Një libër i gazetarit profesionist Qemal Sakajeva

Trajektore në 42 vjet: 1977-2019

ARDHJE NË PENËN TIME

QEMAL SAKAJEVA boton librin “FORMULA E PRESIDENTIT, K — BE+NATO+SHBA”, në 2 vëllime

Nuk ndodhi për arsye profesionale në gazetari.

Fillimisht Kosovë ishte Nana,  – Hajrie Sinani (Igrishta). Ajo u lind në Shalnavicë të Gurrakocit të  Pejës nga ku, – pasi serbët ia vranë të ëmën Anife, motrën Gjylë, plagosën motrën tjetër Havë (në verën e vitit 1924),  dhe shtëpisë i hodhën vajguri e i vunë flakën, – emigroi për në Shqipëri në moshën 7 vjeçe bashkë me të atin, Mehmeti, i cili shumë vite të shkuara ishte larguar nga Igrishta, fshat përtej maleve Kopaonik, pasi Serbia e pushtoi Toplicën me luftë në vitet 1877-1880. Ndër 300 000 të dëbuarit ishin dhe Igrishtët, të cilët u hapërdanë më në  brendësi të Kosovës. Andej, nga ky copëtim i parë i  trojeve shqiptare, u patën humbur gjithçka e përgjithmonë, përveç emrit të fshatit, që e kthyen në llagap (mbiemër), dhe për të mos e harruar, e mbartën si zhguall kahdo që shkuan. Edhe  varri i Shaqir Igrishtës, një kryetrim të cilit iu thurën këngë për së gjalli, që këndohen me çifteli edhe sot e kësaj dite, ka mbetur diku atje, pa kurrfarë murane a shenjë kujtimi. Pas vrasjes, në kullën e tij serbët vendosën komandën e ushtrisë së tyre. Kurse Hajria  u end nëpër Shqipëri: në Kukës, në Shkodër, në Berat (Kala), në fshatin Drenovicë të Kutallisë së Beratit, në Stan Bobo të Lushnjës, dhe vetëm pasi u martua zuri vend përgjithmonë në fshatin Babunjë e Re. Dhe përgjat 90 vjet, 5 muaj e 10 ditë sa jetoi, përtej habisë foli vetëm gegnisht, pa e mësuar të folmen toskërisht të Myzeqesë. Por asaj nuk iu largua ndjesia e fatalitetit, sepse thoshte: “Kosovës kurrë nuk ka me ju heq gazepi pej shpine”.

Kosovë qe edhe fshati Babunjë e Re në Lushnjë, i krijuar nga e para mbi ato kodra e mes pyjesh të mëdhenj në verën e vitit 1927, nga 37 familje me 135 frymë gjithsej, gjysma të ardhur  nga Kosova e gjysma nga Turqia, pasardhës të atyre që ishin dëbuar nga Toplica, dhe mbanin për mbiemra emërvendet e fshatrave si  kujtesë dhe dëshmi prej nga i kishin spastruar me luftë. Është e pabesueshme se si ky  “ishull” të ardhurisht, mes vendasve në shumicë ortodoksë dhe më pak myslimanë, e ruajti të pacenuar të folmen gegnisht, odën, këngët me çifteli, veshjen, mënyrën e organizimit të jetesës, gatimit, lojërat, dhe jo pak, por për dy breza njerëzorë. Pas trazimit të jashtëzakonshëm të familjeve nga lufta dhe paslufta, me pushkatim, dënime me burg e burgime të përjetshme, përndjekje si ballistë dhe shpallje kulakë, ua plasën dhe diçka që kurrë nuk ua rrokte mendja: një ditë shkarkuan barrë me libra dhe revista në shkinisht, me udhëzimin që fëmijët dhe të rinjtë duhet të mësojnë serbisht. Por ato përfunduan në gropën e zjermit të oxhakut: “E lshoftë toka  Serbinë! Nuk po na len me rrnue as n’ Shqypni!” Të gjitha këto, të shoqëruara me lënien menjanë të zhvillimit ekonomik e shoqëror, aq sa fshati nuk ishte i denjë për të pasur organizatë partie deri shumë vonë, edhe pasi qe krijuar kooperativa bujqësore. Ajo u formua me  vërçanë (malësorë të ardhur nga krahina e Vërçës së Elbasanit e të Gramshit), që zunë vend në trojet e atyre që iknin: familje pas familjeje u shpërngulën përsëri për diku tjetër nëpër Shqipëri.

Me diçka të shkruar, Kosovën e ndaluar për t’u përmendur në çdo tekst shkolle e gazetë, përherë të parë e ndesha rastësisht. Profesori i ditur Dr. Vasfi Samimi – Visoka, më ftoi në shtëpi në fundvjeshtë të vitit 1966, nxori nga biblioteka me pasuri të hatashme librin Nëna Kosovë – Shqipëria e vërtetë, i botuar në vitin 1943, dhe ma dha  për ta lexuar fshehurazi, me porosinë për kujdes se mund ta pësonim të dy.  E  futa në xhepin e brendshëm të palltos dhe e përpiva për tërë natën. Ai libër i shkruar me pathos atdhetari, plot ndjenja njerëzore, përgjegjësi të madhe qytetare e guxim të spikatur intelektual,  ishte bërë ndëshkim i pamëshirshëm për të, për sa qe gjallë. Në dhjetor të vitit 1944 libri u hoq nga qarkullimi përgjatë periudhës sa vazhdoi regjimi komunist, ndërsa Dr. Samimi ishte arrestuar vetëm një javë pas ardhjes në pushtet të Partisë Komuniste, u nxor në gjyq me akuzën si kriminel lufte në mars të vitit 1945, sepse akademikët serbë i cilësonte intelektualë kriminelë në lidhje me Kosovën dhe mbronte pikëpamjen se nuk ka as Shqipëri të madhe, as Shqipëri të vogël, por ka vetëm Shqipëri të vërtetë.

Disa vite më vonë më ranë në duar dy libra legalë, të shkruar nga Ajet Haxhiu. I pari ishte monografia Hasan Prishtina dhe lëvizja patriotike e Kosovës (1964). E lexova dhe mbeta i habitur. Në bibliotekën e Babunjës së Vjetër, të kooperativës bujqësore të Fiersemanit, e vendosur në xhaminë e fshatit me t’u ndaluar feja, gjeta libra historikë të botuar pas vitit 1955, në të cilët Hasan Prishtina cilësohej  “irredentist” dhe “armik i popullit shqiptar”. Ajeti e kishte nxjerrë këtë figurë të madhe të atdhetarizmit nga kjo varrezë historiografie jugosllave e sovjetike, me shumë mundime. Më vonë më ra në dorë monografia  tjetër, po  e Ajetit, – Shota dhe Azem Galic (1976). E pata lexuar gjatë udhëtimit Tiranë – Gradishtë dhe Gradishtë – Tiranë, me tren. Por kur gjatë leximit arrita te veprimi heroik i nxjerrjes së eshtrave të Azemit nga shpella shumë e thellë e Gllarevës “Te çuku ku kërset”, në Drenicë, nga mësuesi Avdyl Krasniqi i ndihmuar nga daja Kadri Berisha dhe axha Sadik Krasniqi, nuk e përmbajta lotimin.  Për t’iu fshehur udhëtarit përballë, ula kryet dhe mbi vetulla vura shuplakën e dorës si perde.

Një ditë pranvere të vitit 1977 u ula dhe shkrova një shkrim kundër  furisë fyese dhe agresive serbe ndaj lindshmërisë së nënave të  Kosovës, që  prej tyre cilësohej Bombë Biologjike për  të ardhmen e Serbisë. Arsyet  ishin dy: në familjet shqiptare, edhe të të shkolluarve e intelektualëve të njohur, lindnin shumë fëmijë, ndërsa mjaft emra për ta ishin të çuditshëm, të marrë nga harta gjeografike ndërsa nuk i ndeshje  askund në gjendjen civile të Shqipërisë, si Vlora, Saranda, Berat, Butrint, Milot, Shkëlzen, Labinot, Vjosa, Frashër, Drilon e plot të tjerë. Shkrimi u dërgua në Komitetin Qendror të PPSH, dhe qe lexuar në vertikalen përpjetë, që nga drejtoria e Shtypit, sektori i Kosovës dhe sekretari i Komitetit Qendror për ideologjinë. U thirra në ato zyra dhe u tha vetëm kaq: “Shkrimi është i mirë, por nuk mund të botohet!”

Në qershor të vitit 1977, ndërsa gjendesha me shërbim gazetarie në Tomoricë të Skraparit, në anën lindore të malit të Tomorit, redaksia e gazetës kërkoi në telefon që të kthehesha në Tiranë. Të nesërmen e mora vesh pse-në: tre vetë, –  autori Ajet Haxhiu, Prof. Stefanaq Pollo dhe kinooperatori Pëllumb Kallfa, – do të udhëtonin për  në qytetin e Selanikut, të zhvarrosnin e sillnin eshtrat e Hasan Prishtinës, ndërsa 31 vetë do të shkonin në Kapshticë të Bilishtit për t’i pritur.

Në Kosovë ndodhën ngjarjet e pranverës së vitit 1981. Protestat e mëdha me thirrjen Kosova Republikë, e tronditën Serbinë dhe Jugosllavinë. Në çdo qelizë të shoqërisë nisi procesi i diferencimit famëkeq  dhe represioni  i gjithanshëm mbi shqiptarët me thirrjet për informim në stacionet e policisë. Ato pak zhvillime ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës gjatë viteve ’70 u ndërprenë plotësisht. Në të dy anët e kufirit fluturonin veç zogjtë. Kurse ndaj gazetave, revistave, radios dhe televizionit të Shqipërisë u forcua mbikëqyrja aq sa emri i Kosovës nuk lejohej të përmendej në asnjë shkrim pa u marrë miratimi i drejtorisë së Shtypit në KQ të PPSH. Por kundër Shqipërisë po rritej trysnia ndërkombëtare. Kjo u bë e dukshme me vizitën e  Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Havier Peres de Kuelar (Javier Perez de Cuellar), nga 11-13 maj 1990. Për herë të parë regjimi u detyrua të mos pengonte një grup gazetarësh perëndimorë të akredituar në Beograd, për të pasqyruar vizitën në vendin e vetizoluar, të cilët shërbenin për gazeta dhe agjenci lajmesh të mëdha botërore, ndër to New York Times, BBC, AFP etj. Mes tyre, dhe bashkë me ta, u lejuan të vinin edhe dy gazetarë nga Kosova: Fahri Musliu, korrespondent i  gazetës Rilindja me qendër në Beograd, dhe Llukman Halili, gazetar i RTP (Radiotelevizioni i Prishtinës) me qendër në Prishtinë. Për shoqërimin e gazetarëve të huaj ishin caktuar disa gazetarë shqiptarë. Një ditë përpara ata u thirrën në Komitetin Qendror të PPSH dhe porositë i dha vet  Foto Çami,  anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i KQ të PPSH, në mënyrë që, nga kjo vizitë e Peres de Kuelar, socializmi shqiptar të pasqyrohej me gërvishtje sa më të vogla në shtypin perëndimor. Pasi  tha  porositë, nuk bëri thirrje të posaçme për vëmendje ndaj gazetarëve amerikanë, britanikë, francezë, gjermanë, austriakë, por vetëm mua m’u drejtua në emër:  ”Ti, Sakajeva, i përballon dot dy gazetarët kosovarë? Kujdes, njëri prej tyre vjen nga Beogradi?!”

Të gjitha këto më ishin mishëruar te vetvetja, çka bënë që, qysh nga viti 1977, me dy shkrime të pabotuar, i dyti në radhë për pritjen e sjelljes së eshtrave të Hasan Prishtinës, Kosovën fillova ta përjetoj edhe profesionalisht, si pjesë të rëndësishme të gazetarisë sime, më në fund, – dhe shumë vonë, – ta sjellë edhe si libër. Libri Formula e Presidentit  përfshinë një trajektore të gjatë në kohë: 1977- 2019. Vjen nga përjetimi, informimi, leximi dhe analiza e përditshme,  e përjavëshme, e përvitshme për 42 vjet pa ndalim. Nuk është histori, por janë shtjellime për shumëçka përgjatë 42 vjetëve të historisë së Kosovës. Nuk është ditar, por analiza nga përdishtmëria dramatike 42-vjeçare kosovare. Më në fund Kosova u kthye në  problem botëror, aq sa për Kosovën e me Kosovën janë marrë e merren shtetet më të rëndësishme e më të fuqishme të globit, dhe nga “çështja e Kosovës” u shndërrua në “çështje gjeostrategjike”. Në faqet e  librit ndeshen rreth 400 emra, të cituar apo të përmendur, nga personalitete të mëdha të lirisë deri te individë kriminelë.

                                                                        

 

                                                                       

 

 

 

 

 

SHKARKO APP