Një javë e zhdukur në Itali, gjendet e vrarë me thikë shqiptarja. Arrestohet i dashuri

22-vjeçarja shqiptare I. Sula, e cila ishte raportuar e zhdukur prej 25 marsit në Romë, është gjetur e vrarë në një zonë të pyllëzuar në Poli. Trupi i saj ishte futur në një valixhe, raporton Corriere della Sera. Disa persona kanë gjetur trupin e së resë brenda një valixheje të hedhur në një humnerë.
Në vendngjarje shkuan hetuesit e skuadrës kriminale së bashku me zjarrfikësit për të marrë trupin e së resë. Sipas verifikimeve të para, e reja kishte pasur së fundmi një lidhje me një shtetas filipinas, i cili është arrestuar nga autoritetet. Ilaria studionte Statistikë në universitetin “La Sapienza”. Përveç familjarëve të saj, të cilët kishin ngritur alarmin në rrjetet sociale të martën, edhe shoqe e kolegë ishin mobilizuar për ta gjetur duke publikuar fotografi të shumta të saj.
Ish-i dashuri u arrestua dhe po merret në pyetje nga prokurorët. Sipas raporteve fillestare, djali dyshohet se e goditi Ilaria-n disa herë me thikë në apartamentin në Via Homs, përpara se ta mbyllte në një valixhe dhe të përpiqej të zhdukte trupin. Ndaj tij rëndojnë akuzat e vrasjes me dashje dhe fshehje të kufomës. Nuk dihet nëse ka qenë ai që ka treguar vendndodhjen ku e kishte fshehur kufomën.
I riu me origjinë filipinese, për të zhdukur gjurmë, vazhdoi që të përdorte celularin e studentes, duke iu përgjigjur mesazheve dhe duke postuar në rrjete sociale edhe pas vdekjes së të resë. Sula kishte dalë mbrëmjen e 25 marsit, pa u përshëndetur me shokët e dhomës dhe nuk u ishte përgjigjur mesazheve të tyre në WhatsApp.
Ekspertiza shkencore në banesën e ish-të dashurit
Hetimet morën një kthesë dramatike gjatë natës, kur policia shkoi në apartamentin e të riut filipinez në rrugën Homs, në lagjen Africano, ku kreu një kontroll. Mbrëmjen e zhdukjes, Ilaria kishte dalë nga shtëpia me nxitim për të takuar dikë. Prindërit e saj, të cilët jetojnë në Terni, thanë se ajo nuk kishte marrë asgjë me vete, madje as sendet personale, ndërsa telefoni i saj kishte qëndruar i ndezur për njëfarë kohe dhe dikush madje kishte kthyer përgjigje në disa mesazhe. Nuk është e qartë nëse ishte vërtet ajo. Më pas, asnjë gjurmë nga e reja shqiptare.
Ilaria ishte studente në ‘La Sapienza’
Ilaria ishte studente në Universitetin La Sapienza të Romës dhe ndante një apartament në distriktin universitar të San Lorenzos me katër studente. Shoqet e dhomës kanë deklaruar se ajo ishte larguar rreth orës 21:30 më 25 mars dhe se nuk kishin vënë re asnjë të dyshimtë në sjelljen e saj. Megjithatë, ajo kishte shkëmbyer disa mesazhe në Whatsapp me ta. Sipas raportimeve, dyshohet se këto mesazhe i ka kthyer autori pasi ka kryer vrasjen. Më pas, duke filluar nga e shtuna e datës 29 mars, ajo nuk i përgjigjej askujt, kështu që shokët e saj të dhomës e njoftuan familjen e saj dhe shkuan të denonconin në polici.
“Ajo u largua nga shtëpia në orën 21:30 të së martës, më 25 mars, pa thënë lamtumirë. Ajo nuk i tha askujt se ku po shkonte. Ne nuk pamë asgjë të çuditshme. Por që atëherë, ne nuk e kemi parë apo dëgjuar nga ajo.”