Një person tjetër i infektuar me koronavirus në Durrës, zbulohen detajet si u infektua
Një tjetër person me historik udhëtimi në Itali është konfirmuar si i prekur nga koronavirusi në Durrës.
Sipas burimeve spitalore të TCH, i infektuari është një burrë 74-vjeçar i cili para disa kohësh ishte kthyer nga Bergamo, zona më e prekur nga koronavirusi në Itali.
Deri më sot, në Durrës shumica e të infektuarve, përfshirë dhe viktimën e parë në vend, rezultojnë me historik udhëtimi në Itali ose në kontakt të afërt me persona të kthyer nga Italia a vende të tjera të BE-së. Në rastin e një 52-vjeçari të shtruar pak ditë më parë në Infektivin e QSUT-së mungon kontakti me persona të kthyer nga jashtë, po fëmijët e tij punojnë në call center.
Kjo e zgjeron ndjeshëm vatrën e përhapjes së virusit, ndërkohë që nuk dihet ende burimi i infektimit për dy punonjësit në nivel drejtues të Drejtorisë së Policisë Vendore Durrës, të cilët ndanin të njëjtën zyrë. Mes të infektuarve ka qenë dhe mjeku infeksionist B. G. i spitalit të Durrësit, po pas tamponit të dytë ka rezultuar negativ.
Mjeku doli pozitiv menjëherë pas konstatimit të rastit të parë në Durrës, 73-vjeçares nga Shënavlashi që ishte kthyer më 27 shkurt në Shqipëri pas një qëndrimi në spitalin e Kremonas (Cremona) në rajonin e Lombardisë. I gjithë personeli mjekësor dhe sanitar në kontakt me të iu nënshtrua testit të tamponit.