Një grua biznesmene kundër Emiljano Shullazit, të gjithë burrat u tërhoqën

Avokatët e Emiljano Shullazit kanë kërkuar lirimin e tij në Gjykatën e Apelit. Dy profesorët, rektori i ri Mynyr Koni dhe ish-rektori Dhori Kule, për të cilët fillimisht u tha se ishin kërcënuar me jetë nga Shullazi, në deklarimet e dhëna në Prokurori kanë thënë se nuk e njohin dhe nuk mbajnë mend se kush i kërcënoi.

Biznesmenët që sipas SHIK ishin kërcënuar dhe u ishin vendosur gjoba nga Shullazi dhe njerëzit e tij, nuk kanë pranuar të bëjnë asnjë deklaratë në Prokurori. Janë tre biznesmenë për të cilët u tha se kishin marrë kërcënime, por që para hetuesve kanë deklaruar se nuk kanë asnjë njohje me Shullazi.

Ndërsa biznesmeni, Jani Zaka që bëri padinë për kanosjen nga Shullazi për një parkim në Tiranë nuk ka asnjë të dhënë. Policia nuk ka arritur të gjejë ende vendndodhjen e tij.

Por kur Emiliano Shullazi i është drejtuar Gjykatës së Apelit me kërkesën për t’u liruar, pasi sipas mbrojtjes nuk ka asnjë provë dhe kallëzim kundër tij, një grua duket se ka rënduar pozitën e 38-vjeçarit të përfolur kohët e fundit.

Një burim konfidencial i tha Top Channel se pas ofertave të organit të akuzës ndaj disa biznesmenëve që dyshohet se janë gjobitur, një grua biznesmene është paraqitur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe ka dëshmuar kundër Emiliano Shullazit dhe Gilmando Danit.

“Më kanë marrë një pasuri timen në Tiranë me vlerë 1 milion euro”, ka thënë gruaja dhe kjo pasuri ka kaluar në pronësi të Gilmando Danit.

Për disa orë gruaja, identiteti i të cilës mbahet sekret për shkak të sigurisë së jetës së saj, është marrë në pyetje nga zyrtarë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndërkohë që është urdhëruar sekuestrimi i dokumentave në hipotekë dhe në gjykatë në mënyrë që të verifikohet me prova denoncimi i 50-vjeçares.

Prokuroria nuk jep asnjë version zyrtar për këtë çështje për shkak të sekretit hetimor. Ndërsa ka konfirmuar  se tre shtetas të përmendur në një raport të Shërbimit Informativ si biznesmenë që u është vendosur gjobë nga Shullazi kanë refuzuar të depozitojnë kallëzim kundër tij, aq më tepër që e kanë mohuar njohjen me të.

Ndërkohë që shtetasit Jani Zaka, personi që ka dëshmuar se është kërcënuar për t’i marrë një garazh në Tiranë, nuk i është gjetur ende adresa e tij për të kryer veprime të tjera hetimore.

Emiliano Shullazi është rikthyer në paraburgim në kryeqytet, pasi u mbajt disa ditë në Elbasan dhe është në pritje të shqyrtimit të kërkesës për të lënë qelitë.

SHKARKO APP