“Një grua”, Annie Ernaux*

Nga Gjergj Meta

“NJË GRUA” – ANNIE ERNAUX*

Një nga gjërat që bëj rëndom, kur gjendem në një qytet italian, është vizita në një nga libraritë e atij qyteti. Edhe sikur të jem aty vetëm 24 orë mundohem të mos e lë këtë rit, që për mua është gati-gati si një rit religjioz. Ashtu bëra edhe herën e fundit në Trento.

Nuk e fsheh që hyrja në një librari të madhe më shkakton një farë ankthi, sepse shoh çdo herë autorë që do të doja t’i lexoja, por që janë aq shumë saqë e di se nuk do të më mjaftojë kurrë koha ime t’i lexoj. Në Trento vizitova tre prej tyre dhe bleva çfarë mendova se më duhej.

Ditën e fundit hyra përsëri, në 15 minutat para se të shkoja në një takim dhe, sytë m’u ndalën te Annie Erneaux, fituesja e çmimit “Nobel” për letërsinë 2022. E mora në dorë dhe e bleva. Në italisht mban titullin “Una donna” (“Une famme” – origjinali). Nisa ta lexoj që atë ditë, e vazhdova në avion e më pas e mbarova këtu në Shqipëri.

Ernaux shkruan për nënën e saj edhe pse në fund ajo mbyll librin duke thënë: “Ishte ajo, fjalët e saj, duart e saj, veprimet e saja, mënyra se si qeshte dhe ecte, që bashkoi gruan që unë jam dhe fëmijën që kam qenë”. Një biografi që bëhet autobiografi, ashtu sikurse fjala bie për Kafkën, “Letër babait”, kthehet në autobiografinë e tij ku na jepen informacione rreth botës së brendshme të autorit. Në fund të fundit sa herë shkruajmë për prindërit tanë, pavarësisht se si shkruajmë, ne flasim për veten, a më mirë të themi për jetën që ata bëjnë brenda nesh edhe pasi nuk janë më fizikisht me ne. Aq i madh është ndikimi i tyre në brendinë tonë.

Gjeta dhe lexova edhe një herë motiviacionin për të cilin Annie Ernaux – së i kanë dhënë çmimin “Nobel”: “Për guximin dhe mprehtësinë klinike më anë të së cilës zbulon rrënjët, largimet dhe hallkat kolektive të kujtesës personale”. Kur lexon këtë libër e kupton motivacionin shumë qartë.

Shkrimtarja franceze, e lindur në vitin 1940 (jo krejt e panjohur për specialistët e letrave), analizon me kujdes, nëpërmjet rrëfimit mbi nënën e saj, kalimet epokale të Francës dhe shoqërisë franceze (lufta e dytë botërore, vitet ’60 të revoucionit shoqëror në Evropë dhe më pas kohën e viteve ’80). Ajo vetë vjen nga idetë e së majtës franceze, por nuk e rëndon rrëfimin e saj me ngarkesa ideologjike. Edhe pse nga një familje katolike, ajo duket indiferente ndaj religjionit e ky fakt as nuk e ngarkon ideologjikisht atë e as nuk e bën agresive ndaj katolicizmit, sikurse rëndom laicizmi francez ka treguar në shumë raste.

Leximi i shkrimtares franceze e kredh lehtësisht lexuesin në referime autobiografike e nuk mund të kalosh lehtë nga faqja në faqe pa pasur ndonjë drithërimë apo buzëqeshje për shkak se kujtohesh për prindërit e tu dhe historinë tënde me ta. E përjetova disi këtë gjë kur ajo fliste për momentin e Alzajmerit të nënës së saj, pasi mu kujtua gjendja në të cilën dy vitet e fundit jetoi im atë. Gjatë leximit jeta dhe letërsia shkrihen pothuajse natyrshëm.

Është e vërtetë ajo që thotë Oskar Wild se “Jeta e imiton artin më shumë se sa arti jetën”.

*Annie Ernaux (1940) është fituese e çmimit “Nobel” për letërsinë 2022

SHKARKO APP