Një muaj pas tërmetit tragjik, Thumana pa 24 banorë dhe e zbrazët

Sot bëhet një muaj nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit. Në Thumanë, 24 viktima pjesëtarë të të njëjtave familje humnën jetën nën rrënojat e ndërtesave dhe zona është thuajse e zbrazët. Në zonën e Thumanës dhe Bubqit, sipas Bashkisë Krujë për 3040 shtëpi të dëmtuara, 1500 prej tyre janë shpallur të pabanueshme. Gjithashtu 15 shkolla dhe kopshte, Komisaritai i Krujës, një pjesë e godinës së spitalit të Krujës dhe Qendra Shëndetësore në Bubq, janë dëmtuar.

Sa i përket strehimit të banorëve, 350 prej tyre janë strehuar përkohësisht në Lezhë, 170 janë strehuar në palestra dhe konviktin e Krujës ndërsa 581 banorë të Thumanës dhe Krujës janë ende në çadra edhe pse ka kaluar një 1 muaj nga tërmeti. Bashkia ka marrrë disa apartamnete në kryeqytet pranë kthesës së Kamzës, por banorët e Krujës për shkak të largësisë dhe pamundësisë për të vazhduar punën nuk kanë pranuar të shkojnë.

Tragjedia në Thumanë lidhet me cilësinë e ndërtesave. Pallatet që u shkatërruan në 26 nëntor në Thumanë kanë pasur probleme me cilësinë që kur u hodhën themelet. Mark Alija, ish-i dënuar politik, që ka punuar në vitet ‘86-‘87 në Thumanë kur u ndërtuan ato pallate, thotë se problemet kryesore nisin që nga materialet e ndërtimit dhe askush nuk ka mbajtur përgjegjësi.

”Materialet nuk kishin cilësi. Pastronin furrat e gëlqeres në Krujë dhe i sillnin këtu për ndërtim. Çimento e cilësisë së parë shkonte për bunkerët. “Ishim në luftë me djallin’ dhe duhet të mbroheshim. Askush nuk ka qenë i përkushtuar për cilësi, por për të realizuar normën t’i çonin bukë fëmijëve. Ato pallate janë ndërtuar nga 1986 deri në 1987. Përgjegjësi nuk mban njeri më, pasi përgjegjësia duhet të fillonte në Shqipëri për shumë krime që janë bërë”.

Në Durrës janë shembur 61 objekte, 58 prej tyre në rrethin e Durrësit. Durrësi është qarku që është prekur më shumë nga tërmeti. Ende qyteti nuk është në ritmet e duhura. Ajo çfarë shihet është se shumë nga banorët këto festa kanë preferuar ti kalojnë jashtë vendit për shkak se trauma e përjetuar vazhdon të jetë e rëndë. Në krahasim me vitet e mëparshme ku shihej një numër i lartë emigrantësh që ktheheshin në Shqipëri shumë nga qytetarët kanë preferuar të jenë larg Durrësit.

Në lagjen 13 në Durrës banorët shprehen se inspektorët nuk kanë dhënë asnjë zgjidhje. “Askush nuk ka ardhur të thotë se çfarë duhet të bëjmë”, shprehen banorët. Tomorr Duda thotë se vijnë dhe nuk japin asnjë përgjigje: “kemi mbetur si peshku pa ujë, kemi marrë dhenë me qera. Kemi shkuar në Bashki dhe asnjë përgjigje”, shprehet ai. Një prej tyre tregon se ka ngritur shqetësimin në Bashki, kanë mbledhur edhe firma, gjithashtu i ka drejtuar një letër kryeministrit për zgjidhje të problemit. Ai thotë se presin akt ekspertimin për shkak se ka paqartësi në verifikimin e ndërtesave.

SHKARKO APP