Një mosmarrëveshje dhe një marrëveshje që do ta ndryshojnë Kosovën

NEXHMEDIN SPAHIU  Nexhmedin-Spahiu-650x258

Rezultati i zgjedhjeve ko mbëtare të 6 tetorit 2019 në Kosovë, tregoi se shoqëria kosovare nuk ka ndryshuar. Ajo çfarë ka ndryshuar ishte dalja pak më e madhe në zgjedhje, dhe rrjedhimisht të gjitha partitë shtuan numrin e votuesve, por proporcionet u ruajtën. Pak a shumë, përqindjet e partive politike ngelen po ato të dy viteve më parë. Numri i votave të pavlefshme u shtua, po ashtu.

Mbi 42.000 vota të pavlefshme (mbi 5% të numrit total të votave) është një fenomen që tregon analfabetizmin e shoqërisë kosovare, pasi po me këtë sistem votohet që 12 vite. Sipas zëdhënësit të Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës, dy problemet kryesore janë: zgjedhja e numrave të kandidatëve në anën e djathtë, pa e zgjedhur subjektin politik (45.8%), dhe zgjedhja e më shumë se një subjekti politik (32.3%).

Pakënaqësia e votuesve me ofertën politike është reflektuar në analizë përmes fletëvotimeve të bëra të pavlefshme me qëllim (12%) si dhe fletëvotimeve të zbraztë (9.2%). Nëse këto përqindje janë të sakta, atëherë del që nga këta 42000 e kusur votues, rreth 5000 veta nuk kanë dashur t’ia japin votën askujt, ndërsa 37.000 veta thjesht nuk kanë ditur të votojnë.

Përkundër gjithë kësaj, opinioni publik në Kosovë e jashtë saj e sheh ndryshimin. Por çfarë në të vërtetë ka ndryshuar?

Kur më 2017, Vetëvendosja kishte fituar 32 deputetë e LDK 29, këto dy parti së bashku kishin shumicën e duhur prej 61 deputetëve për të formuar qeverinë. Po përkundër përpjekjeve të Behxhet Pacollit për t’i takuar Albin Kurtin e Isa Mustafën, Albin Kurti, i dehur nga suksesi që pa koalicione kishte dalë partia e parë (e dyta pas koalicionit PAN) ishte kryefortë dhe nuk donte të përulej në biseda për koalicione.

Gjatë mandatit që shkoi, Albin Kurti u përball me rrezikun që t’i ikte nga dora partia që kishte themeluar vetë me sakrifica të mëdha. Shokët, të cilët i kishte ngritur në pozita, të lodhur nga diktati i tij si njeri i sakrificës, tani që ishin partia më e madhe në Parlamentin e Kosovës, ishin lodhur nga sakrifica dhe donin komoditet dhe nuk ishin të gatshëm ta kenin Albin Kurtin në krye të partisë. Megjithëkëtë, Albin Kurti arriti ta rimarrë partinë, por humbi 13 deputetë, të cilët u anëtarësuan në Partinë Socialdemokrate të Kosovës të udhëhequr deri më atëherë nga Kaqusha Jashari.

Albin Kurti këtë e përjetoi si goditje të madhe dhe nuk e mori vetën për shumë kohë. Por fati në këtë fatkeqësi të tijën ishte se mblodhi mendtë se nuk mund të presë derisa partia e tij të fitojë mbi 50% dhe ta marrë pushtetin. U bë i gatshëm për marrëveshje me LDK-në, të cilën deri dje e kishte konsideruar patericë të PDK-së.

Në anën tjetër, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli arritën deri në pikën ku më nuk mund të merreshin vesh. Kjo mosmarrëveshje mes tyre prodhoi zgjedhjet e parakohshme. Rezultati i mosmarrëveshjes Ramush-Kadri dhe marrëveshjes Albin-Isa prodhoi mundësinë që Albin Kurti të jetë Kryeministër i Kosovës.

Me Albin Kurtin Kryeministër, Kosova do të jetë tjetër nga ajo e këtyre 20 viteve që shkuan. Kosova do të ketë më shumë drejtësi sociale e kjo gjë do të reflektojë edhe në Shqipëri. Do të ketë luftë të hapur korrupsionit dhe burgjet do të mbushën. Autoriteti i Albin Kurtit në hapat e parë të qeverisjes së tij do të ngrihet në kulm. Diktati i tij do të jetë i pranishëm në çdo pore të shoqërisë kosovare. Liria e medies nuk do të cenohet, jo për ndonjë arsye tjetër, por sepse shumica e medies në Kosovë është mësuar të jetë në shërbim të pushtetit. Ato do t’i përshtaten realitetit të ri, mediat e pakta që kanë përkrahur Albin Kurtin kur ai arrestohej gjatë dy dekadave të kaluara, do të jenë të vetmet kritikuese të tij.

Në planin e jashtëm, Albin Kurti nuk do t’i ketë punët mirë. Amerikanët do ta tolerojnë atë derisa t’i shkelë në kallo në ndonjë moment. Në momentin që do t’i shkelë në kallo amerikanët, atëherë ata thjesht do t’i sugjerojnë lidershipit të LDK-së ta prishin koalicionin me Vetëvendosjen dhe LDK do ta prishë koalicionin menjëherë. Por ka një hapësirë goxha të madhe mes shkeljes në kallo të amerikanëve dhe një politike të jashtme të gabuar, e cila mund t’i sjellë dëme të mëdha Kosovës.

Arsye për këtë drojë është formimi i tij si nxënës shembullor i një shkolle të keqe. Brezat e shqiptarëve të Kosovës që janë edukuar nga vitet e ’70 e këndej, janë të indoktrinuar me filozofinë politike të Enver Hoxhës. Librat të historisë e të letërsisë kanë qenë po ato si ato në Tiranë, me dallim që në faqen e parë, ato në Tiranë kishin foton e shokut Enver, kurse ato në Kosovë kishin foton e shokut Tito, por përmbajtja ishte enveriste. Për dallim nga nxënësit e studentët në Shqipëri që gëlltisnin propagandën enveriste, por që sytë i kishin në ballë për ta parë rezultatin e asaj propagande, kolegët e tyre në Kosovë nuk shihnin as nuk e ndienin realitetin e Shqipërisë, por shihnin RTSH-në dhe shijonin gënjeshtrat enveriste në tekstet shkollore të historisë e letërsisë.

Albin Kurti, duke qenë inxhinier i elektros, nuk ka pasur rastin të tejkalojë më shumë se formimin bazë çfarë na është servirur në shkolla fillore e të mesme nga shërbëtorët e shokut Enver. Prej këtu edhe mund të kuptohet fakti se Albin Kurti e konsideron Enver Hoxhën vetëm si një diktator, por jo edhe si antishqiptarin më të madh në histori.

Në bisedimet me Beogradin, Albin Kurti do të jetë më kreativ e më këmbëngulës dhe jo kotësirë siç ishin ata që dialoguan deri më tani me Beogradin (me përjashtim të Ramush Haradinajt që ishte më serioz, por jo edhe në nivelin që e kërkonte puna). Por, kam frikë se Albin Kurti do të kalojë në ekstremin tjetër dhe po ashtu si pararendësit e tij të ngelet pa rezultat.

Me mendësinë politike të Enver Hoxhës, përfundon në izolim. Për më tepër, ekziston rreziku real që gjatë qeverisjes së tij Kosova të acarojë marrëdhëniet me Shqipërinë. Autoriteti që do të fitojë Albin Kurti në fazën fillestare të luftimit të korrupsionit në Kosovë dhe qëndrimi i tij se me Edi Ramën janë kryeministra të një kombi, do të krijojë simpatizantët e vet në Shqipëri e rrjedhimisht do të krijojë rivalitet me klasën politike të Tiranës, gjë që do të reflektohet në marrëdhëniet mes dy qeverive dhe dy shteteve. Tani për tani, Albin Kurti ndihet i barabartë me Edi Ramën, por së shpejti do të ndihet superior karshi tij. Kjo do ta tërheqë edhe më shumë drejt projektit të bashkimit mes dy vendeve, gjë që do të shkaktojë tensione e rezistencë nga ana e Tiranës.

Derisa Albin Kurti ishte në opozitë, qëndrimet e tij karshi Shqipërisë ishin zbavitje flladitëse për Tiranën, por nëse ai nuk i ndryshon këto qëndrime si Kryeministër, atëherë qëndrimet e tij do të jenë kokëçarje për Tiranën. Natyrisht, ajo çfarë ndodhë mes Kosovës e Shqipërisë afekton edhe komunitetet shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi e rrjedhimisht edhe këto dy shtete.

Kosova nuk ka dalje në det. E vetmja frymëmarrje për Kosovën janë raportet e mira me 4 fqinjët e saj. Sfida e Kosovës është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Acarimi i raporteve me 3 fqinjët e tjerë (Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi) mund të jetë fatal për Kosovën. Garancia që kjo nuk do të ndodhë, do të jetë atëherë kur Albin Kurti të deklarojë se antishqiptari më i madh në histori është Enver Hoxha dhe atëherë kur flamurin e Kosovën ta quajë flamur kombëtar (siç edhe e ka quajtur Ahtisaari në Nenin 1. Paragrafi 7, në Planin Gjithëpërfshirës për Kosovën) e jo si derimë tani, vetëm “flamur shtetëror” apo “flamur administrativ”.

Albin Kurti duhet ta kuptojë se flamur shtetëror ka edhe Teksasi, Kolorado etj., po ato nuk kanë flamuj kombëtarë, sepse flamur kombëtar amerikan është vetëm flamuri me 50 yje dhe se Teksasi, Kolorado etj., nuk janë subjekte ndërkombëtare, por vetëm SHBA.

Të thuash se Kosova ka vetëm flamur administrativ dhe jo flamur kombëtar e në anën tjetër të kërkosh të krijosh marrëdhënie ndërkombëtare, të anëtarësohesh në Kombet e Bashkuara etj., vetëm mund t’i bësh të tjerët të qeshin me mjerimin tënd intelektual.

Ideja që Kosova ta pushtojë Shqipërinë është po aq idioteske sa edhe ajo që Kosova të heqë dorë nga shtetësia e vet dhe territorin e saj t’ia dhurojë Shqipërisë. Natyrisht, në instancën e fundit, këtë nuk do ta lejojnë amerikanët, sepse asnjë prind nuk lejon që fëmija i vet të bëjë vetëvrasje, por axhendat në këtë drejtim do të mund t’i sjellin dëme të mëdha Kosovës.

SHKARKO APP