Noka: Të hënën protestë dhe paralizim i Parlamentit
Deputeti i PD-së, Flamur Noka ka zbuluar sesi do të vijojë aksioni i opozitës, duke thënë se të hënën do të ketë protestë para Parlamentit.
Brenda në sallën e seancave plenare do të protestojnë deputetët e Rithemelimit, të cilët do të tentojnë sërish të bllokojnë punimet e kuvendit. Mbledhja e së hënës i dedikohet vetëm diskutimeve për problemet e qytetarëve dhe nuk janë parashikuar ligje për tu miratuar.
“Protestë të hënën në orën 16:30, para Parlamentit. Në kuadër të aksionit tonë opozitar dhe mosbindjes civile, para një Parlamenti që nuk është më i shqiptarëve, por i krimit, inceneratorëve, siç rezultoi dhe nga intervista e Ahmetajt. Ende nuk dihen detajet, nesër Këshilli Kombëtar mblidhet në orën 17:00, dhe një nga pikat e diskutimit do të jetë protesta. Do të ketë axhendë me bllokime, paralizim të institucioneve të këtij shteti, jo vetëm nesër, por në vazhdimësi. Ky vend nuk mund të funksionojë pa demokraci, ne nuk do reshtim”, tha Noka në News 24.
Në protestat që demokratët kanë realizuar para parlamentit apo para shtëpisë së liderit të opozitës Berisha nuk kanë marrë pjesë deputetët e drejtuar nga Gazment Bardhi.