Një shaka e madhe, për Shengenin e vogël

Nga Eno Bozdo

Dy ngjarje të rëndësishme politiko-ekonomike për Ballkanin kanë ndodhur në harkun kohor të 2 javëve të fundit, pa llogaritur këtu vendimin e BE-së për mosçelje të negociatave.

Ngjarja e parë është takimi në Novi Sad i Kryeministrave të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Takimi u pasua me nënshkrimin me bujë të deklaratës së përbashkët, thelbi i së cilës qëndron në krijimin e një zone të lirë të lëvizjes së personave, mallrave dhe shërbimeve mes tri vendeve deri në vitin 2021. Një mini-Shengen Ballkanik, siç e quajti Kryeministri Rama.

Ngjarja e dytë është nënshkrimi i marrëveshjes së tregtisë së lirë midis Serbisë dhe Unionit Ekonomik Euroaziatik (EAEU), anëtarë të të cilit janë Rusia dhe disa ish-republika të dikurshme të Bashkimit Sovjetik. Ngjarjet në dukje nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Por nuk është krejtësisht kështu.

Në këtë periudhë dyjavore, të dyja ngjarjet, veçanërisht pas refuzimit të BE-së për hapjen e negociatave të anëtarësimit ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, janë komentuar në media si tregues i qartë se vendet e Ballkanit po i largohen Europës dhe po rrëshqasin ngadalë drejt konceptit gjeopolitik të ish-Jugosllavisë (rasti i Shqipërisë) dhe ndikimit rus (rasti i Serbisë). “Alarmi duhet të bjerë dhe duhen marrë masat që kjo të mos ndodhë! Vokacioni perëndimor i Shqipërisë është provokuar rëndë nga realizimi i mini-Shengenit sepse kjo e shpie Shqipërinë jo drejt Europësm, por drejt ringjalljes së ish-Jugosllavisë”, janë në thelb reagimet në Tiranë dhe më tej.

Ka një të vërtetë të pjesshme në këto konstatime. Emërtimi mini-Shengen sjell lehtësisht në kujtesë konceptin e ish-Jugosllavisë së Titos. Lëvizja e lirë e personave, mallrave dhe shërbimeve- siç u theksua në deklaratë,- përmbush pa qortim konceptin e një mini-Shengeni Ballkanik. “..Duhet të mendojmë për veten tonë..,- tha Rama,- …veçanërisht kur nuk duket se jemi prioritet i BE-së..”. Dhe kështu, kufijtë do të shuhen dhe tregtia do të lulëzojë. A nuk është ky ekzaktësisht modeli i Jugosllavisë së dikurshme? E gjitha kjo bëhet edhe më shpuese kur Kosova nuk është pjesë e kësaj “iniciative”, pavarësisht se Rama nga ana e tij u kujdes të mos të përjashtonte nga kjo iniciativë në të ardhmen, Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit.

Ja pra, se si më në fund, mu në Novi Sad, pas një pritjeje të gjatë, historia po ndodh! Një brez i ri politikanësh ballkanikë ia kanë dalë të lënë mbrapa dekada të tëra luftërash civile, urrejtjen e ndërsjellë shekullore, si dhe konfliktin e vazhdueshëm me të cilin Ballkani identifikohet.

Mund të ishte edhe kështu, madje mund të cilësohej si një kthesë historike në Ballkan marrëveshja mini-Shengen e Novi Sadit, sikur disa detaje dekonspiruese të mos shtjelloheshin më qartë në deklaratën e përbashkët të këtij takimi.

Sipas deklaratës së përbashkët, për të konkretizuar konceptin e mini-Shengenit Ballkanik, nënshkruesit ranë dakord të punojnë në dy drejtime. Së pari, që qytetarët e tri vendeve nënshkruese të lëvizin drejt njëri-tjetrit duke treguar në kufi “maksimalisht letërnjoftimin përkatës”, siç edhe u shpreh Vuçiç. Së dyti, vendet do të lehtësojnë procedurat tregtare në pikat kufitare, sepse sipas një studimi të Bankës Botërore, kamionët e mallrave shpenzojnë shumë kohë të padobishme nëpër kufijtë përkatës.

Pra, koncepti i mini-Shengenit Ballkanik qëndron pikërisht në këto dy shtylla kryesore.

Le t’i shohim këto pak më nga afër. Sot qytetarët shqiptarë lëvizin drejt Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, duke treguar respektivisht në kufi kartën e identitetit dhe pasaportën (pa viza). E njëjta gjë vlen edhe për qytetarët serbë dhe maqedonas drejt vendeve respektive. Pra, të gjithë lëvizin kudo, thjesht duke treguar letërnjoftimin (pasaportën në rastin e vetëm Shqipëri-Serbi) në pikat kufitare. Atëherë, çfarë do të ndryshojë? Ku qëndron risia këtu? Dhe më kryesorja, ç’lidhje ka kjo me Shengenin origjinal?

Marrëveshja Shengen, nënshkruar në vitin 1985, eliminon tërësisht kufirin shtetëror si pikë kontrolli. Qytetarët nuk ndalojnë dhe nuk kontrollohen, me përjashtim të rasteve specifike. E pra, askush nga tre Kryeministrat nuk e përmendi konceptin e eliminimit të kufirit si pikë kontrolli të dokumentacionit. Në të vërtetë, për arsye shumë të qenësishme, siç është p.sh. kontrolli i trafiqeve të drogës, trafiqeve njerëzore, forca e ligjit dhe integriteti i autoriteteve kufitare, të gjithë e dinë se vendet tona do të futen më parë në BE, sesa do të eliminojnë kontrollin kufitar mes njëri-tjetrit. Pra, koncepti i mësipërm s’ka asnjë lidhje me Shengenin.

Le të shohim tani shtyllën e dytë të miniShengenit Ballkanik, atë të lëvizjes së lirë të mallrave dhe shërbimeve përgjatë kufijve të tri vendeve. Të tria vendet, së bashku me Moldavinë, Bosnje-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Kosovën, janë nënshkruese të CEFTA-s (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë për Rajonin) që në vitin 2006. Dhe siç çdokush mund ta imagjinojë lehtësisht, lehtësimi i tregtisë është edhe thelbi i një marrëveshjeje tregtie.

Vetë CEFTA, si organizëm funksional që prej vitit 20006, punon në tri drejtime të ndryshme për lehtësimin e tregtisë. Drejtimi i parë është ai i harmonizimit tregtar të normave dhe praktikave kufitare. NTB (Non-Tariff Barriers), pra Barrierat Jotarifore në Tregti, janë identifikuar si elemente që kontribuojnë negativisht në lehtësimin e tregtisë.

Drejtimi i dytë është ai i njehsimit të dokumentacionit dhe të dhënave të kërkuara nga autoritetet në pikat kufitare. Drejtimi i tretë është thjeshtëzimi i procedurave doganore. Puna në tri drejtimet ka vijuar qëndrueshëm qysh pas nënshkrimit të CEFTA-s në vitin 2006. CEFTA në të njëjtën kohë trajton çështjet e rëndësishme të rregullave të origjinës së mallrave, duke futur mekanizmin preferencial të akumulimit diagonal mes vendeve të rajonit dhe BE-së. Trajtimi i barabartë dhe jodiskriminues i investimeve është gjithashtu pjesë e përpjekjeve të CEFTA-s për lehtësimin e tregtisë. Jo të gjithë anëtarët e CEFTA-s janë anëtarë të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT). Serbia dhe Bosnje-Hercegovina nuk janë anëtarë të OBT-së. Për këtë arsye, marrëveshja tregtare standard TFA nën ombrellën e OBT (TFATrade Facilitation Agreement/WTO) nuk mund të aplikohet. Pikërisht për të tejkaluar këtë ngërç, vendet anëtare të CEFTA-s kanë rënë dakord dhe miratuar një mekanizëm shtesë të quajtur “Protokolli 5 i Lehtësimit të Tregtisë” (Protokolli 5 ka hyrë në fuqi më 18 prill 2018). Ky protokoll është ratifikuar nga të gjitha vendet anëtare, me përjashtim të Kosovës, e cila pritet ta ratifikojë shpejt. Aplikimi i Protokollit 5 të CEFTA-s nga vendet anëtare do të lehtësojë ndjeshëm tregtinë mes vendeve, duke kontribuar kështu në plotësimin e objektivit final të CEFTA-s, të shpallur që në vitin 2006, atë të krijimit të një zone të vetme ekonomike, me rregulla të njëjtësuar për tregtinë dhe investimet, të përafruar plotësisht me ato të BE-së.

Me pak fjalë, edhe në sajë të marrëveshjes CEFTA që prej vitit 2006, ajo çfarë na u shit me mini-Shengenin Ballkanik si një çast historik, në realitet ose është thuajse e zgjidhur (lëvizja e lirë e personave), ose është në zgjidhje e sipër (lëvizja e lirë e mallrave dhe shërbimeve). Gjithsesi, të dyja këto janë shumë larg konceptit që përfaqëson marrëveshja Shengen!

Pra, si përfundim, asgjë e re dhe e rëndësishme nga fronti i Novi Sad-it. Me përjashtim të dëshirës për ta shpallur takimin tresh si një iniciativë, e cila do të hyjë në historinë e Ballkanit.

Ndoshta Kryeministri ynë i ka ditur këto fakte, por përsëri ai nuk i shpëtoi dot simptomës “mbrapa më vjen historia”. Ndoshta nuk i ka ditur dhe për këtë arsye ka këmbëngulur kaq shumë në konceptin e mini-Shengenit Ballkanik. Ka qenë ndoshta vërtet i bindur se po realizonte diçka të jashtëzakonshme. I vetmi, i cili e dinte mirë atë që po bënte, me sa duket ngelet Vuçiç. Jo vetëm që në lidershipin e tij Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut firmosën për mini-Shengenin Ballkanik, por vetëm dy javë më vonë, Serbia nënshkroi një marrëveshje të tregtisë së lirë me Unionin Ekonomik Euroaziatik (EAEU). Këtu risia (apo rreziku) nuk është një marrëveshje tregtare me Rusinë, sepse Serbia e ka pasur atë që në vitin 2000, por ritheksimi i këtij prioriteti politik, pikërisht tani kur BE-ja refuzoi hapjen e negociatave me dy vendet e tjera nënshkruese. Pararendësja e Serbisë, Jugosllavia, ka luajtur këtë kartë (mes Lindjes dhe Perëndimit) nën lidershipin e Titos, për dekada të tëra. Përfundimi: Serbia është plotësisht në lojën e saj, po Shqipëria në cilën lojë është?!

Mini-Shengeni Ballkanik, në thelb është një shaka e madhe. Ajo që nuk është aspak shaka mbetet fakti që Kryeministri ynë i nderuar i shkon nga mbrapa me entuziazëm një iniciative të tillë, kur prioriteti i vetëm që ai duhet të ketë është integrimi i plotë në BE. Asnjë “lojë luftërash”, qoftë edhe ëmbëlsuar me kopertinën e mini-Shengenit, nuk mund të tërheqë vëmendjen nga ky objektiv që përkrahet nga 95% e shqiptarëve.

Nuk na mbetet tjetër veçse të shpresojmë që në samitin e ardhshëm të Ohrit, kjo gjë do të thuhet qartë dhe saktë. Deri atëherë, le të qeshim me shakanë e madhe të mini-Shengenit Ballkanik.

/Panorama

SHKARKO APP