Një ditë pas tërmetit hyri në fuqi Agjencia e Mbrojtjes Civile

Shqipëria brenda një muaji u godit nga dy tërmete të forta, i pari u regjistrua më 21 shtator dhe i dyti më 26 nëntor, që rezultoi më fatali me një goditje me magnitudë të 6,4 të shkallës Rihter. Nga lëkundjet e forta sizmike fatkeqësisht pati 51 viktima. Dëme të mëdha u shkaktuan në prishjen e mijërave objekteve, banesave, apartamenteve dhe lokale private. Kjo situatë emergjence e ka gjetur shtetin pa krijimin e plotë të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Ky institucion i ri duhej të formohej me një vendim të Këshillit të Ministrave, pas miratimit të ligjit në korrik nga Parlamenti të ligjit “Për Mbrojtjen Civile”.

Mbi bazën e këtij ligji, Drejtoria e Emergjencave Civile, në varësi të ministrisë së Mbrojtjes kthehej në një Agjenci, duke përcaktuar edhe mënyrat e funksionimit.

Ligji i miratuar me urgjencë nga Parlamenti në mesin e korrikut të këtij viti u bë edhe objekt i përplasjeve mes presidentit Ilir Meta dhe ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Kjo pasi presidenti kërkonte mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për shkak të raportit të sizmologut grek për rrezikun e fatkeqësive natyrore në Shqipëri, që mund të shkaktohen nga tërmetet. Mes tyre pati shkëmbime letrash, ku Xhaçka kërkonte që dekretonte ligjin, duke e cilësuar si tejet të rëndësishëm.

“Qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes kanë vëmendje maksimale ndaj fatkeqësive natyrore. Më të përgatitur se kurrë në këto 30 vite për t’u përballur me emergjencat. Kapacitetet tona reaguese janë sot shumë më të mëdha, profesionalizmi i jashtëzakonshëm. Koordinimi institucional është shumë më efikas se çka qenë ndonjëherë. Mënyra sesi përballuam tërmetin në Korçë janë prova më domethënëse e seriozitetit të përgatitjeve tona. Shprehja më e qartë e seriozitetit të punës sonë është ligji “Për Mbrojtjen Civile”. Ligji “Për Mbrojtjen Civile”, po pret dekretimin nga ana juaj. Ligji, asistuar nga ekspertë vendas e të huaj transformon qasjen ndaj emergjencave. Ligji “Për Mbrojtjen Civile” zhvendos fokusin nga reagimi, tek parapërgatitja, parandalimi e zvogëlimi i riskut. Dekretoni ligjin, jepni një kontribut real në përgatitjen e vendit për t’u përballur me fatkeqësitë natyrore”, do t’i shkruante Xhaçka më 31 korrik, presidentit. Por, Presidenca do të reagonte dhe do t’i kujtonte ministres se ligji ishte dekretuar pa kaluar afatet kohore, duke publikuar datën 30 korrik si nxjerrjen e firmosjes së ligjit nga Meta.

Por që prej miratimit të ligjit qeveria nxori me disa muaj vonesë aktin nënligjor për funksionimin e kësaj Agjencie, e cila suprimonte strukturën, Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile. Pikërisht më 20 nëntor qeveria mori dy vendime. Pas afro një muaj pas tërmetit të 21 shtatorit, edhe 6 ditë përpara tërmetit “apokaliptik”, emëroi drejtorin e kësaj Agjencie, Haki Çakon, si dhe miratoi VKM-në e posaçme për mënyrën e funksionimit të këtij institucioni. Por VKM-ja e 20 nëntorit është publikuar nga Qendra e Botimeve Zyrtare më 27 nëntor, një ditë pas tërmetit prej 6,4 ballësh.

Çako që në korrik  të vitit 2018 u caktua si drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Emegjencave Civile, por më pas u emërua në krye të këtij institucioni.

Agjencia, sipas vendimit, në përmbushje të funksioneve dhe për zbatimin e detyrave të saj, siguron fonde nga donatorë të ndryshëm, vendas e ndërkombëtarë. Në çdo rast, Agjencia njofton ministrin, brenda 30 ditëve, për fondet e siguruara nga donatorët. Fondet e siguruara nga donatorët bëhen pjesë e buxhetit të Agjencisë. “Agjencia ka për mision zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe sigurimin e mbrojtjes civile në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Agjencia  kryen dhe ka këto fusha përgjegjësie të vlerësojë riskun nga fatkeqësitë; mbrojtjen civile në nivel kombëtar. “Trajnimi i vazhdueshëm i strukturave shtetërore, i subjekteve private dhe i vullnetarëve; Inspektimi i zbatimit të dispozitave të legjislacionit për mbrojtjen civile në institucionet e strukturat shtetërore dhe subjektet private”, thuhet më tej në VKM.

Pra sipas këtij vendimi duhet të jetë kjo Agjenci të koordinojë punët, por aktualisht kryeministri Edi Rama ka krijuar një Komitet të Posaçëm për menaxhimin e ndihmave që vijnë nga donatorët e huaj. Mbi logjikën e botimit në Fletoren Zyrtare rezulton se kjo Agjencia ka nisur nga funksionimi një ditë pas tërmetit.

SHKARKO APP