“Non-grata arkitektit danez që do ndërtojë teatrin”, Veliaj i kthehet Bashës: Kalama i llastuar
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj deklaroi se teatri i ri do të jetë spektakolar, ndërsa nuk nguroi të sulmonte opozitën për akuzat e saj.
Gjatë inspektimit të punimeve që po kryhen në Rrugën e Kavajës për shtimin e korsive të dedikuara për biçikletat, Veliaj, tha se është fatkeqësi që opozita drejtohet nga ‘kalamajtë’, duke shigjetuar kështu kryetarin e PD-së Lulzim Basha pasi ky i fundit deklaroi se qytetarët do ta konsideronin ‘non grata’ arkitektin danez që do ndërtojë teatrin e ri.
“Arsyeja pse teatri po sulmohet kaq shumë është e thjeshtë: e dinë që po iu fut një pune qeveria e bashkia, do ta “qajnë” atë punë, siç me këndin e lojërave te Liqeni, Parkun Olimpik, Bulevardin e Ri, Sheshin “Skënderbej”, Pazarin e Ri etj. Në fakt, kjo është një përpjekje e dëshpëruar e ca kalamajve që drejtojnë sot opozitën, të cilët e dinë që teatri i ri do të jetë një vepër spektakolare, 8 herë më i madh në tokën e vet, e sigurisht, do të marrë çmime. Ata i druhen faktit që për 4 vite nuk bënë asgjë në Tiranë dhe e dinë që gjëja tjetër ku qeveria e bashkia do vërë dorë, do jetë një mrekulli. Kjo i shqetëson. Jam i ndërgjegjshëm që në Tiranë ka politikanë me rezidencë në Holandë, por ama sillen si ballkanas 500 vite të prapambetur. Kur një ‘politikan holandez’ i thotë një arkiteti danez s’të lë të futesh në Shqipëri, i ngjan një kalamani të llastuar të një lagje tipike tironse, që nuk lë askënd të vijë nga lagjja tjetër e të luajë tek lagjja e tij. Fatkeqësi e opozitës, që ka kalamaj për drejtues, ndërkohë fat për Tiranën që është zgjuar nga gjumi, që ka një qeveri e një bashki në krye të punëve për të ecur përpara. Siç po vazhdojmë me korsitë e biçikletave, do vijojmë me teatrin e ri, me korsitë e dedikuara të autobusëve, me ndërhyrjet në Ujësjellës”, tha Veliaj.
KOHA JONË SONDAZH

