“Njerëzit sot janë pa strehë dhe pa shpresë”, Gjosha: Ç’organizimi më i madh vjen nga koka e qeverisë
Ish-deputetja e LSI, Klajda Gjosha shprehet se tashmë që situata post-termetit bëhet edhe më e vështirë, ka vend për analizë por edhe për llogaridhënie nga ana e Qeverisë.
“Këto ditë kanë qënë të vështira për t’u shprehur, pasi tërmeti i 26 Nëntorit i mori edhe fjalët me vete dhe pas la dhimbje, njerëz të pastrehë, shpirtra të vrarë dhe goditje të fortë psikologjike.
Por tashmë që situata bëhet edhe më e vështirë, ka vend për analizë por edhe për llogaridhënie.
E para, do t’i lutesha qeverisë t’i japë fund garës së cmendur për të dalë në ekran dhe të ulet urgjent për të menaxhuar situatën me ekspertizën e godinave që janë dëmtuar dhe me rindërtimin e banesave të njerëzve që sot janë pa strehë dhe pa shpresë. Ç’organizimi më i madh vjen nga koka e qeverisë, që në vend të ulet në zyrë me ekspertët përkatës dhe grupet e emergjencës për të menaxhuar krizën, i pëlqen të zëvendësoj Portokallinë, kur edhe kjo e fundit ka heshtur në respekt të viktimave të 26 Nëntorit!
E dyta, buxheti shtetit kërkon rishikim të të gjitha fondeve dhe sidomos të zërave që i përkasin lluksit të zyrave, ndryshimit të godinave dhe zbukurimit të fasadeve që jemi mēsuar t’i shohim rëndom!
E treta, drejtësia duhet të veprojë pa humbur asnjë sekondë mbi ata që duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë katastrofë njerëzore të shkaktuar nga papërgjegjshmëria dhe korrupsioni. Nëse drejtësia e re do duhet të tregojë që funksionon, ky do të ishte rasti më i mirë por edhe amaneti i atyre që humbën jetën nën rrënojat e tërmetit tragjik!
Shqipëria është solidare nga shpirti njerëzor, jo nga politika, dhe për të ruajtur këtë solidaritet, fjalën duhet ta kenë ekspertët! Politika duhet të mësohet të dëgjoj dhe t’i japë vlerë njerëzve që mund të bëjnë dicka për këtë vend me eksperiencën e tyre të vyer. Ky është momenti që sistemi duhet të shkundet dhe gjithësecili nga ne të kuptoj se duhet të mësojmë të respektojmë të aftët dhe të nxjerrim në pah njerëzit me vlerë të këtij shteti!”, shprehet Klajda Gjosha.