashkinë, arkitektët, të gjithë ata që kanë realizuar këtë projekt, i cili është një dhuratë shumë e bukur për qytetin”, tha ajo.

SHKARKO APP