Një rimbyllje është fatale për xhepat e shqiptarëve, spitalet Covid në kaos
Pas shifrave të frikshme në humbje jetësh dhe prekje që pandemia e Covid-19 pati gjatë muajve të karantinës, shumë vende të botës i janë rikthyer mbylljes, por për Shqipërinë një rimbyllje do të jetë fatale për ekonominë. Rimbyllja e mundshme e disa lloje biznesesh, kryesisht e bareve dhe restoranteve, e cila është kërkuar fillimisht për zonën e ish-Bllokut nga Komiteti Teknik, nga ekspertët e ekonomisë shikohet si një vendim i gabuar që do të sjellë dëme të mëdha.
”Baret dhe restorantet nuk janë biznes luksi sikur mund të klasifikohen në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. Po përbëjnë 70-75% e të bizneseve në vend. Dhe nëse do të bëhet një mbyllje ekonomia do të vuaj pasoja shumë të rënda. Ekonomia jonë kishte probleme dhe para nisjes së pandemisë për shkak edhe të tërmetit”,-thotë eksperi Danaj.
Sipas tij, Shqipëria nuk duhet të marrë shembull masat e vendeve të BE-së, pasi ekonomia jonë është shumë e brishtë dhe rimëkëmbja pas një mbylljeje të dytë do të dojë shumë kohë. Një tjetër shqetësim për të është rritja e mëtejshme e papunësisë si dhe largimi i forcave të punës jashtë vendit.
Pandemia Covid-19 mund të rrezikojë një mbyllje të dytë totale të gjykatave në vend. Gjatë ditëve të fundit, për shkak të infektimit nga virusi të gjyqtarëve e prokurorëve, por edhe punonjësve të administratës, një sërë gjykatash kanë pezulluar veprimtarinë e tyre për afate kohore që shkojnë deri në tri javë.
Deri më tani, në këtë situatë ndodhet Dhoma Civile e Gjykatës së Tiranës, Apeli Administrativ, Gjykata e Apelit Vlorë dhe Gjykata e Durrësit. Në to zhvillohen vetëm seancat me karakter të ngutshëm, si masat e sigurimit, sekuestrot, apo kërkesat me afate të përcaktuara kohore. Në vështirësi ndodhet edhe Gjykata e Posaçme, ku tre gjyqtarë, nga nëntë anëtarë të trupës në total, janë të infektuar dhe të karantinuar.
Nga ana tjetër, gjendja sa vjen dhe rëndohet në Spitalin Infektiv për shkak të numrit të lartë të pacientëve që kërkojnë shtrim. Familjarët e tyre thonë se për rastet e reja duhet të qëndrojnë disa orë të oksigjenuar në urgjencë ose pranë ambulancave deri në momentin që lirohet një shtrat. Jashtë dyerve të Infektivit ka lot dhe ankth për të mësuar mbi shëndetin e të prekurve nga pandemia.
Një zonjë sapo ka sjell të ëmën pranë spitalit Covid 1. Vonesa në shtrimin e pacientes dhe gjendja e saj e rënduar shton shqetësimin tek familjarët. ”Kisha mamanë, tani kam babanë, mamaja është e paralizuar. Druhem se duhet të pres gjatë për shtrim”, thotë ajo. Edhe të tjerë qytetarë nuk kanë informacion për familjarët e tyre. Në tentativë për t’i dërguar bashkëshortit veshmbathje dhe pak ujë, një zonjë duhet të pres orarin e pasdites për të futur produktet.
Për familjarët nga rrethet qëndrimi në Tiranë dhe pa informacionin përkatës ka kosto edhe më të larta. Një zonjë ankohet se i duhet të kthehet çdo ditë në Shijak me taksi. Kërkojnë të kenë komunikim me telefon me mjekët, dhe nuk mungojnë as rastet kur pacientët rikthehen sërish në spitalet Covid pas trajtimit të tyre. Java e parë e nëntorit ka sjell numër rekord infektimesh dhe humbje jetësh të pacientëve me Covid-19. Mjekët epidemiologë paralajmëruan se stina e vjeshtës duhet t’i gjejë spitalet më të përgatitura, por duket se kjo gjë nuk po ndodh pasi numri i shtrimeve është drejt limiteve.