Një shqiptare në Forbes Italia, Erjola Braha dhe frymëzimi për kantinën e re të verërave
‘Mjeshtri dhe Ambasadorja: si Riccardo Cotarella frymëzoi kantinën e re të Erjola Brahas’, ky është titulli i një artikulli të Forbes Italia që sjell historinë motivuese të një marke të njohur shqiptare, ‘Alehandro Group’.
Artikulli flet për Riccardo Cottarella-n, që Netflix, në një dokumentar të tij, e ka cilësuar ‘Mjeshtri i Hardhisë’. Presidenti botëror i enologëve, i vlerësuar me shumë cmime, ka themeluar një nga kompanitë më të rëndësishme të verës në Itali, me më shumë se 200 hektarë vreshta dhe thuajse dy milionë shishe të shitura në të gjithë botën. Ndërsa Erjola Braha, shkruan Forbes Italia, që njihet si Lola, është një shqiptare nga lindja por italiane me birësim.
Ajo është themeluesja dhe drejtuesja e Alehandro Group, një nga kompanitë më të mëdha shqiptare të tregtimit të verërave, me një prani të rëndësishme në ballkan ku është ambasadore e shumë markave. Sic thotë vetë Erjola për Forbes Italia: “Ballkani përfaqëson një treg në rritje për verën italiane, me një potencial gjithnjë në rritje. Made in Italy vlerësohet shumë në këtë rajon, ku konsumatorët njohin dhe kërkojnë cilësinë, elegancën dhe traditën që vera italiane sjell”.
Duken si dy histori të ndara – shkruan revista – por ka një fije të fortë që i lidh, që është vera. Lola është takuar me Riccardon ndërsa merrte pjesë në një nga seminarët e tij. Atje, ajo u mahnit nga pasioni i tij, por mbi të gjitha nga vëmendja ndaj detajeve. Ajo vizitoi kompaninë e tij në Umbria, ku u dashurua me verërat e jashtëzakonshme të saj.
Nga kjo, lindi kantina e Lolës në Shqipëri, më pas edhe akademia për të trajnuar të rinjtë e apasionuar pas verës. ”Përmes akademisë ne kultivojmë një lidhje të thellë me origjinën tonë, por me një vështrim të hapur dhe ambicioz ndaj botës, me shpresën që vera jonë të bëhet një ambasadore e kulturës dhe talentit shqiptar”, thotë Lola.