Një libër i ri shqiptares me banim në SHBA, Adela Çaushllari me titullin “Pyet Emen”

Libri që sapo ka nxjerrë në Amazon, shkrimtarja e re e talentuar, Adela Çaushllari, titullohet “Pyet Emen”. Ema është një përsonazh i thjeshtë që autorja ka zgjedhur për të simolizuar dramat me të cilat përballen të rinjtë shqiptarë.

Adela Çaushllari është mbështetëse e suksesit të femrës dhe ajo e nënvizon këtë fakt sa më shumë në ato që shkruan. Ashtu si edhe libri i parë “Anabela”, edhe “Pyet Emen” ka në qendër të tij një personazh femër. Në liber ka edhe shumë personazhe të tjera të cilat mbartin karakteristika te ndryshme dhe vlera njerëzore.

Shkurtimisht po japim thelbin e librit të saj:

Rrefimi është më shumë psikologjik dhe analizon mënyren se si mendon Ema. Ema është një shkrimtare e cila në të njëjten kohë ka kaluar edhe një adoleshence të tejmbushur me dashuri të mëdha. Këtu ndertohet një histori e madhe dashurie mes Emes dhe Maksit e cila i tejkalon kufijtë e Shqipërisë.

Ema përballet me sfiden e trafikimit të qenieve njerëzore i cili ka qenë një fenomen shumë i përhapur dhe vazhdon të jetë në realitetin shqiptar.

Një tjetër sfidë e saj (do ta quanim një eksperincë që e tjetërson njeriun për mirë) është jetesa në Lindjen e Mesme gjatë kohes së luftës. Në kohen kur shumë femra dhunoheshin, e shume familje vriteshin, shumë fëmijë mbeten jetimë dhe pa mbështetje.

Misioni i një grupi vullnetar murgeshash dhe Emes sëbashku me to, ishte t’i ndihmonin këta fëmijë sa të mundnin. Kjo është pjesa më e preferuar e librit sepse ngre lart shpirtin humanitar të femrës shqiptare.

Në libër ka pa fund personazhe të cilët mbartin vlera, po aq sa Ema.

Interesante në libër është se Ema përballet me sfiden e humbjes se kujtesës dhe dalëngadalë gjatë kohes së shërimit ajo zbulon gjera aq të tmerrshme dhe te dhimbshme për të kaluarën e saj.

Duhet theksuar se forca me të cilën Ema përballet me sfidat e jetës e bën atë një simbol të femrës së thjeshtë shqiptare.

Si ky libër, ashtu edhe libri tjetër “Anabela” do të jenë shumë shpejt pjesë e tregut amerikan, pasi atje do të botohet. Më pas edhe në Shqipëri.

Adela Çaushllari banon në SHBA, por dashurinë për Shqipërinë e hedh në libra me përsonazhe nga vendi ynë.

Adela Çaushllari ka studiuar në degën e gazetarisë dhe shkencave të komunikimi pranë Fakultetit Histori – Filologji, në Universitetin e Tiranës. Libri i saj i parë është romani “Anabela”, i hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Dituria” në vitin 2017, dhe i vlerësuar nga lexuesit dhe kritika e specializuar. “Anabela” ka ngjallur interes të veçantë, sidomos tek të rinjtë. Ky roman është përkthyer në gjuhën angleze, dhe ka pasur sukses në platformën Amazon. “Pyet Emën” është romani i dytë, i cili sendëton realitetin e dramës së të rinjëve sot, në përpjekjen e tyre për të realizuar vetveten, në betejën kritike për të ruajtur pasionet njerëzore dhe dashurinë. Autorja jeton në Palm Harbor, në Florida të SHBA-së dhe vazhdon studimet në fushën e biznesit.

Por më saktë librin e saj e ka përshkruar Albert Gjoka. Ja se çfarë shkruan:

Parathënie

Një sagë për mbijetesën e dashurisë*

Dr. Albert Gjoka

Lëvrimi i romanit konsiderohet sot një zeje tejet e vështirë; jo thjeshtë për faktin se ka mijëra vjet që prodhohen pareshtur vlera letrare. Madje, studiuesit e tekstit thonë se kryeveprat janë shkruar tashmë: Por, përtej kësaj qasje skeptike, bota e trillimit vazhdon ta mbaj ende të gjallë interesin e lexuesit edhe në ditët tona, pasi konsiderohet një terapi e vlertë mendore për të zgjeruar imagjinatën dhe për të rritur dimensionet e lirisë njerëzore. Në këtë kontekst, zeja e shkrimtarit vlen kur na i përmbush këto nevoja, të cilat krijuesit i bëjnë të mundura falë këndvështrimit që ata kanë për botën të cilës i përkasin dhe mënyrës sesi e sendërtojnë dhe e përcjellin këtë reale  përpara nesh. Madje, edhe ne si lexues duhet ta bëjmë letërsinë bashkëkohore pjesë të botës dhe jetës tonë të përditshme, – jo thjeshtë si një mjet që përmbush nevojat tona, apo kënd pamje ndryshe, por edhe si një lëndë që na ndihmon thelbësisht për të rritur shkallën e kuptueshmërisë ndaj mjedisit që na rrethon. Në këtë aspekt, autorët e rinj sjellin perceptime origjinale për mjedisin, i cili sot, më shumë se kurrë, ndodhet në një dinamikë “përvëluese” dhe kaotikë që e vështirëson perceptimin e drejtë dhe ndërveprimin me të. Mes rrëfimtarëve që sjellin një këndvështrim ndryshe, – që sigurisht i kapërcen kontekstet specifike, është edhe Adela Çaushllari, autore e dy romaneve: “Anabela”(2017), i hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese Dituria dhe romani më i fundit, “Pyet Emën”(2022), i cili i komunikohet lexuesit përmes këtij botimi.

Romani i parë mund të konsiderohet një sukses, jo thjeshtë nëse marrim në konsideratë numrin e lexuesve që e kanë kërkuar në treg, por edhe për mënyrën sesi ka reaguar kritika e specializuar. Të njëjtin interes ka patur ky roman edhe në botimin e tij në gjuhën angleze, gjw qw flet pwr vlera tw qenwsishme letrare. Autorja adreson sfidat që kanë të rinjtë e kohës tonë, dhe këtu ajo dëshmon aftësi në artikulimin e narrativave të jetës së tyre, në mjeshtrinë për të hyrë në botën e tyre dhe për t’i vendosur ato në një perspektivë jete.

Në të njëjtin shtrat dhe me të njëjtin stil vjen edhe romani i ri “Pyet Emën”, i cili padyshim që shënon një rritje cilësore në krijimtarinë e Adela Çaushllarit. Edhe në këtë roman vjen bota e të rinjëve, historitë e tyre, – në pamundësinë për të realizuar vetveten dhe përpjekjen e jashtëzakonshme për të ruajtur vlerat e qenësishme njerëzore përballë një bote trans-humaniste, ku më e thelbësorja mbetet dashuria. Si i tillë, ky roman konsiderohet një sagë e mbijetesës së dashurisë për ballë kërcënimeve asgjësuese si trafiku i qenieve njerëzore, konfliktet e armatosura, sëmundjet apo edhe sjelljet njerëzore si egoizmi, cmira dhe sjellje të tjera individuale.

Në qendër të romanit janë një grup të rinjësh, shokë fëmijërie, me personazh kryesor Emën, dhe miqtë e saj: Maksi, Eriku, Gleni, Kimi, Roxheri, Nada, Orlando, Tomi; historitë e të cilëve zhvillohen në një trajektore të gjatë kohore, shoqëruar me të gjithë kompleksitetet që shfaq ndërveprimi njerëzor në kohë dhe hapësira të ndryshme. Rrëfimet ndërtohej përtej një mjedisi të caktuar, duke eksploruar realitete dinamike brenda një bote që tashmë është bërë shumë e vogël. E tillë është edhe jeta e Emës, – e lindur në një familje intelektuale tiranase, me pasionin për t’u bërë një shkrimtare e madhe, si i ati i saj, por që jeta e përplas në drejtime të paimagjinueshme prej saj: Ajo kthehet në një viktimë të një rrjeti prostitucioni, dhe më pas gjen prehje të përkohshme në një manastir murgeshash në Milano, për të vijuar si vullnetare në ndihmë të viktimave të luftës në Bagdat, dhe në fund, në një spital në Nju Jork, pas traumave të njëpasnjëshme që i sjell jeta.

Brenda pak faqeve të romanit vijnë drama të mëdha njerëzore, të cilat jo thjeshtë i shohim përmes medias, por mund të jemi edhe ne protagonistë apo viktima të tyre, në rrethana të caktuara. Përmes rrëfimit të saj, autorja sendërton në mënyrë të mprehtë dhe koncize, krahas pasioneve njerëzore në jetën e përditshme, edhe çështje ekzistenciale si trafikimi i qenieve njerëzore, konfliktet luftarake, sëmundjet seksualisht të transmetueshme, ku individi, sidomos të rinjtë, e kanë të pamundur të shpalosin vlerat njerëzore, pa paguar kosto të rënda në jetën e tyre. Sfida më e madhe që adresohet mjeshtrisht në narrativën e Adelës është përpjekja e të rinjve për t’a shpëtuar ndërveprimin njerëzor, i cili merr kuptimin më të fisëm dhe më të epërm përmes aktit të dashurisë. Në roman, dashuria na shfaqet si një ndjenjë në zhdukje (për aq kohë sa ende ka vrasje, luftëra, trafiqe, sëmundje vdekjeprurëse, etj…) ku personazhi i saj sakrifikon gjithçka që ta ruajë këtë vlerë të pamatshme njerëzore.

Të gjitha këto pamje të realitetit, brenda një bote të madhe, autorja ka aftësinë dhe talentin që t’i sjell natyrshëm dhe shtruar në rrëfimin e saj, ku padyshim të rinjtë do të njëjtësohen me realitetit të përditshëm që ata kanë teksa enden nëpër faqet e këtij libri. Ky lloj lexuesi do të gjejë copëza thelbësore të botës së tij; njëherësh edhe sfidat e tij, – të tilla si ato që kanë edhe personazhet e këtij libri.

Përmes këtij romani, autorja dëshmon përmirësim të dukshëm të teknikave narrative, nëse e krahasojmë me romanin e mëparshëm “Anabela”, por edhe nëse do ta vendosim në një qasje krahasuese me autorët e tjerë të rinjë shqiptarë. Ajo na rrëfen historinë e Emës dhe të botës që e rrethon përmes një narratori të gjithëdijshëm, i cili vëzhgon në mënyrë të detajuar dhe dinamike, me mprehtësinë dhe aftësinë për të depërtuar në të gjitha hejëzat e psikologjisë njerëzore. Përdorimi i analepsave dhe prolepsave, që në nisje të romanit, na shfaq mjeshtrinë e stilit kinematografik të të treguarit, ku historia vjen si një tërësi frame-sh të fateve dhe gjendjeve njerëzore, të fiksuara bukur dhe të analizuara thellë. Rrëfimtarja vëzhgon nga lart dhe nga larg personazhet e saja: I vendos në një dinamikë të natyshme, në mjedise dhe realitete të ndryshme, – si Tiranë, Milano, Bagdat, Paris apo Nju Jork, – pa u sforcuar; ajo ndërton një marrëdhënie të besueshme mes personazheve dhe lexuesit, ku ky i fundit intrigohet për të ndjekur hap pas hapi fatet e tyre. Kjo e mban peng lexuesin i cili është kurioz deri në faqen e fundit nëse do të ketë një finalizim të dashurisë mes Emës dhe Maksit, pas dramave dhe sfidave që u vendosen në raportet e dashurisë së tyre.

Rrëfimtarja nuk e cënon trajektoren e personazheve që ndërton, me individualitetet, idetë dhe fatet që kanë, por, i lë të ecin në rrugëtimin e tyre krejt natyrshëm. Personazhet si turkesha e bukur Merihan, doktori me të njëjtin emër si i dashuri i saj, Maksi, kryemurgesha italiane, etj., janë një vlerë e shtuar, edhe për të na dëshmuar se bota është bërë gjithnjë e më e vogël dhe nevoja për ndërveprim njerëzor bëhet gjithnjë e më urgjente për këdo, në cilindo vend ku të ndodhet. Fuqia asociative e personazheve me mjediset në të cilat jetojnë, – janë një vlerë e shtuar në rrëfimin e këtij libri, ku autorja shpalos aspekte të veçanta në narrativën e saj.

Përqasja narrative në kontekste të ndryshme, adresimi i aspekteve të përbashkëta dhe të veçanta, apo përbashkimi i vlerave njerëzore, – i japin romanit një aftësi receptuese në një shkallë të gjerë. Një fiction i tillë ngjall interes dhe sendërton receptim dinamik me lexuesit e çdo areali, pasi përbashkon vlera njerëzore, përtej një konteksti të caktuar, – ku përgjithësisht letërsia bashkëkohore shqipe shfaq mungëse të natyrës receptuese dhe ndërvepruese. Një gjë e tillë nuk ndodh në romanin e kësaj autoreje.

Autorja është treguar e kujdesshme edhe me bollshmërinë leksikore të përdorur në roman, e cila ndërton një marrëdhënie emocionale me lexuesin. Ky raport përforcohet edhe për shkak të veçantive të rrëfimtares në mënyrë e ndërtimit të fjalive dhe paragrafëve, të cilët e mbajnë në një nivel intensiv ndërveprimin me lexuesit.

Tashmë, Adela Çaushllari ndërton perspektiva të pazakonta të botës dhe gjendjes tonë postmoderne dhe adreson sfidat e të rinjëve të çdo areali në diskursin e saj narrativ, ku autorja do të na sjellë një bote dinamike dhe shumëplanëshe, me mjedise që ndërveprojnë me njëri-tjetrin, ku fati i njeriut varet nga shkalla e ndërveprimit në nivel global dhe ku dashuria është e vetmja forcë që e ndihmon njeriun të ecë përpara në çdo kohë dhe mjedis ku ai jeton. Për këtë arsye, autorja ka ç’ti ofrojë lexuesit të saj përmes letërsisë që krijon, e cila i kapërcen kontekstet e caktuara. Përmes kësaj strategjie narrative, vepra e saj i flet çdo individi në kultura dhe kombësi të ndryshme. Kjo ka qenë një grackë për autorët shqiptarë, të cilën Adela, ndryshe nga të tjerët, e ka kapërcyer me sukses në të dy romanet e saja. Këtu buron edhe një sukses i mundshëm që autorja ka pasur dhe shpresojmë të ketë me receptimin e romaneve në gjuhën angleze.

*Autori është studiues letërsie dhe drejtues i platformës më të madhe online të librit shqip, Bukinist.al

SHKARKO APP