“Njësia 2, lagjja me investimet më të rëndësishme”, Veliaj: “Partia Socialiste i vetmi tra që na ndan nga llumi”

“Një për të gjithë, të gjithë për një”, ishte ky mesazhi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, njëkohësisht drejtuesi politik i PS-së për Tiranën, në takimin me banorët e Njësisë 2 në kryeqytet.

“Në familje, parimi është: Një për të gjithë, të gjithë për një! Kur ne kishim nevojë për Edi Ramën, Edi Rama ishte aty për ne, por sot ka Edi Rama nevojë për të gjithë ne, ndaj në datën 25 prill do të jemi të gjithë ne, aty për një, të gjithë ne për Edi Ramën, të gjithë ne për Partinë Socialiste dhe të gjithë ne për Shqipërinë, që është e ardhmja jonë. Kjo është diferenca”, tha Veliaj.

Taktika e Saliut dhe Metës, përça dhe sundo, sipas kryebashkiakut ka marrë fund dhe Partia Socialiste do jetë barriera e fundit e kësaj lloj politike.

Saliut dhe Ilirit për 30 vjet ju eci duke, përçarë dhe sunduar. Ilir Meta merrte vota nga e majta dhe ja çonte në prehër Saliut. Por tani iu ka dalë boja. Ndërsa Luli është një viktimë, një kukull që mbahet në spango si marionetë. I gjithë llumi është bërë bashkë, i gjithë llumi i OFL-së, i gjithë llumi që është sot subjekt i SPAK, të gjithë ata që kanë rënë nga fiku prej Vettingut, e gjithë rrugaçëria në kryeqytet që s’ka pasur mundësi të gjej ‘shesh për përshesh’, të gjithë politikanët e diskretituar, përfshi si ata të Gërdecit dhe ata të 21 janarit, është bërë i gjithë llumi bashkë. Ka vetëm një pengesë, Edi Rama dhe Partia Socialiste e Shqipërisë”, pohoi Veliaj.

Ndërsa deputeti Arben Pëllumbi e cilësoi Njësinë 2, një prej zonave që ka pësuar ndryshimet më të rëndësishme, duke renditur disa prej tyre.

“Këtu kemi parkun “Rinia” i cili është transformuar komplet. Të falënderoj shumë kryetar i bashkisë, për gjithë investimin që ke bërë. Është një atraksion jo vetëm për njësinë tonë por për gjithë qytetin e Tiranës. Ne kemi këtu Arenën Kombëtare e cila është sot një pikë shumë e rëndësishme e njësisë sonë dhe e gjithë Shqipërisë. Kemi Teatrin e Operës dhe Baletit, të transformuar komplet nga e para. Do kemi edhe Teatrin e ri Kombëtar. Jam i sigurt që do të jetë një vepër shumë të bukur. Kemi simbolin e transformimit të jetës së përditshme dhe të një koncepti pastërtie, siç është Pazari i Ri që e kemi këtu afër”, përfundoi kandidati për deputet të Tiranës, Arben Pëllumbi.

SHKARKO APP