Një çek në vit nuk të bën bamirës, filantropët shqiptarë me “kohë të plotë”

Një filantrop është një person që dhuron kohë, para, përvojë, shkathtësi ose talent për të ndihmuar në krijimin e një bote më të mirë. Çdokush mund të jetë një filantrop, pa marrë parasysh statusin ose vlerën neto.

Filantropi do të thotë “dashuri për njerëzimin”, bujari në të gjitha format e saj dhe shpesh përcaktohet si dhënia e “kohës, talentit dhe thesarit” për të ndihmuar për t`ua bërë jetën më të mirë njerëzve. Ju mund ta praktikoni filantropinë duke bërë dhurata monetare, si p.sh donacion për një kauzë tek e cila besoni.

“Filantropia e frymëzuar” e bën të qartë se nuk duhet të jeni i pasur për të qenë filantrop, por as nuk bëheni i tillë, thjesht duke dhënë një çek për një bamirësi, një herë në vit. Filantropia ka të bëjë me mendimin, kujdesin, diskutimin, duke shkuar përtej parashikimeve dhe duke u përfshirë. Ka të bëjë me sjelljen tuaj në përputhje me shpresat që keni për një botë më të mirë.

Ashtu si në botë, edhe në Shqipëri ka disa modele filantropësh, të cilët vazhdimisht merren me aktivitete që kanë për qëllim përmirësimin e jetës së njerëzve.

Ndërsa disa të famshëm e kanë bërë zakon të tregojnë për pasurinë e tyre dhe rekordet që thyejnë, të tjerët kanë kushtuar kohën dhe kanë konsideruar burimet e tyre për të ndihmuar në avancimin e mirëqenies së të tjerëve.

Politiko ka përzgjedhur disa nga emrat e personazheve më bujarë, altruizmi i të cilëve ka ndryshuar jetën e njerëzve.

“Shqiptarët për shqiptarët”

Ndihmë për të varfrit dhe të vuajturit, ky është dhe misioni i “Shqiptarët për shqiptarët”. Një emision i cili transmetohet në News 24 dhe që ka treguar anën humane të shumë shqiptarëve në gjithë botën për të ndihmuar të ngjashmin e tyre, shqiptarin. Kjo nismë është ideuar nga imami dhe misionari Elvis Naçi dhe mbështetur shumë nga artisti Sidrit Bejleri. Një emision i kthyer në një mision bamirësie ka dy sezone që transmetohet në ekran dhe ka ndryshuar jetën e shumë shqiptarëve në mënyrë materiale por edhe shëndetësore, duke u kthyer në një nga emisionet më të ndjekura dhe emocionale në ekranet shqiptare.

Deputeti i PD, Agron Shehaj

Vëmendjen më të madhe e mori sapo u angazhua në politikë, por për një pjesë jo të vogël të njerëzve, Agron Shehaj është bërë i njohur për shkak të ndihmës që u ka ofruar njerëzve në nevojë. Rasti në “Opinion”, ku Shehaj dhuroi rrogën e deputetit për vajzat jetime nga Kukësi, nuk është i vetmi. Deputeti është i angazhuar, që prej themelimit, me “Down Syndrome Albania”, ku është dhe një prej donatorëve kryesor të fondacionit, për t’ju ardhur në ndihmë fëmijëve me aftësi ndryshe.

Lorik Cana

Pavarësisht nga fama dhe pasuria, shumë njerëz duan të ndihmojnë të tjerët duke dhënë nga pasuria e tyre. Disa aktorë të famshëm, atletë, muzikantë dhe shumë personazhe të njohur  kanë krijuar themelet e tyre për të ndihmuar në mbledhjen e parave dhe ndërgjegjësimit për kauzat që besojnë, ndërsa të tjerë i japin ‘dhuratë’ kohën dhe burimet e tyre për bamirësi. Lorik Cana, ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare ka hapur një fondacion për fëmijët: “Fondacioni 5” . Kjo nismë e Canës, ka si qëllim të angazhojë fëmijët pët të zhvilluar më tej talentin e tyre në futboll.

Arbër Hajdari

Emri i Arbër Hajdarit  nuk ishte i njohur derisa u prezantua me “Fundjavën Ndryshe”. Një djalë i ri, që kishte si qëllim të ndihmonte të varfrit, e ktheu idenë e tij në një nismë që sot përkrahet nga qindra biznesmenë shqiptarë, kudo në botë. “Fundjavë Ndryshe” ka arritur të ndryshojë jetën e shumë të varfërve, duke e kthyer këtë fondacion në njëri nga më të suksesshmit në Shqipëri.

Emina Cunmulaj

Emina, modelja e famshme shqiptare e njohur në gjithë botën dhe e martuar me një miliarder, të cilën fama dhe pasuria nuk e kanë bërë më pak të ndjeshme ndaj kauzave të bamirësisë. Ajo ka vendosur t`i bashkohet “Fundjavës Ndryshe” duke dhuruar për familjet që kanë nevojë urgjente për ndihmë. Fëmijërinë e saj e ka kaluar në fshat, mes varfërisë, dhe kjo e bën modelen e famshme  të mos harrojë të kaluarën e saj dhe të ndihmojë nevojtarët duke u ndryshuar jetën. /Politiko.al/

SHKARKO APP