Një rezolutë për çamët në Parlamentin Europian
Rezoluta që ka miratuar Parlamenti Shqiptar duhet të bëhet pjesë e një Rezolute që duhet të miratojë edhe PE për Çamërinë, nën efektin e qëndrimit të drejtë që mban Komsioneri Hahn. Kjo është një domosdoshmëri që imponon Greqinë që të ketë detyrime si pjesë e këtij PE.
Nga Hyqmet Zane
Atmosfera patetike në lidhje me çështjen çame që u ndez nga deklarata e komisionerit Hahn, është një dëshirë e mirë e një evropiani, përfaqësues i Parlamentit që rriti edhe adrenalinën e politikës në çështjen kombëtare. Këto deklarata nuk janë të shpeshta, por janë domosdoshmëri për një komb që ka vuajtur shumë nga mosvëmendja europiane gjatë një shekulli.
Është mirë që një personalitet europiani si Komisioneri Hahn ka ngritur zërin për çështjen çame si rrjedhojë e ndërgjegjësimit që ka bërë komuniteti çam, Shoqata Çamqëria dhe vetë PDIU për këtë çështje të dhimbshme mbi 72 vjeçare. Edhe unë i them zotit Hahn “Faleminderit!”. Por a mjafton vetëm kjo? Kuptohet që jo. Unë mendoj se është PE që duhet të flasë me një zë si Komisioneri Hahn. Duhet të flasë se gjatë gjithë këtyre viteve ka heshtur edhe kur Greqia e manifeston hapur injorimin e këtij problemi. Por, para se të merrem me Greqinë që ka mbetur në vitet e gjenocidit dhe që njihet mirë se çfarë mendon e thotë dhe si vepron, kam mendimin që gjithçka fillon nga vetja dhe nga ndërkombëtarët.
Duhet thënë se Parlamenti Shqiptar ka miratuar në vitin 2005 një Rezolutë për Çamërinë, pasi në vitin 1996 është miratuar Traktati i Miqësisë Shqipëri–Greqi, që për fatin e keq asnjëherë nuk i pamë frytet e këtyre dy arritjeve që më shumë i kanë shërbyer Greqisë se sa Shqipërisë. Njëanshmëria në trajtimin e kërkesave bilaterale mes dy shteteve, ka bërë që edhe Traktati i Miqësisë dhe Rezoluta kanë mbetur në letër. Thirrjet dhe protestat me shumë vonesë paskan trokitur në portat e Europës dhe kjo është një gjë pozitive. Rezoluta që ka miratuar Parlamenti Shqiptar duhet të bëhet pjesë e një Rezolute që duhet të miratojë edhe PE për Çamërinë, nën efektin e qëndrimit të drejtë që mban Komsioneri Hahn. Kjo është një domosdoshmëri që imponon Greqinë që të ketë detyrime si pjesë e këtij PE.
Lobimi që kemi bërë në SHBA do të ishte me shumë rëndësi që Kongresi dhe Senati Amerikan të miratojnë një Rezolutë për Çamërinë, në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Shqiptar që do të kishte efekte të mëdha që ka Greqia në përmbushen e detyrimeve për çështjen çame. I gjithë ky parashtrim mendoj se është një detyrim i së drejtës ndërkombëtare ndaj një popullate ndaj së cilës Greqia zyrtare bëri një gjenocid të cilin ajo e ka fshehur.
Falënderimet ndaj Komisionerit Hahn duhet të jenë jo vetëm për formën, por edhe për përmbajtjen dhe ecurinë e mëtejshme të zgjidhjes së Çështjes Çame. Se fjalët ikin, ndërsa e shkuara, rezoluta e PE mbetet dhe është zyrtare që kthehet në një detyrim për Athinën. Nëse zyrtarizmi i këtyre deklaratave nuk bëhet pikërisht në tempullin e drejtësisë, zor se mund të besojmë në rezultatet e duhura dhe shumëvjeçarë të pritura.
Nga ana tjetër kemi një Ambasadore të Greqisë në Tiranë, Eleni Sourani, e cila risolli tezat greke ndaj shqiptarëve. Ambasadorja foli e foli sikur të ishte në Greqi e jo në Shqipëri. Për habinë e të gjithëve, reagimi zyrtar shqiptar i diplomacisë dhe shtetit ishte zero.
Si për inat, as nga pala e interesuar e komunitetit çam, Shoqata apo PDIU, nuk kemi dëgjuar ndonjë përgjigje të drejtpërdrejtë si për të vënë në vend dinjitetin e gjyshërve e baballarëve tanë që vuajtën tre gjenocide: vuajtën gjenocidin nazifashist, vuajtën gjenocidin grek dhe vuajtën gjenocidin komunist. Nuk di popullatë tjetër në Europë dhe në Botë që të ketë përjetuar të tre gjenocide në një periudhë kohore kaq të shpejtë. Përgjigja ndaj zyrtares greke do të duhej të jetë shumëdimensionale. Por mbi të gjitha qeveria shqiptare dhe diplomacia e saj do të duhej të tregonte të gjithë potencialitetin saj ndaj një zyrtareje të një ambasade si përgjigje ndaj Athinës zyrtare.
Çfarë bëhet në këtë vendin tonë? Jemi një shtet sovran apo i nënshtruar tërësisht. Nga njëra anë fqinji ynë tradicionalisht na kërcënon, na shantazhon, na poshtëron, na denigron, na shpif ditën për diell dhe askush nuk i thotë plaç, pusho, se e vërteta është kjo dhe kjo. Jo, jo, ka vetëm një nënshtrim, një futje koke në rërë si struci dhe një zhveshje nga dinjiteti dhe sovraniteti shqiptar. Përkundër kësaj, sikur të ndodhte e anasjelltë, do të shikonim spektaklin që do të na bënte Greqia, do të shikonim “fshesa greke” dhe vrasje të shqiptarëve dhe asnjë dënim të kriminelëve. Nëse ajo që thuhet se kështu janë grekët, Faik Konica tha që “Ju rrëfej grekët” ndërsa unë do të shtoja “pyesni çamët t’ju rrëfejnë grekët”.
Leksionet e “historisë” që ambasadorja na dha do të duhej që akademikët tanë ose të dilnin në mbrojtje të të vërtetave ose përkundër tyre, veteranët e luftës, ata që përbëjnë Komitetin e Veteranëve të Luftës të thonë një herë se si është e vërteta se si luftuan ata nazifashizmin bashkë me vëllezërit çamë, prej të cilëve ranë dëshmorë dhe u internuan në kapet e shfarosjes në masë. Gjithçka që deklaron ambasadorja mund të vihet përballë faktit se përse ekziston Ligji i Luftës mes dy vendeve, kur qeveria e Andrea Papandreut më 28 gusht 1987e hoqi këtë Ligj? Dhe megjithëkëtë Kuvendi i Greqisë dhe Gjykatat e këtij shteti e rikthyen Ligjin e Luftës duke e lënë përsëri në fuqi.
Është e ditur se pronat e çamëve janë sekuestruar me Ligjin e Luftës, ku asnjë shqiptar nga Çamëria nuk mund të kërkojë të drejtën e pronës, pasi atyre u ndalohet hyrja në Greqi, pale më të kërkojnë të drejta njerëzore. Edhe pa qenë ligji i luftës para Luftës II Botërore, grekët kështu kanë vepruar me shpronësimet në territorin e Çamërisë duke futur në kalendar greke dëmshpërblimet. Është e ditur që më 16 tetorin e vitit 2008 ish-Kryeministri i Greqisë, Kosta Karamanlis vendosi afatin e fundit për hipotekimet nga e para të gjitha pronat në Greqi. Kjo çështje prekte në mënyrë të drejtpërdrejtë titujt e pronësisë të shqiptarëve. Bëhet fjalë për pasuritë e popullsisë çame, të cilëve shteti grek ua mban peng pasuritë e patundshme me të ashtuquajturën “sekuestro konservative”. I di kjo ambasadore këto realitete? Po qeveritarët tanë shqiptarë a kanë ndonjë çikë haber nga këto fakte që të flasin përballë çdo zyrtari grek kur vjen rasti për të mbajtur një qëndrim zyrtar në mbrojtje të shtetasve shqiptarë siç janë edhe çamët ?
Qytetarët shqiptarë çamë nuk e kanë asfare këtë mundësi, jo vetëm prej burokracive të ambasadës greke që pengonin lëshimin e vizave në atë periudhë për këtë kategori qytetarësh. Ata janë të ndaluar falë Ligjit të Luftës të hapin një çështje gjyqësore dhe të kalojnë shkallët e drejtësisë greke që më pas të shkojnë në Strasburg. Por që në shumë e shumë debate të bëra dhe të realizuara edhe mes dy qeverive është arritur në përfundimin se para së gjithash duhet të ekzistojë vullneti politik i shtetit grek dhe ndërhyrja e një force madhore ndërkombëtare që të detyrojë Greqinë të pranojë respektimin e të drejtave njerëzore, duke dënuar genocidin dhe duke i hapur rrugën më tej të gjitha të drejtave që rrjedhin nga kjo. Komisioneri Hahn dhe kushdo komisioner tjetër, personalitet europian duhet të jetë e qartë se përgjigjet i duhen dhënë Greqisë për politikat e saj agresive dhe me sens të theksuar shoviniste.
KOHA JONË SONDAZH

