Një rrymë, model dhe një politikë e re për shqiptarët
Nga: Alban Daci
Ka 30 vjet që jemi mësuar me diktat politik! Politikanët vendosin ata në emrin tonë çfarë duam ne, vendosin po ata çfarë kemi nevojë ne, nuk na pyesin si jemi ne, sepse mendojmë se jemi mirë si ata, nuk na pyesin për jetesën tonë, sepse mendojnë se jetojmë mirë si ata, nuk na pyesin për rrogat, sepse mendojnë se i kemi të ardhurat si ata e po ashtu, nuk na pyesin nëse jemi të lumtur, sepse lumturia është për ata dhe vuajtja për në.
Kur vijnë politikanët të na takojnë, i kanë gati fjalët që do të thonë, propozimet që do të bëjnë e sa për premtime as nuk duan t’ia dinë, sepse e kanë të qartë, shkruaj ç’të duash e në fund është e sigurt se asgjë s’ do të na japin.
Partitë i bëjnë sikur duan ata, sepse në fund do të jenë pronë e tyre e ne shërbim të tyre, sepse në fund në per ta jemi vetëm votues, e votues të detyruar, sepse s’kemi alternativë. Partitë shqiptare, janë si dyqanet e Regjimit, kërko ç’të duash, por do të gjesh çfarë të ofron shteti, sepse nuk ka treg të lirë dhe alternativa për të zgjedhur e po ashtu nuk është as privilegj për të refuzuar, sepse nëse nuk merr atë që të japin, kthehesh në shpi pa asgjë!
Kryetar i një Parti bëhet e mbetet ai që e don partia e ndërsa militanca është e detyruar të thotë vetëm rroftë lideri, sepse s’ka alternativë për një lider tjetër. Marrëdhënia e shqiptarëve me partitë dhe liderin është ajo e nënshtrimit pa kushte e nëse dikush ngre kokën, ai shtypet për tu nënshtruar e nëse nuk bindet, atëherë përjashtohet si armik dhe sulmohet pa kompromis deri në ndëshkim absolut!
Nuk di të ketë pasur në këto 30 vite një politikan që të ketë dëgjuar me të vërtetë shqiptarët, të ketë kërkuar me sinqeritet se për çfarë kanë nevojë dhe si e duan ata politikën! Sulmojnë selitë e tyre në emër të popullit, sulmojnë institucionet në emër të popullit, marrin pushtetin në emër të popullit e në fund e përdorin për nevoja e interesa krejt personale! Ka një distancë të madhe mes qytetarëve dhe politikës, aq e madhe është, sikur të dyja palët jetojnë në të njëjtin vend, por me pozicionin e të pushtuarve dhe pushtuesit!
Dikush me të drejtë mendon se kjo distancë e krijuar dëshmon një politikë të papërgjegjshme dhe egoiste, por në fakt kjo është e qëllimshme, sepse për politikanët nuk ka qytetarë, por të nënshtruar! Nuk e di të këtë pasur ndonjë fushatë, ku politikanët tanë të kenë bërë premtime apo propozime pasi i kanë dëgjuar qytetarët, por kanë shkuar më fletë të gatshme e të shkruara duke ju diktuar qytetarëve: ose merrni këto “pallavra”, pra asgjë, ose njësoj prapë do të mbeteni pa gjë!
Sa gjera janë bërë në fakt në emër të qytetarit, por për interesa personale! Qytetari i zhveshur po e po, i tradhtuar po e po, i braktisur po e po e në fund edhe i ngarkuar me gjynahet që nuk meriton! Kanë bërë kongrese e kuvende e militantët kanë qenë spektatorë për të duartrokitur, kanë bërë votime si i kanë dashur, kanë zgjedhur kë kanë dashur dhe si e kanë dashur e në fund, u kanë thënë se ju na keni zgjedhur dhe ju mund të na largoni, ku në fakt për të parën nuk i kishin pyetur e për pasojë nuk kishin nevojë as t’i pyesnin nëse duhet ose jo të largoheshin!
Eh, sa shumë është bërë në emër të shqiptarëve, por sa pak per ta! Pasurohu ata e varferohu qytetarët! Qeveris ata me pushtet dhe shqiptarët në krizë identiteti dhe në mëshirë të fatit.
Shqiptarët nuk kanë nevojë më për këtë model politik e sigurisht as për këtë stil të organizimit politik, por pas 30 vitesh është kaq shumë i zhveshur, vjedhur, i tradhtuar sa nuk ka forcë të ngrihet dhe të rigjejë veten.
Duket sikur nuk ka zgjidhje e të ardhme për shqiptarët, por në fakt gjithmonë ka mundësi të reja! Shqiptarët kanë e meritojnë më shumë! Shqiptarët kanë nevojë për një rrymë politike që Integrimin Europiane e ka objektiv serioz! Shqiptarët kanë nevojë për një rrymë politike që përfaqësimin e ka mision serioz për të permisuar standardin e jetesës dhe po ashtu për tu shërbyer me sinqeritet.
Shqiptarët kanë nevojë të çlirohen nga nënshtrimi dhe të bëhen qytetarë që dëgjohen. Nuk është kurrë vonë që shqiptarët ta bëjnë dhe ta konkretizojmë një rrymë e një model të tillë politik! Kjo varet nga vendosmëria jonë e po ashtu nga mbështetja e shqiptarëve për të na bërë të fortë ndaj të keqes! Ne nuk mund të fitojmë dot vetëm betejën ndaj atyre që i kanë vjedhur dhe keqpërdorur pa pasur mbështetjen masive të qytetarëve që duhet të ngrihen e të vendosin për veten e tyre dhe për fatin e vendit.