Një ditë pas terrorit, ish-gruaja kërkon drejtësi. Fqinja-Veliut më 4 maj: Polica e Elbasanit na thotë ”ai është budalla”
Në lagjen e Elbasanit, e cila një ditë më parë u kthye në një fushëbetejë mes të moshuarit Lefter Zhidru dhe forcave të policisë, jeta ka rinisur normalisht. Por, shenja të betejës dhe ajo çka përjetuan banorët e zonës, janë mëse të dukshme.
Nga dritarja, 71-vjeçari qëllonte në drejtim të forcave të policisë duke plagosur edhe dy kalimtarë të rastit, ndërsa dera u bë “shoshë” nga plumbat e RENEA-s, por edhe të viktimës i cili qëllonte shpeshherë nëpërmjet saj ndaj forcave policore që i bënin thirrje të dorëzohej. Ish-gruaja e 71-vjeçarit që e kishte denoncuar disa herë për dhunë, ka nisur vajin duke akuzuar forcat e policisë dhe gazetarët për atë që ndodhi.
Nga ana tjetër, banorët e pallatit janë ndjerë të frikësuar gjatë 5 orëve të përpjekjeve për të nxjerrë nga banesa të moshuarin e armatosur deri me lëndë plasëse. Banorët shprehen se edhe ata vetë e kishin denoncuar disa herë në polici Lefter Zhidrun për problemet që shkaktonte si me familjen e tij, ashtu edhe me banorët e pallatit. Ndoshta, kjo është arsyeja që disa prej banorëve shprehen se tanimë shpëtuan prej tij.
Një tjetër pyetje që shtrohet pas kësaj ngjarje të rëndë është edhe ajo e mosreagimit të Policisë së Elbasanit ndaj këtij personi. I denoncuar disa herë si nga bashkëshortja, ashtu edhe nga komshinjtë, duket se policia nuk e ka parë të arsyeshme të kryejë qoftë edhe një kontroll banese ndaj 71-vjeçarit Zhidru dhe ku ndoshta do të mund të gjente arsenalin e armëve që ai përdori ndaj forcave të policisë dhe kalimtarëve.